LAJMI I FUNDIT:

Arif Gjyli, përshtatësi i parë i Eposit të Kreshnikëve…

Arif Gjyli, përshtatësi i parë i Eposit të Kreshnikëve…
Arif Gjyli

Nga: Xhahid Bushati

Shkrimtari Arif Gjyli lindi në prill të vitit 1913 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq më 23 shtator të vitit 1989, në moshën 76 vjeçare, në Tiranë. Emri dhe veprimtaria e tij e luftës dhe ajo letrare u kujtuan vetëm nëpërmjet një shkrimi. Më vonë, koha vërtetoi se, ky shkrim-kujtimi ishte i fundit, por jo përmendja e emrit, e kontributit të tij si mësues e didakt (nga të parët që u mor gjerësisht e me hollësi me problemin e mprehtë të teksteve të leximit dhe të letërsisë për fëmijë), krijues e studiues (ka meritën për vënien në pah për të parën herë, të figurës së poetit popullor tiranas Zenel Bastari dhe të një vlerësimi poetik-analitik të jetës dhe problematikës së veprës të Migjenit).


Si krijues, Arif Gjyli la “gjurmën” e tij në fushën e letrave për fëmijë e të rinj. Konfiguracioni i kësaj “gjurme” ka dhe mbart në thelbin e saj, modelin e një krijuesi që përvetësoi disa tipare, si: idealin, përkushtimin dhe natyrën që e kishin rilindësit tanë të shquar e të ditur që, mesa duket, ia mëkuan me dashuri edhe intelektualit Arif Gjyli. Duke përqafuar atë model, ai ndoqi atë rrugë të ndritur; u mor dhe dha ndihmesë në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj e më gjerë (pedagogji, psikologji, mësuesi), kuptohet në një kontekst të ri historik, i cili shpërfaqte dita-ditës dukuri të reja në jetën shoqërore e kulturore.

Arif Gjylin nuk e kam takuar qoftë edhe një herë në jetë, ndonëse emri i tij ishte i “shëtitur” në Shkodër. Nuk pata rast ta njoh personalisht dhe të bisedoj me të, ndonëse kam pasur shumë dëshirë… së paku, t’i bëja një portret sa njerëzor aq dhe artistik. Pas shumë vitesh, gjeta si relikte të çmueshme, disa grimca të portretit të tij në librin “Muhamet Uruçi, babai im”. Në pjesën e titulluar: “Në vend të hyrjes” të këtij libri memuaristik, citoj: “Ka një memorie të jashtëzakonshme… ka mbetur si gjithmonë i ndershëm.” Gjithashtu citoj: “Më shikoi drejtpërsëdrejti dhe unë për herë të parë dallova nën xhamat e tejdukshëm një palë sy plot dritë.”; “Pas kaq vitesh mund të them se takimi me Arif Gjylin më ka lënë një shije shumë të ëmbël, jo vetëm për kulturën e gjithanshme që rrezatonte, por edhe për saktësinë me të cilën ai kujtonte dhe njihte gjithçka me detaje nga ato vite të vështira.”

Edhe pse kanë kaluar disa dekada nga 29 nëntor i vitit 1944, Arif Gjyli nuk është i shkëputur nga kujtimet e luftës, që për të në thelb, ato, duhet të ishin realizueset e ëndrrave të tij të vërteta. Për ato ëndrra, ai la peng jetën. Siç duket për Arif Gjylin, një pjesë mbeten vetëm ëndrra… Ata merrnin ‘jetë’ vetëm kur ai i kujtonte (herë pas here) nëpërmjet bisedës së tij të heshtur për plagët e luftës dhe përmendjes së emrave të shokëve të vërtetë. Ishte një bisedë e dhembshur dhe tragjike. Kujtonte edhe momente si këto: “Më mbanin të lidhur me tela, më kanë mbajtur pa gjumë, më kanë mbajtur për një kohë të gjatë në çimento… Natën më linin pa gjumë dhe gjithë ditën i binin një gramafoni të madh shurdhues sa të mos mundja që të fle asnjë minutë… Më morën e më shoqëruan në një pyll aty pranë. Në këtë kohë unë fillova të dyshoja dhe fillova të bërtas… Më bënë një gropë në formë varri dhe më kërcënuan se do të më vrisnin si buharinist. Pastaj më sollën me automobil këtej tek Tirana e re. Më vonë e pashë se më kishin çuar në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Në këtë shtëpi më mbajtën 43 ditë mes torturave ç’njerëzore”.

Le të përmendim disa momente nga jeta dhe veprimtaria e Arif Gjylit. Shkollën Normale për mësues e përfundoi në korrik të vitit 1933, në Shkodër. Para çlirimit ka punuar si mësues në Durrës dhe Mamurras. Ka marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare duke qenë në poste drejtuese të saj. Në zgjedhjet e dhjetorit 1945 ishte deputet i Shkodrës duke qenë dhe Sekretar i Kuvendit Popullor. Është arrestuar në shtator të vitit 1947 dhe është dënuar me 20 vjet burg si pjesëtar i grupit të deputetëve. Pas lirimit nga burgu, vitet më të shumta punoi si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, deri sa doli në pension. Nga viti 1962 ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.

Marrëdhënia e krijuesit Arif Gjyli me letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj janë objekt i këtij shkrimi. Përmes këtyre rreshtave kërkoj një shikim ndryshe, një optikë rivlerësimi veçanërisht në dialog me kohën e pas kohën që jetoi e krijoi ky shkrimtar. Librat e botuar, duke parë vitet përkatëse të botimit, nuk përkojnë me fillimet e vërteta të ndihmesës së Arif Gjylit në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Vitet e “ndajnë” dhe e “largojnë” nga fillimet dhe të vërtetat letrare. Arsyet… sikur mbeten të pakuptueshme, nganjëherë absurde.

Si krijues, fakt, i takon brezit të shkrimtarëve që krijuan traditën e re të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Si krijues vetëm emri i përmendët. Në të rrallë edhe nja dy gisht rreshta. Kur në të vërtetë ai dhe brezi i tij: “… zgjeruan shumë diapazonin tematik, që thelluan fondin realist dhe që e ngritën në një nivel më të lartë cilësinë ideoartistike…”

Më tej, po për këtë shkrimtar thuhet … “Në këtë kuadër, gjithashtu, duhet parë edhe kontributi i shkrimtarëve më me stazh si M. Kuteli, Arif Gjyli, M. Zaloshnja, që bënë një punë të mirë për popullarizimin e letërsisë së pasur të popullit për fëmijë, ose përmes ritregimit, në formë të përshtatshme, të rapsodive dhe baladave të moçme shqiptare, ose përmes përpunimit të përrallave popullore dhe tregimeve të tjera të kësaj natyre. Në traditën e re hyn edhe kriteri i vlerësimit, tek i cili u mbështetën shkrimtarët B. Dedja, M. Gurakuqi, Arif Gjyli, M. Zaloshnja dhe N. Jorgaqi për të mbledhur dhe redaktuar vepra të disa autorëve të shquar të së kaluarës për fëmijë”. Dhe për të vijuar mendimin e mësipërm, me atë që një studiues tjetër e quan absorbim të folklorit, gjejmë nga ai këtë formulim, formulim që gjen mbështetje në marrëdhëniet të ndërsjelltë të krijimit letrar dhe folklorit: “Një pjesë shumë e konsiderueshme e vjershave me subjekt ose e poemave të De Radës, Darës, Serembes, Sakos, Çaçit, Jakovës, Siliqit, Balës, Qafëzezit, Çomorës, Gjylit e më vonë akoma Agollit, Kadaresë, Arapit, Dedes, Beqarajt e Gjokutajt, dëshmojnë për lidhjet e qëndrueshme të poezisë sonë për fëmijë me folklorin, për absorbimin që i kanë bërë të gjithë këta poetë folklorit për nevojën e përhershme që ata kanë ndier për t’u dhënë fëmijëve të brezave të ndryshëm vargje, ku njomështia dhe shpirti popullor të ndihen me po atë forcë që i ka edhe populli”.

Në mes shumë studiuesve, gjykimet dhe interpretimet e Prof. Vehbi Balës për këtë model krijuesi, sikur kanë hyrë më në thellësi të procesit krijues të tij, gjë që kanë sjellë më njohje dhe interpretim të veprës letrare. Mendoj se edhe sot, ata janë aktuale në shikimin dhe zbërthimin e figurës së Arif Gjylit në këtë lëmë letrar, lëmë që mbart vlera bashkëjetuese e bashkudhëtuese. Kjo është arsyeja që, studiuesi i mirënjohur i Letërsisë për fëmijë dhe të rinj Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi në veprën e tij, me të drejtë ndihmesën letrare si parësore të shkrimtarit Arif Gjyli e vendos te kapitulli “Përshtatja dhe rikrijimi”, ku e pozicionon vlerësueshëm dhe meritueshëm, duke e lidhur emrin e tij me lëvrimin e këtyre dy zhanreve (veçanërisht me të parin), qëllimi i të cilit, (dhe të tjerëve krijues që u morën me këto dy zhanre) është: “… që ta bëjnë të kuptueshme e të këndshme për lexuesin e vogël një krijim madhor të folklorit ose një vepër të shquar të letërsisë për të rriturit”.

Hulumtimet tona për këtë figurë që, (shkëlqimi, denigrimi dhe heshtja jetuan brenda shpirtit dhe jetës së tij të ndershme) si brez i parë që krijuan traditën e re të letërsisë shqipe për fëmijë, na flasin se në periudha të ndryshme kohore studiuesit, kur kanë dhënë mendime për veprat e Arif Gjylit, pothuaj vëmendjen e kanë përqendruar më shumë te libri “Trimat e Jutbinës”. Ky interesim, mendoj, se duhet pranuar.

Nga një vështrim i hedhur në rrafshin historik të procesit të zhvillimit të kësaj letërsie, emri i Arif Gjylit i takon të jetë nga të parët që lëvron përshtatjen dhe rikrijimin, këto dy zhanre, që ende përbëjnë një traditë të re botimi në Shqipëri. Mendimi im përkon me atë të një poeti të mirënjohur, i cili thotë: “Është meritë e Arif Gjylit që, me veprën e tij më të mirë “Trimat e Jutbinës”, nisi nga të parët traditën e rrëfimeve të shkruara në bazë të ciklit tonë të mrekullueshëm të kreshnikëve, …”. Ndërsa për dy veprat e tjera të këtij autori: “Historia e dhelpnës plakë”. dhe “Djathtas, majtas 1, 2, 3”, janë më në periferi nga ana e kritikës sonë letrare. Edhe atëherë kur është dhënë mendimi për to, më shumë ka ngjasuar me ato rrezet e vagëlluara të diellit vjeshtak, që ndoshta kishin nisur t’i përjetonte pak e pak trishtueshëm edhe vetë shkrimtari, jeta dhe koha e të cilit, dikur ishte ëndërrimtare… Për librin “Djathtas, majtas 1, 2, 3” mund të themi se disa nga poezitë e kësaj vepre poetike zgjojnë interes pranimi në tekste shkollore e antologji.

Me të drejtë, nga disa studiues të kohës, është thënë se, “Trimat e Jutbinës” është vepra më e arrirë artistikisht e shkrimtarit Arif Gjyli. Kjo vepër zgjoi dhe interes diskutimi për kohën kur u botua.

Sipas studiueses dhe bibliografes Faire Tabaku kjo vepër shfaq disa marrëdhënie e disa rrafshe vlerash. Në mënyrë të përmbledhur autorja e shkrimit nënvizonte këto:

* Libri “Trimat e Jutbinës” i A. Gjylit doli në qarkullim në tremujorin e fundit të vitit 1960.

* Brendia e tij është vetë Eposi popullor, janë rapsoditë e Veriut, këngët e bukura të kreshnikëve që populli ynë i ka përcjellë gojë më gojë gjatë shekujve.

* Fëmijët i kanë shumë qejf veprat fantastike dhe me aventura… Ja, pra, pse libri “Trimat e Jutbinës” u bë i dashur për fëmijët.

* Suksesi i librit qëndron në subjektin e tij.

* Burimi kryesor i librit është Eposi i Veriut. A. Gjyli ka ditur të zgjedhë disa nga më të bukurat, që u përshtatën më tepër veçorive të moshës së fëmijëve, që janë më afër psikologjisë së tyre.

* A. Gjyli për të shkruar librin “Trimat e Jutbinës” është mbështetur në dy botime “Visaret e Kombit” 1937 dhe “Këngët popullore legjendare” 1955.

* Në këto tregime mëshihet dëshira për pamvarësi. (Jutbina bëhet simbolikë e trimërisë, e lirisë, e vlera dhe e virtyteve të shqiptarëve – nënvizimi im, Xh. B.).

* Në tregimet paraqiten qartë dhe në mënyrë të gjallë të gjitha karakteristikat e shqiptarit, si: besa e Zanave e Orëve dhe e kreshnikëve, trimëria dhe burrëria e tyre… besëtytnitë e popullit tonë; doket, miku, dashuria dhe nderi i familjes, trimëria etj.

*Vetë A. Gjyli thotë se duke u dhënë për botim këtë libër është nisur nga dëshira që t’u bëjë të njohur fëmijëve disa nga rapsoditë e bukura të Veriut, t’i përgatisë ato që t’i shijojnë në origjinal.

Duke mos iu larguar problemit që po trajtojmë rreth krijimtarisë së shkrimtarit Arif Gjyli, një studiues që e njeh mirë veprën e këtij autori, thotë se: “Aspekt i veçantë i mbështetjes së shkrimtarëve te folklori ishte, ndër të tjera, përshtatja për të vegjlit e pjesëve nga cikli i kreshnikëve. Disa nga këngët më të bukura të rapsodive të Veriut përfshihen në librin “Trimat e Jutbinës” (1959) e A. Gjylit. Autori i mblodhi dhe i përpunoi ato me kujdes, duke ruajtur vlerat origjinale të tyre… Gjatë përpunimit të motiveve, autori ka ruajtur veçoritë e ligjërimit popullor, si përdorimin e fjalive të shkurtra e të ngjeshura me mendim, përforcimin e ideve dhe të veçorive të personazheve me anë të përsëritjes dhe të rimarrjes së situatave, përzgjedhjen e shprehjeve dhe të figurave karakteristike për krijimtarinë gojore të popullit, etj. Mirëpo, përshtatja në prozë e Eposit të kreshnikëve, solli në shumë raste humbje të ritmit të veprimit, si dhe dobësim të forcës shprehëse të gjuhës e të figurave artistike të origjinalit”.

“Trimat e Jutbinës” e kapërcyen me “trimëri” kohën kur u shkrua. Autori ruajti më shumë se një marrëdhënie me Këngët Kreshnike. Reflektimin shumë kuptimor e shumë shtresor e gjeti autori duke pasur parasysh këto vlera të krijuara që më parë, por duke i shtuar edhe vlerat që i përçoi në libër, siç janë:

* “Veprat janë krijime popullore-gojore dhe mbajnë shenjat e thella të kësaj forme në strukturë e në destinim. Duke qenë vepra kolektive, që rrinë të gjalla në kohë, ato kanë në vete edhe shenja të kohëve të ndryshme”.

*“… në Kangët kreshnike gjithëçka është e mundshme, ngase e thëna bazohet në mrekullitaren dhe në fantastiken”.

* “Këto këngë, prandaj, e japin ndodhinë, apo ngjarjen të figuruar, nëpërmjet një procesi krijues të tregimit, përshkrimit dhe sigurimit”. (gjithashtu nënkupto dhe “Trimat e Jutbinës”).

Vepra jeton dhe sot. Kjo është vlerë e veprës. Për arsye se, autori i ruajti hapësirat e Jutbinës. I njohu mirë dhe i dashuroi. Ashtu siç i përftoi me ndjesinë e shkrimtarit, ashtu edhe i dhuroi si “Jutbinë” krijimtarie. Mbi këtë bazë, optika e sotme e rileximit na thotë se, vepra e Arif Gjylit i mbarti dhe i ruajti vlerat përmes një fenomeni të njohur, siç ishte ai i marrëdhënies mes letërsisë së shkruar shqiptare dhe folklorit e letërsisë gojore (ekuilibër që e ruajti artistikisht si në formë, strukturë e veçanërisht në përmbajtje – nënvizimi im, Xh. B.).

Në mënyrën e perceptimit dhe të paraqitjes në shtjellimin artistik, ashtu siç e theksuam më lart, shkrimtari preferoi përshtatjen.

Vepra “Trimat e Jutbinës” ka shenjën dhe koherencën e saj. Nocioni kohor, nocion që shoqëron veprën mbetet një marrëdhënie që duhet parë e studiuar. Për këtë problem studiuesi Jorgo Bulo thotë: “Në qoftë se me “Tregimet e moçme shqiptare” M. Kuteli, duke çelur rrugë në prozë, ritregoi me një ndjenjë të hollë artistike subjektet dramatike të këngëve të ciklit heroik dhe legjendar, stilizimet e disa prej tyre dhe motive të shkëputura formojnë bazën e subjekteve të shumë krijimeve në prozë, sidomos për të vegjël, por edhe për të rritur.

Rëndësia e këtyre krijimeve (të N. Priftit, A. Gjylit, M. Zeqos etj.) qëndron në radhë të parë në popullarizimin e traditës folklorike dhe në pohimin e mundësive të saj për të ushqyer zhvillimin e prozës së re me subjekte dhe ide që e ruajnë aktualitetin edhe në kohën tonë dhe i shërbejnë edukimit të brezit të ri me virtyte morale të trashëguara nga të parët edhe përmes folklorit.

Por, ndërmjet kësaj mënyre të shfrytëzimit të motiveve të eposit heroik, që u mbetet besnike subjekteve tradicionale dhe mënyrës tjetër, ku subjektet folklorike shërbejnë vetëm si pikënisje për të ndërtuar një ngrehinë të re artistike, qëndron një mënyrë e tretë, ajo e integrimit të motiveve të ndryshme të këngëve të eposit në subjekte që s’kanë asnjë lidhje me kontekstin social-historik të ciklit, të cilit i përkasin ato motive”.

Në optikën tonë të rileximeve sollëm në kujtesë veprën “Trimat e Jutbinës” të shkrimtarit Arif Gjyli, edhe për një arsye tjetër, se “Brezave të rinj ai do të vazhdojë t’u rrëfejë për “Trimat e Jutbinës”. Si gjysh i mirë ai do t’u tregojë vogëlushëve “Historinë e dhelpnës plakë”, kurse në përmbledhjen me vjersha për fëmijë “Djathtas, majtas 1, 2, 3!” do t’u flasë për stinët e bukura të Atdheut tonë të shtrenjtë, …”.