Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur arrestimin e një personi me inicialet S.R., i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023.
"Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ndaluar personin me incialet S.R., mbi bazën e dyshimit për përfshirje në vepra penale të natyrës së rëndë, përfshirë veprat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues", thuhet në njoftim.
I dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Merdar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Sipas Prokurorisë, S.R. dyshohet për kryerjen e veprave penale “kryerja e veprës terroriste” dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Kodin e Procedurës Penale.




















































