Arsenal është i vendosur të refuzojë çdo ofertë për qendërmbrojtësin francez William Saliba, me trajnerin Mikel Arteta që e sheh atë si një nga shtyllat kryesore të projektit të tij.

“Topçinjtë” e konsiderojnë Saliban të pazëvendësueshëm dhe duan që ai të vazhdojë të jetë pjesë e mbrojtjes për shumë vite. Klubi planifikon gjithashtu t’i ofrojë atij një kontratë të re, edhe pse marrëveshja aktuale është e vlefshme deri në vitin 2027.


Pavarësisht raportimeve që sugjerojnë interesin e lojtarit për një aventurë jashtë Anglisë, drejtuesit e Arsenalit janë të bindur se do ta bindin të qëndrojë në “Emirates”.

Saliba, i vlerësuar rreth 70 milionë funte, shihet si një nga mbrojtësit më premtues në Evropë dhe një element i domosdoshëm për sukseset afatgjata të klubit londinez.

Për më tepër, Arsenal nuk ndodhet nën presion financiar për të shitur, gjë që e forcon edhe më shumë qëndrimin e tyre kundër çdo oferte të mundshme nga Real Madrid.

Gjigantët spanjollë po kërkojnë të përforcojnë mbrojtjen dhe përveç Salibas, kanë në shënjestër edhe Ibrahima Konaté dhe Dayot Upamecano.

Megjithatë, Arteta i ka bërë të qarta planet e tij: Saliba nuk është në shitje dhe do të vazhdojë të jetë një nga liderët kryesorë të skuadrës në sezonet e ardhshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app