LAJMI I FUNDIT:

Anulohet seanca e sotme për “Llaskarcën”, rasti në procedurë dëshmuese

Anulohet seanca e sotme për “Llaskarcën”, rasti në procedurë dëshmuese

Për shkak të gjendjes shëndetësore të njërit prej gjykatësve në rastin “Llaskarca”, është anuluar seanca e sotme gjyqësore. Diskutimi i radhës është caktuar për më 15 tetor.

Avokati Deljo Kadiev, i cili është pjesë e mbrojtjes në këtë rast, për AIM tha se për shkak se bëhet fjalë për lëndë të madhe, akoma zgjat gjykimi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Prokuroria ka përfunduar me prezantimin e dëshmive. Në seancat e fundit u dëgjuan ekspertë të propozuar nga i akuzuari i parë. Ajo zgjati katër-pesë ditë. Kishte shumë pyetje. Tani vijojnë propozimet nga i akuzuari i dytë”, tha avokati Kadiev.

Në procesin e deritanishëm gjyqësor për aksidentin tragjik të autobusit “Durmo Tours” në rrugën Tetovë-Shkup, në afërsi të fshatit Llaskarcë, janë prezantuar shumë dëshmi verbale dhe materiale.

Disa nga dëshmitarët kanë thënë se do të kërkojnë dëmshpërblim material nga të akuzuarit. Ndërsa disa kanë kërkuar vetëm kompensim të harxhimeve mjekësore.

Ndryshe, sipas ekspertëve që kanë dëshmuar si të propozuar nga ana e Prokurorisë, kanë thënë se shoferi i autobusit në momentin tragjik ka drejtuar autobusin me shpejtësi 99 km/h, ndërsa e lejuar ka qenë 80 km/h për autobusë të rëndë 15 ton.

Gjykimin për këtë rast e udhëheq gjykatësja Diana Ilievska-Gruevska, ndërsa akuzën e përfaqëson prokurori Darko Jakimovski.

Për aksidentin që ndodhi më 13 shkurt të këtij viti në fshatin Llaskarcë, në të cilën humbën jetën 16 person, ndërsa 37 ishin me lëndime të rënda, janë akuzuar gjashtë persona./Telegrafi/