Botës mund t'i shtohet edhe një vend që ka bombën atomike - SHBA-ja ndihmon Arabinë Saudite në pasurimin e uraniumit

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka arritur një marrëveshje paraprake me Arabinë Saudite për bashkëpunim në fushën e energjisë bërthamore civile, e cila mund t’i lejojë Riadit të pasurojë uranium në territorin e tij.
Marrëveshja ka shkaktuar shqetësime në Uashington dhe në Lindjen e Mesme për rrezikun e një gare të re bërthamore në rajon, shkruan cnn.
Sipas raportimeve, marrëveshja afatgjatë do t’u hapte rrugë kompanive amerikane për të ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës bërthamore saudite, përfshirë mundësinë e një impianti për pasurimin e uraniumit.
Qeveria amerikane thotë se synimi është zhvillimi i një programi paqësor për energji bërthamore, ndërsa kritikët paralajmërojnë se teknologjia e pasurimit mund të përdoret edhe për qëllime ushtarake.
Marrëveshja pritet të përballet me kontroll të fortë në Kongresin amerikan, pasi ligjvënës dhe ekspertë të sigurisë kanë kërkuar garanci më të rrepta për inspektime ndërkombëtare dhe kufizime ndaj teknologjive që mund të çojnë në prodhimin e armëve bërthamore.
Arabia Saudite argumenton se programi bërthamor është pjesë e strategjisë së saj për të diversifikuar ekonominë dhe për të ulur varësinë nga nafta.
Megjithatë, deklaratat e mëparshme të udhëheqësve sauditë se mbretëria do të kërkonte armë bërthamore nëse Irani do të zhvillonte një të tillë kanë rritur frikën për një përshkallëzim bërthamor në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/


































