Arsenali mposht me poker golash Aston Villën në ‘Emirates’

Arsenal dhuroi një paraqitje autoritare, duke mposhtur Aston Villën në kuadër të javës së 19-të në Ligën Premier me rezultatin e thellë 4-1, në një ndeshje ku vendasit treguan qartësisht diferencën në cilësi, ritëm dhe efikasitet
Pjesa e parë u karakterizua nga raste në të dyja krahët. Aston Villa humbi një mundësi të artë në minutën e 13-të, kur Ollie Watkins dështoi të shfrytëzonte një pasim ideal brenda zonës.
Nga ana tjetër, Arsenal iu afrua golit disa herë me Viktor Gyokeres, i cili në minutën e shtatë dhe më pas në të 36-tën dërgoi topin vetëm pak centimetra jashtë portës.
Zhbllokimi i ndeshjes erdhi menjëherë pas pushimit. Në minutën e 48-të, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Bukayo Saka, Gabriel reagoi më shpejt në zonë dhe shënoi për 1-0.
Arsenal vazhdoi presionin dhe në minutën e 52-të dyfishoi avantazhin. Martin Odegaard shërbeu saktë në zonë, ndërsa Martin Zubimendi finalizoi me qetësi për 2-0, duke vendosur kontrollin total të ndeshjes në duart e “Topçinjve”.

Skuadra e Mikel Artetës nuk u ndal me kaq. Pas një pritjeje spektakolare të Emiliano Martinez ndaj Odegaard në minutën e 66-të, erdhi momenti më i bukur i takimit.
Në minutën e 69-të, Leandro Trossard realizoi një volej të mrekullueshëm nga jashtë zone pas asistit të Jurrien Timber, duke e çuar rezultatin në 3-0. Edhe ky gol kaloi filtrin e VAR-it dhe u pranua pa shkelje.
Goditja përfundimtare erdhi në minutën e 79-të, kur Gabriel Jesus, i futur si zëvendësues, përfitoi nga një aksion i shpejtë ofensiv dhe shënoi për 4-0.
E tëra çfarë mund të bënin mysafirët ishte një gol nderi nga Ollie Watkins që realizoi për 4-1 në minutën e 93-të të takimit.
Pas kësaj fitoreje Arsenali shkon në kuotën e 45 pikëve dhe mban kryesimin në tabelë, me pesë më shumëse Man City në pozitën e dytë që ka 40 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/







































