Javën që po lëmë pas janë mbajtur zgjedhjet lokale, ku qytetarët i janë drejtuar kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal.

Po javën që po lëmë pas, është arrestuar një ish-punjonës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me dyshimet se ka zbuluar informacione të klasifikuara dhe ka rrezikuar sigurinë e shtetit.

Ndërkaq, të premten më 22 tetor Kosova ka shpallur dy zyrtarë rusë persona non grata. Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy personat që janë identifikuar nga institucionet e Kosovës se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare.

Ndërkaq, të premten vendit i janë shtuar edhe 180 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa në mesin e tyre janë 12 femra.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit

Qytetarët e Kosovës të dielën, më 17 tetor i janë drejtuar kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.

Në këto zgjedhje kanë kandiduar 166 persona për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.

Misioni për Vëzhgimin të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, ka vlerësuar se zgjedhjet lokale ishin mirë të organizuara dhe pa telashe të mëdha. Në një konferencë për media të këtij misioni ata kanë thënë se probleme ka pasur kryesisht në veri të vendit

KQZ pritet javën e ardhshme t’i shpallë rezultatet përfundimtare, ku dihet pastaj saktë sa komuna do të shkojnë në balotazh.

Arrestimi i ish-punonjësi i AKI-së, dyshohet se zbuloi informacione të klasifikuara dhe rrezikoi sigurinë e shtetit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ndaluar një ish-punonjës të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili dyshohet se ka zbuluar informacione të klasifikuara dhe ka rrezikuar sigurinë e shtetit.

Sipas njoftimit, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të Prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet M.K.

“Ndalimi është bërë për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Keqpërdorimi i informatës zyrtare’, ‘Hyrja në sistemet kompjuterike’, ‘Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara’ dhe ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se pas një bashkëpunimi ndërmjet AKI-së dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, po ashtu në koordinim edhe me Policinë e Kosovës është arrestuar dhe ndaluar personi me inicialet M.K.

Siç thuhet tutje, për të arrestuarin, ish-punonjës i AKI-së, ekziston dyshimi i bazuar se në cilësinë e personit zyrtar, ka vepruar me motive të dyshimta, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe zbuluar informacion të klasifikuar, andaj me këto veprime dyshohet se personi i lartcekur ka cenuar sigurinë e Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ish-zyrtarit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, M.K., nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën dhe informatën zyrtare, zbulimin e informacioneve të klasifikuara dhe fotografimin dhe incizimin e pa autorizuar.

Kosova shpall dy zyrtarë rusë persona non grata

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se janë shpallur non grata dy zyrtarë rusë.

Osmani në një postim në Facebook ka bërë të ditur se kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.

Ndërsa, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rusë persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligj zbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.

Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy personat që janë identifikuar nga institucionet e Kosovës se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, kuptojmë që Alexey Kryvosheev, i cili është edhe diplomat rus, nuk e ka për herë të parë që është shpallur “person non grata”.

Ai edhe nga autoritetet shqiptare është shpallur i papranueshëm, pasi që në janar të këtij viti, sipas qeverisë shqiptare, vazhdimisht ka thyer masat anti-COVID në Shqipëri.

12 femra në mesin e 180 rekrutëve të FSK-së që u betuan të premten, gjenerata me rezultatet më të mira ndonjëherë

Ceremonia e betimit të rekrutëve të 180 rinj u mbajt të premten në Kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj. Në mesin e rekrutëve të rinj, u betuan edhe 12 femra.

Në fjalën e saj, komandantja e KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu theksoi se kjo gjeneratë e rekrutëve është një nga gjeneratat me rezultatet më të mira që ka pasur KDS dhe se ka vendosur një standard të ri të performancës.

Prezent në këtë ceremoni ishin Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë.

Me këtë rast, Osmani u shpreh se, si komandante supreme e FSK-së është krenare që po e sheh çdo ditë përparimin e FSK-së.

Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Albin Kurti, iu drejtua rekrutëve të rinj duke u thënë se:

“Duke qenë pjesë e FSK-së, përveç privilegjit, tash e tutje do t’i shërbeni institucionit më të besueshëm në vend. Ju keni nderin t’i shërbeni vendit tuaj përkrah aleatëve, ushtarëve të NATO-s, në shërbim të paqes dhe sigurisë globale”, theksoi Kurti.

Certifikimi i 180 ushtarëve të rinj është në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme operacionale, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së. /Telegrafi/