LAJMI I FUNDIT:

Ardern bën thirrje për luftë globale ndaj racizmit

Ardern bën thirrje për luftë globale ndaj racizmit

Kryeministrja e Zelandës së Re ka bërë thirrje për një luftë globale për çrrënjosjen e ideologjisë raciste pas sulmit vdekjeprurës të javës së kaluar në dy xhami në Christchurch.

Në një intervistë për BBC, Jacinda Ardern hodhi poshtë idenë se rritja e emigracionit po nxit racizmin.


“Kam përgjegjësi për të pastruar mjediset ku ekziston racizmi dhe të sigurohem që kurrë të mos krijojmë një mjedis ku mund të lulëzojë”, deklaroi ajo.

Kryeministrja shfrytëzoi rastin që të bënte një thirrje globale për të luftuar racizmin.

“Ajo që Zelanda e Re përjetoi ishte dhunë e ngritur kundër nesh nga dikush që u rrit dhe mësoi ideologjinë e tij diku tjetër. Nëse duam të sigurohemi globalisht për krijimin e një bote të sigurt, tolerante dhe gjithëpërfshirëse, ne nuk mund të mendojmë për këtë në aspektin e kufijve”, vijoi ajo.

Ndryshe, 50 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet me armë të së premtes.

Funeralet e para, të një babai nga Siria dhe djalit të tij, u zhvilluan të mërkurën.

Qindra njerëz u mblodhën në një varrezë pranë Qendrës Islame Linwood në Christchurch, një nga dy vendet e adhurimit që ishte shënjestër e sulmuesit.

Australiani 28-vjeçar, Brenton Tarrant është akuzuar për vrasje.