Në vitin 1989, Komsomolets-i u fundos pranë brigjeve të Norvegjisë. Katër vjet më vonë, BBC-ja raportoi mbi planet për të izoluar silurat e saj me plutonium toksik.

Nga: Fiona Macdonald / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


Komsomolets-i është një bombë me sahat që vazhdon të numërojë në fund të Detit Norvegjez. Dhe, nëse nuk bëhet diçka për këtë - dhe nëse nuk bëhet shpejt - të gjithë jemi në rrezik”. Kështu e përshkroi aktivisti rus i Greenpeace-it, Dimitri Litvinov - në një reportazh të BBC-së të vitit 1993 - rrezikun që paraqiste një nëndetëse sovjetike bërthamore e fundosur.

E shtrirë në fund të detit, në një thellësi prej një milje (1,6 kilometra), pranë brigjeve të Norvegjisë - pasi një zjarr kishte shkaktuar fundosjen e saj katër vjet më parë - Komsomolets-i kishte ngjallur shqetësim ndërkombëtar. Dy silura me mbushje bërthamore në brendësi të saj po gërryheshin, duke rrezikuar çlirimin e nëntë paundëve (katër kilogramë) plutonium në Detin Norvegjez.


Në projektimin e Komsomolets-it u përdor teknologjia më e përparuar sovjetike, dhe ajo ishte unike për thellësitë që mund të arrinte. NATO priste që ajo të ishte e para e një klase nëndetësesh të mëdha sulmuese, por nuk u ndërtua asnjë mjet tjetër lundrues i këtij lloji. Sipas një dokumentari të BBC-së të vitit 1994, “Komsomolets-i do të ishte arma sekrete e pathyeshme e Bashkimit Sovjetik, e vetmja nëndetëse në botë e aftë të lundronte dhe të lëshonte raketa bërthamore nga një thellësi prej një mijë metrash [0,62 milje], dy herë më thellë sesa mund të veprojnë nëndetëset perëndimore. Sot Komsomolets-i është një katastrofë teknike dhe shkencore”.

Kur shpërtheu zjarri, më 7 prill 1989, ekuipazhi arriti ta nxirrte nëndetësen në sipërfaqe - por, ajo u fundos pasi qëndroi pesë orë mbi ujë, duke vrarë 42 nga 69 anëtarët e ekuipazhit. Teksa po fundosej, një kapsulë shpëtimi nxori në sipërfaqe pesë detarë të bllokuar, por vetëm njëri prej tyre arriti të dilte prej saj përpara se kapsula të mbushej me ujë.

Kur Komsomolets-i preku fundin e detit, pranë brigjeve të Norvegjisë, një shpërthim çau trupin rezistent prej titani të nëndetëses dhe bëri që uji i detit të binte në kontakt me silurat bërthamore. Një mision kërkimor i oqeanografëve rusë zbuloi se pjesë të trupit të nëndetëses “ishin plasur dhe ishin copëtuar nga shpërthimi, si qelqi”.

Pas katastrofës, shkencëtarët ishin të ndarë për atë se çfarë duhej bërë. Shkencëtari rus Igor Spassky, nga Instituti Rubin - që kishte projektuar Komsomolets-in - i tha Ben Brownit të BBC-së më 1993 se situata nuk ishte katastrofike, megjithëse ai dëshironte që nëndetësja të nxirrej nga deti. “Brenda një dekade, dy mbushjet bërthamore në anije do të jenë gërryer plotësisht nga një reaksion elektrokimik që përfshin ujin e kripur ... dhe, plutoniumi tepër toksik do të dalë nga silurat e dëmtuara dhe do të përhapet në mjedis”, i tha ai Institutit Detar të ShBA-së.

“Sipas ambientalistëve”, tha Brown në reportazhin e tij për BBC-në, “nëse kjo ndodh, marinarët që humbën jetën këtu nuk do të jenë viktimat e vetme të Komsomolets-it. Jeta e shumë njerëzve të tjerë, thonë ata, do të vihej në rrezik, sepse zonat e pasura të peshkimit këtu do t'i nënshtroheshin një ndotjeje të tmerrshme”. Megjithatë, një raport i publikuar në vitin 1993 nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh, arriti në përfundimin se nëndetësja nuk kishte gjasa për të ndotur zonat e peshkimit.

Pavarësisht pikëpamjeve kundërthënëse për rreziqet që paraqiste, u bënë përpjekje për të zbutur ndotjen e mundshme. Operacionet inxhinierike në thellësi të detit, të kryera ndërmjet viteve 1995 dhe 1996, vulosën çarjet në trupin e nëndetëses dhe tubat e silurave për të izoluar materialin radioaktiv. Puna përfundoi 30 vjet më parë, në korrik 1996. Por, hetimet e qeverisë norvegjeze kanë zbuluar që atëherë se nëndetësja vazhdon të ketë rrjedhje - dhe, materiali izolues pritej të zgjaste vetëm 30 vjet.

Një raport i publikuar në mars të vitit 2026 zbuloi se, ndonëse silurat mbeten të izoluara, reaktori po degradohet duke lëshuar herë pas here në det shtëllunga të dukshme materiali radioaktiv. Ekipi i Autoritetit Norvegjez për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe për Sigurinë Bërthamore (DSA) tha se rrjedhja nuk është e vazhdueshme, por ndodh në shpërthime të herëpashershme nga pika të caktuara përgjatë trupit të nëndetëses, me një “re” që depërton nga një kanal ajrimi.

Megjithatë, ata nuk besojnë se nivelet aktuale janë të dëmshme. “Çlirimet radioaktive nga reaktori ... kanë pasur pak ndikim në mjedisin detar përreth”, thotë Ingar Amundsen, drejtor i përkohshëm i Departamentit për Sigurinë dhe Mbrojtjen Bërthamore Ndërkombëtare në DSA.

Megjithatë, kjo mund të ndryshojë - pasi si reaktori bërthamor i nëndetëses, ashtu edhe silurat me mbushje bërthamore paraqesin rrezik - sipas Hans Kristensenit, drejtor i Projektit të Informacionit Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë. Gërryerja e nëndetëses, me kalimin e kohës, mund të ndikojë në nivelet aktuale të rrezatimit, i tha ai BBC-së. “Kjo varet nga faktorë të tjerë, si niveli i oksigjenit në ujin e detit përreth dhe brenda rrënojave të nëndetëses, si dhe nga gjendja e materialit izolues”.

Ai përmend gjithashtu ndryshimin e rrymave detare si një faktor që ndikon në shpejtësinë me të cilën materialet radioaktive mund të çlirohen nga rrënojat, dhe të hyjnë potencialisht në zinxhirin ushqimor nëpërmjet organizmave që ushqehen në fund të detit dhe peshqve. “Fakti që nëndetësja është izoluar tashmë një herë, është një pranim zyrtar i atij rreziku”, shton Kristenseni.

“Lënda djegëse bërthamore është në kontakt të drejtpërdrejtë me ujin e detit dhe po degradohet”, thotë Amundseni. “Duhet të kryhen punë të mëtejshme për të kuptuar mekanizmat që qëndrojnë pas çlirimeve, proceset e gërryerjes që po zhvillohen dhe pasojat e tyre për çlirime të mëtejshme”. Por, kjo nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti. “Thellësia ku ndodhet nëndetësja, afro 1 700 metra, e bën të vështirë zbatimin e çdo mase zbutëse, dhe për momentin nuk kemi dijeni për ndonjë plan të tillë”.

Kristenseni argumenton se duhet bërë më shumë. “Së paku, duhet të organizohet një ekspeditë e re për të përcaktuar gjendjen aktuale. Me një gjysmëjetë prej 24 mijë vjetësh, plutoniumi i mbushjeve bërthamore do të mbetet një rrezik i mundshëm për një kohë të pacaktuar, sipas standardeve njerëzore”. /Telegrafi/