Alvaro Arbeloa ka dalë në mbrojtje të Jude Bellinghamit, ndërsa për Vinicius Junior ka shprehur dëshirën që braziliani të vazhdojë të shkruajë histori me Real Madridin.

Të dy yjet e madrilenëve kanë qenë në qendër të kritikave të ashpra javët e fundit, si nga një pjesë e tifozëve të Real Madridit ashtu edhe nga mediat spanjolle. Situata kulmoi në mesjavë, kur Bellingham reagoi drejtpërdrejt ndaj kritikëve pasi shënoi gol në fitoren bindëse 6-1 ndaj Monacos në Ligën e Kampionëve.


Pikërisht përpara përballjes së Real Madridit me Villarrealin në LaLiga, Arbeloa ka zgjedhur të flasë hapur për mesfushorin anglez, duke theksuar kënaqësinë që ka pasur duke punuar me të.

“Është radha ime të flas për atë që kam përjetuar. Në ndeshje me të, madje edhe në seancat stërvitore, ai ka treguar aftësinë e tij, teknikën, lidershipin dhe karakterin”.

“Përpjekja që ai ka bërë ka qenë e jashtëzakonshme; ka mentalitet fitues, i ka të gjitha cilësitë që i duhen një lojtari të Real Madridit. Jam shumë i kënaqur me të”.

Nga ana tjetër, Vinicius Junior ishte një nga protagonistët kryesorë ndaj Monacos, duke kontribuar me dy asistime dhe një gol. Megjithatë, e ardhmja e tij në “Santiago Bernabeu” vazhdon të shoqërohet me pikëpyetje.

“Nuk është në dorën time, kjo është një çështje mes klubit dhe lojtarit. Sigurisht që shpresoj të vazhdojë të bëjë histori këtu”.

Në kampionat, Real Madridi ndodhet vetëm një pikë pas Barcelonës dhe Arbeloa beson se skuadra ndodhet në një moment vendimtar të sezonit./Telegrafi

telegrafi sport app