LAJMI I FUNDIT:

Arti që i mban gjallë protestat e Hong Kongut

Arti që i mban gjallë protestat e Hong Kongut
Artisti anonim me pseudonimin Harcourt Romanticist me këtë punim i referohet romantikut francez Eugène Delacroix dhe pikturës së tij, “Liria u prinë njerëzve”

Përgjatë gjashtë muajve të protestave antiqeveritare në Hong Kong, qyteti po e përjeton një shpërthim të kreativitetit artistik, shkruan Vivienne Chow për BBC. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjell më poshtë.

Po copëtohet fytyra e shefes së Ekzekutivit të Hong Kongut, Carrie Lam: syri po bie dhe mishi po rropët nga mjekra. Protestuesit me kapele të verdha qëndrojnë në kokën e saj, duke mbajtur pankartën “Mbahu Hong Kong” e duke bërtitur me megafon në veshin e saj.


Elyse Leaf e krijoi këtë imazh në korrik 2019

Kjo skenë imagjinare është bërë nga Elyse Leaf, dizajnere 26-vjeçare që kanalizoi zemërimin dhe zhgënjimin e saj. E bëri në korrik, një muaj pasi filluan protestat pro-demokracisë në Hong Kong.

“Asnjëherë në jetën time nuk kam pasë mllef të tillë ndaj një personi”, thotë ajo.

Ilustrimi i saj i dha jehonë protestave. “Ngjitemi në të njëjtin mal së bashku, por secili nga ne e jep mundin e vet” ishte një nga posterët viralë digjitalë. Ilustrimi digjital u shndërrua në afishe dhe u shpërnda në protesta. Me to madje u dekoruan rrugët dhe pamjet u shpërndanë në rrjetet sociale.

Ilustrimi i mësipërm është një nga shembujt e shumtë që plotëson ciklin kreativ online-offline që ka nxitur protestat në Hong Kong. Duke pasë referenca nga kultura popullore dhe nga arti i bukur, këto punime në radhë të parë propagandojnë ideologjinë e protestave në sferën digjitale. Ato shpërndahen përmes mediave sociale – platformës së mesazheve të koduara Telegram dhe AirDrop. Pastaj kalojnë në realitet duke përfunduar si objekte të protestave ose protesta performuese nëpër rrugë – duke shndërruar hapësirat publike në një kanavacë ose galeri arti. Imazhet e rrugëve që janë plot me këto krijime udhëtojnë përsëri në internet dhe përhapen më tej përmes mediave sociale.

Frymëzuar nga homazhet për John Lennonin, një stacion i metros u shndërrua në “Murin e Lennonit”

“Transformimi i hapësirës publike është art në vete”, thotë Him Lo, artist dhe kurator nga Hong Kongu.

Protestat vazhdimisht zhvillohen. Po përshkallëzohet dhuna nga policia dhe nga protestuesit radikalë meqë autoritetet kanë qasje shtypëse dhe protestuesit po përgjigjen me taktika gjithnjë e më agresive.

“Që të përmbahet, kjo lëvizje kërkon forcë të madhe krijuese, ndaj shfaqja e krijimtarisë artistike është e natyrshme”, thotë profesori Francis Lee, shef i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin kinez të Hong Kongut.

Vepra e Justin Wongut është shfaqur në “Muret e Lennonit”

Për dallim nga demonstratat politike të së kaluarës, siç ishte Lëvizja Ombrella më 2014 ku protestuesit e udhëhequr nga liderët politikë qëndruan në vende të caktuara për 79 ditë, lëvizja aktuale nuk ka model të veçantë. Profesori Lee thotë se po “zhvillohet dhe se gjithmonë ka diçka të re.” Ndërkaq, në një panel të seminarit Arti Vizual në Hapësirën Publike, artisti Kacey Wong tha se për shkak të natyrës mobile të protestave edhe arti i protestave duhet të jetë mobil.

Arti protestues, ilustrimet, animacionet e shkurta dhe posterat publicitarë nga anonimët po kanë shpërndarje virale. Bashkë me punimet e profesionistëve, si të artistëve Justin Wong dhe Badiucao, ato përfunduan si objekte fizike të bashkangjitura në “Muret e Lennonit”. Profesori Lee shpjegon se përveç artit, protestat nxitën edhe krijimin e fondeve prej afro 500 mijë funteve për reklamat në gazetat e botës, për të përhapur mesazhet e protestave para Samitit G20.

Badiucao mban flamurin e frymëzuar nga “Muret e Lennonit”

Lee shton se aktivistët janë të vetëdijshëm se si elementët performues në protesta mund të kenë ndikim, për çka cek protestat në Murin e Luanit më 23 gusht dhe këngët protestuese në qendrat tregtare, si “Lavdi Hong Kongut” që është shkruar nga përdoruesit e internetit e që shpejtë u bë himni jozyrtar i qytetit. Kacey Wong ishte në një nga protestat e këndimit. Ai thotë se në kohë të krizave kanë nevojë për njerëz që do t’i dëgjojnë.

Edhe Him Lo ka të njëjtën dëshirë për t’u dëgjuar, duke pranuar se ndjen zemërim kur sheh sesi qyteti është shndërruar në një zonë lufte, veçanërisht në mesin e nëntorit kur kampuset universitare ishin nën rrethim nga policia. Ai e bëri një instalim të quajtur “Mëkati i Hong Kong”, duke përdorur bombola gazi lotsjellës. Vepra u mënjanua nga policët, duke thënë se ishte e paligjshme të posedosh armë dhe municion.

Aktivistët në Malin e Luanit mbanin shkronjat LED ku shkruante “Liri Hong Kongut”

“Si artist kam armë të ndryshme për të shpreh mesazhet e mia – pikturën, poezinë apo mediat tjera”, thotë Lo. “Disa njerëz mendojnë se këto armë janë të dobëta, por rëndësi ka mesazhi që duhet t’ua dërgojmë njerëzve”.

Disa nga veprat e Wongut dhe Losë janë në ekspozitën e parë dedikuar këtyre protestave, “Uji dhe Hiri për (R)Evolucionin Kreativ” në Paris. Ekspozita shfaq punimet e anonimëve që ishin nxitësit kryesorë të protestave. Wong shpjegon se kur krijuesit dhe protestuesit anonimë fshehin identitetin e tyre, ata kolektivisht e formojnë një identitet të ri, duke krijuar një ndjenjë uniteti dhe rrjedhshmërie që më parë nuk ekzistonte. Lo pajtohet duke thënë se artistët janë pjesë e një lëvizjeje politike që po futet në luftë për të rikrijuar identitetin e Hong Kongut dhe për të ruajtur shpirtin e qytetit.

Vepra e Wongut, “Mburoja”

“Kjo është një mundësi që krijuesit anonimë të shfaqin talentin që nuk lejohen ta demonstrojnë në punë, sepse duhet t’u shërbejnë klientëve konservatorë”, shpjegon Elyse Leaf, duke përmendur miqtë që janë gjithashtu dizajnerë dhe madje edhe pronarë të agjencive reklamuese. “Njerëzit në Hong Kong kurrë nuk kanë qenë kaq të bashkuar. Ata bëjnë çmos për t’u shprehur dhe për të përhapur mesazhet në mënyrë krijuese. Në të kaluarën nuk e doja kaq shumë Hong Kongun. Kam menduar gjithmonë për të ikur nga këtu. Por, tash gjithçka që dua është ta fitoj këtë betejë sepse këta njerëz kanë trazuar shtëpinë time dhe nuk lejohen ta bëjnë këtë”. /Telegrafi/