LAJMI I FUNDIT:

Aprovohet Rregullorja për riintegrimin e personave të riatdhesuar

Aprovohet Rregullorja për riintegrimin e personave të riatdhesuar

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën janë miratuar vendime nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të ekzekutivit.

Vendimi i parë që ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, ishte vendimi për ndryshimin e qëllimit të përdorimit dhe shfrytëzimit të kompleksit banesor kolektiv-afarist “Hade dhe Hade 2” në Obiliq, i ndërtuar nga Buxheti i Republikës së Kosovës, i cili destinohet për nevoja të banimit social, dëshmorëve, kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, veteranëve, viktimave të dhunës seksuale dhe personave tjerë me nevoja të veçanta nga këto kategori.


Sipas këtij vendimi, 50% e njësive banesore do të destinohen për banim social dhe 50% tjera për nevojat e banimit të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale dhe personave tjerë me nevoja të veçanta.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin sipas të cilit do të obligojë të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të përdorin Sistemin Elektronik të Shpronësimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Rregullorja për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Menaxhimin e Programit të Riintegrimit.

Miratimi i kësaj rregulloreje është edhe plotësimi i njërit nga kriteret e marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizmin e vizave.

Kjo rregullore ka për qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Republikën e Kosovës, si dhe të mbështesë zbatimin e Strategjisë për Riintegrim  të Personave të Riatdhesuar.

Ajo, po ashtu, definon organet kompetente vendimmarrëse, zbatuese dhe koordinuese, dhe gjithashtu përcakton edhe procedurat dhe kriteret për përfitimet dhe ndihmën që gëzojnë të riintegruarit. Me këtë rregullore personat e riatdhesuar mund të jenë përfitues të ndihmës dhe mbështetjes në asistencë për vetëpunësim, përkatësisht financim i planbizneseve, pavarësisht datës së largimit të tyre.

Kjo rregullore ka rëndësi edhe në rrafshin e përshpejtimit të rekomandimit, përkatësisht marrjes së datës për liberalizimin e vizave.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për nevoja të blerjes së skanerëve. /Telegrafi/