LAJMI I FUNDIT:

Arti i krijuar nga AI, një “gënjeshtër” e madhe sot: A është vetëm njeriu kreativ?

Arti i krijuar nga AI, një “gënjeshtër” e madhe sot: A është vetëm njeriu kreativ?

Pasi një vepër arti e “krijuar” nga Inteligjenca Artificiale (AI) u shit për 430 mijë dollarë, Thomas Graham analizon kuptimin e artit në epokën e makinerisë, transmeton Telegrafi.

Gjatë këtij viti, një deklaratë e kriptuar u dërgua në postën elektronike të gazetarëve. Letra bardhezi, e stilizuar si ekrani ku lexohet “game over” (loja mbaroj) te lojërat Arcade, kishte këtë përmbajtje: “Kreativiteti nuk është vetëm për njerëzit”. Realizuese ishte treshja franceze e njohur si “Obviues” dhe pretendimi i tyre ishte se AI kishte arritur të krijonte art. Ky ishte transmetimi i parë publik që lajmëroi ankandin për një portret të çuditshëm. Shtëpia e ankandeve “Christie’s” kishte pritur që ky punim të shitej për më pak se 10 mijë dollarë, por çmimi arriti në 430 mijë.


Pierre Fautrel nga “Obvious” pozon te punimi digjital që u shit për 430 mijë dollarë

Portreti duket si i papërfunduar. Fytyra e bardhë e rrumbullakët del nga një kanavacë e errët, me tri zona të errëta që tregojnë dy sy dhe një gojë. Lëvizjet e furçës duken të pikselizuara. Në këndin e poshtëm në të djathtë, si nënshkrim është algoritmi.

A është kjo mënyra se si “na sheh” makineria? Apo ndoshta të zhveshur nga paragjykimet e perceptimit njerëzor, kjo është mënyra se si ne dukemi?

Portreti është faturuar si vepra e parë e artit e AI-së që është shitur në ankand, që e katapultoi “Obvious”-in në media si bartëse të standardeve për një lloj të ri arti. Çështje të ndryshme nisën të trajtonin mediat. A është ky art? Kush është artisti e kush pronari? A janë makinat kreative?

Të gjitha pyetjet ishin të vlefshme, por të papjekura. Teknologjia nuk është as për së afërmi e avancuar për krijim – siç ka thënë “Obvious” – dhe publiku është ngatërruar me atë se çfarë është e çfarë mund të bëjë AI. Nga kjo fitoi veç marketingu i “Obvious”-it.

“Obvious” e nënshkruan veprën me algoritmin që përdorën për ta krijuar

Arti i AI-së ka 50 vjet e portreti i “Obvious”-it është pjesë e një valë të re. Në të kaluarën, njerëzit që përdornin kompjuterë për të gjeneruar art, shkruanin kodin që përcaktonte rregullat për estetikë. Tash kjo valë e re përdor algoritme që mund ta mësojnë vet estetikën. Pastaj mund të gjenerojnë imazhe të reja përgjatë këtyre linjave, duke përdorur një Rrjet të Përgjithshëm Adversarial (GAN).

Nënshkrimi në fund të portretit është algoritmi GAN. Në fakt, në vend se të punojë një rrjet, i hapni dy kundër njëri-tjetrit. GAN imiton ndërveprimin mes një falsifikuesi dhe një detektori arti. Të dy janë të trajnuar nga i njëjti set të dhënash për ta mësuar estetikën, pastaj gjenerohen imazhe të reja – në përpjekjen për të imituar atë që është shfaqur – derisa tjetri gjykon nëse është i vërtetë apo i rremë. Kur falsifikuesi zbulohet, ai përshtatet. Dhe kështu vazhdon derisa detektivi nuk mund të tregojë se çka është e vërtetë e çka jo. Imazhi i shitur nga “Christie’s” është ai që ia doli në këtë.

Mario Klingemann, një nga pionierët e përdorimit të AI-së në art

Por, ky nuk ishte imazhi që AI prodhoi. Është një nga shumë që mund të prodhojë. Ishte treshja prapa “Obvious”-it që zgjodhi këtë, për cilëndo arsye, sepse e konsideronin të duhur. Ata ndërhynë në këtë proces. Programuan AI-në dhe zgjodhën 15 mijë portrete për stërvitje. Nënshkrimi i pikturës me algoritmin GAN ishte mjeshtri e marketingut, sepse AI assesi nuk mund të prodhojë vet piktura.

Në fakt, nuk është fjala as për AI. Pas shitjes doli se vepra është e artistit Robbie Barrat. Ai e kishte programuar, e kishte trajnuar nga veprat e Wikiart-it dhe e përdori për të gjeneruar portrete të ngjashme, përpara se të postonte kodin online me një licencë me burim të hapur, që të tjerët të mund ta përdorin lirshëm. Pra, jo vetëm që portreti nuk është i AI-së po as i “Obviousit”-it.

Pasi u kuptua kjo, pat akuza ndaj shtëpisë së ankandeve. AI nuk e bëri këtë vepër arti si e vetme dhe nuk është kreative në aspektin njerëzor. Pra, është një mjet që bën gjëra interesante e të papritura dhe shumë artistë përdorin teknika të njëjta si “Obvious”, por më me imagjinatë.

Arti i krijuar nga Sougwen Chung është lojë spontane mes artistit dhe versionit të makinës

Artistët që përdorin AI-në nuk janë të shqetësuar nga zëvendësimi. Ata i ndërtojnë këto makina dhe punojnë me to çdo ditë; ata e dinë se sa të kufizuara janë ato. Ajo që u intereson është bashkë-krijimi. Mario Klingemann, që është një nga pionierët e përdorimit të AI-së në art, këtë e sheh si mënyrë për të shtyrë kufijtë e kognicionit njerëzor.

“Disa njerëz marrin drogë për ta bërë këtë – për të bërë lidhje edhe më absurde”, thotë ai.

Klingemann ndërton sisteme të modeleve gjeneruese të cilat i lidhë së bashku, duke shfrytëzuar rezultatin e njërës për ta trajnuar tjetrën, derisa imazhi i fundit është shumë ndryshe nga origjinali.

Anna Ridler ka marrë mijëra foto të tulipanëve dhe bëri video tek lulëzojnë

Anna Ridler krijon grupe unike të të dhënave për të trajnuar modelet e saj, për shembull me mijëra fotografi të tulipanëve, duke trajnuar AI-në për të bërë video të tyre të lulëzimit, me kontrollin nga luhatjet në çmimin e Bitcoin-it.

Sougwen Chung trajnon AI-në nga vizatimet e saj dhe këtë e ka transferuar te një krah robotik që punon me të. Rezultati është një duet pikturash, një bashkëveprim spontan mes artistit dhe versionit të saj të makinës.

Përshtypja është se AI duhet të jetë më e mirë në krijimin e imazheve, sesa të themi të tekstit ose zërit. Realiteti është se kur AI përpiqet të imitojë atë nga çka është trajnuar, bën gabime, dhe artet vizuale janë më tolerante ndaj këtyre gabimeve.

“Sytë falen më shumë se veshi”, thotë Klingemann.

Ross Goodwin e përdori AI-në për të shkruar një novelë – me veturën si laps

Megjithatë, ka artistë që eksplorojnë AI-në me tekst dhe zë. Ross Goodwin është një prej tyre.

“Ideja është të shkruash një roman me veturën si një laps”, tha Goodwin.

Ai doli në rrugë me Cadillac të zi, të lidhur me kamerë, mikrofon dhe kompjuter. Pamjet përreth, bisedat në veturë dhe koha e lokacioni bënë që ato nga AI të shndërrohen në prozë.

“Kur e lexoni, bëheni autori, sepse nuk ka qëllime njerëzore prapa fjalëve”, tha Goodwin. “Lexuesi bëhet shkrimtar”.

Kyle McDonald është artist që përdor AI-në në vallëzim. Për të ky është një shans për të reflektuar se çfarë do të thotë të jesh njerëzor dhe çfarë do të thotë të jesh inteligjent.

“Nëse i ndërtojmë këto algoritme që imitojnë inteligjencën tonë, kemi shans për ta kuptuar: çfarë do të thotë të jesh kreativ? Pse është arti i mirë apo i keq, e pse lidhemi me të? Sa e rëndësishme është autorësia? Nëse dëgjoj një këngë të mirë, a ka rëndësi nëse ajo është bërë nga AI apo nga njeriu?”, thotë ai.

Shumica e artistëve talleshin me idenë se AI është kreative, por kjo varet nga ajo se çfarë ju e përcaktoni si krijim. Ato me siguri krijojnë gjëra, ndonjëherë në mënyra të reja dhe efektive, por e bëjnë pa qëllim dhe pa e ditur se çka është me rëndësi. Është njeriu ai që e interpreton dhe e analizon prodhimin e tyre.

“Makina nuk ka qëllim të krijojë diçka”, thotë Klingemann. “Ju e ndizni një zjarr dhe ai prodhon forma interesante, por zjarri nuk është krijues”.

Kyle McDonald përdor AI-në në vallëzim

Në vend që të pyesim nëse një makinë mund të jetë krijuese, ndoshta duhet të pyesim: çfarë na duhet që të besojmë në kreativitetin e makinës?

Douglas Hofstadter, një prej figurave kryesore të kësaj fushe, dikur shkruante se “nganjëherë duket sikur çdo hap i ri drejt AI-së, në vend që të prodhojmë diçka për të cilën të gjithë pajtohen se është inteligjencë e vërtetë, zbulon se çfarë nuk është inteligjenca reale “.

E njëjta mund të thuhet për kreativitet: sa më shumë që makinat arrijnë, aq më të larta janë synimet dhe aq më shumë do ta kuptojmë kreativitetin njerëzor.

“Në fund, konkurrenca gjithmonë na detyron të përmirësohemi”, thotë Klingemann. “Për të kuptuar se çfarë na bën neve njerëzve të jemi ende të veçantë”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

Poezi
Realizmi magjik

Realizmi magjik

Analiza
Kalo në kategori