LAJMI I FUNDIT:

Analistët serbë: Vuçiq nuk mund të shkëputet prej Putinit, as nuk do të largohet kurrë prej tij

Analistët serbë: Vuçiq nuk mund të shkëputet prej Putinit, as nuk do të largohet kurrë prej tij

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq për vite të tëra u përpoq të përfitonte politikisht nga lidhjet e tij të ngushta me Moskën, gjë që e ndihmoi atë të ruante pushtetin. Thashethemet kinse për prishje të marrëdhënieve u shfaqën në fillim të luftës në Ukrainë, kur kjo “miqësi” pushon së qeni e dëshirueshme. Të paktën publikisht.

Pas kësaj vjen një kthesë e lehtë në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës. Mirëpo, lind pyetja nëse marrëdhënia mes Vuçiqit dhe presidentit rus Vladimir Putin mund të prishet kaq lehtë dhe a është e gjitha vetëm një shfaqje ndryshe për publikun?

Sreqko Gjukiq, diplomat dhe ish-ambasador në një prononcim për mediet serbe thekson se është i bindur se ka komunikim mes Beogradit dhe Moskës dhe se kjo shihet nga disa lëvizje të Vuçiqt që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Jam i bindur se mes Beogradit dhe Moskës ka komunikim. Natyrisht, sot mund ta kemi të vështirë ta vërtetojmë këtë, por nuk është diçka që nuk mund të ‘kapet’ dhe të vërtetohet se ekziston”, thekson Gjukiq.

Ai shton se nuk ka rëndësi nëse ai komunikim është i drejtpërdrejtë apo kalon nëpër kanale të veçanta.

“Sidoqoftë, nga veprimet e caktuara të Vuçiqit shohim se kjo është rezultat i mbështetjes së Moskës. Për shembull, kur bëhet fjalë konkretisht për çështjen e Kosovës, edhe pse Moska është e thellë e zhytur në probleme, pyetja e vërtetë është se kujt mund t’i ndihmojë”, shton ai.

I pyetur nëse mendon se presidenti i Serbisë nuk mund të shkëputet nga ai “përqafim”, Gjukiq përgjigjet se rrënjët e kësaj gjenden në politikën radikale të partisë së Vuçiqit.

“Mendoj se është një përqafim ideologjiko-politik. Duke marrë parasysh rrënjët e partisë që ai drejton, ato rrënjë gjenden në politikën radikale dhe politika radikale në Serbi ka qenë gjithmonë e lidhur me nënën Rusi me një kordon kërthizor. Unë absolutisht mendoj se Vuçiq nuk mund të shkëputet prej Putinit dhe as që do të largohet ndonjëherë prej tij. Pavarësisht nëse është Kosova apo diçka tjetër. Nëse nuk është Kosova, do të ketë diçka tjetër”, thotë Gjukiq.

Vuçiq: Gjithmonë konsultohem me Putinin

Vetë Vuçiq ka folur në disa raste për faktin se ai konsultohet rregullisht me presidentin e Rusisë.

“Unë gjithmonë konsultohem me presidentin Putin dhe kërkoj këshillën e tij. Unë e njoh atë dhe nuk gënjej, po e them të vërtetën. Edhe pse jo gjithmonë i pëlqen gjithçka. Mendoj se kjo është një nga gjërat që Putini e respekton shumë”, kishte thënë Vuçiq për mediet ruse.

Është gjithashtu interesante të kujtojmë deklaratën e fundit të gazetarit austriak Kristijan Versiq, se në dhjetor të 2021-së, ai mësoi nga Vuçiq se Rusia do të sulmonte Ukrainën.

“Jo sepse presidenti Putin më tha gjë, kuptova se çfarë do të ndodhte në Ukrainë. Ai gjithmonë ndante 45 minuta për të folur për Ukrainën dhe më pas nuk foli as për tre minuta. Kjo më mjaftoi. Kur çdo herë ai ka nevojë për të shpjeguar dhe atëherë nevoja nuk ekziston më, do të thotë se vendimi është marrë. Nuk mund të flisja kaq hapur, por thashë pa mëdyshje se pres të ndodhin ndryshime të mëdha”, ka thënë presidenti serb.

Takime sekrete

Kur filloi lufta në Ukrainë, këto kontakte u ndërprenë përkohësisht. Të paktën zyrtarisht. Deri në maj 2022, kur Vuçiq dhe Putin folën në telefon dhe u pajtuan për nënshkrimin e një kontratë të re për furnizim me gaz.

Ndërkohë, dolën informacione për disa “takime sekrete” me njerëz të afërt me udhëheqjen ruse.

Pasi dështoi ideja që ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov të vizitonte Beogradin, në një kohë kur ai tashmë ishte nën sanksionet e BE-së, Vuçiq u takua me të në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky takim ishte tentuar të fshihej nga sytë e publikut serb.

Kështu, portali Nova ka zbuluar se Vuçiq është takuar fshehurazi me zëvendësin e Lavrovit, Aleksandar Grushka.

“Çfarë do të doja të fshihja? Ndoshta për të shpëtuar Serbinë. Le të themi se ata ia dolën mirë. Pra, pse më denoncove? Pse e denoncuat presidentin e vendit tuaj? Çfarë jeni ju, informatorë profesionistë? Të dashur miq në Perëndim, ky [Vuçiq] donte t’ju fshehë diçka”, tha Vuçiq pasi ishte publikuar ky informacion.

Jo shumë kohë pas kësaj, Vuçiq u takua edhe me këshilltarin e liderit çeçen Ramzan Kadyrov, Turk Daudov. Për këtë takim, opinioni serb kishte mësuar nga vetë Daudovi, i cili u mburr me dhuratën që i bëri nikoqirit të tij në Beograd.

Në faqen zyrtare të Presidencës serbe nuk kishte asnjë lajm për takimin dhe as një deklaratë për medie.

Urdhër arresti për Putinin nga Haga

Kjo është arsyeja pse deklarata e Vuçiqit se ishte sëmurë pasi dëgjoi lajmin se Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi ​​një urdhër për arrestimin e Putinit nuk është befasuese.

“Për pak e humba vetëdijen kur më treguan lajmin. Një gomar kaq i madh, që peshon gati 120 kilogramë, sepse e di se çfarë do të thotë për vendin tonë”, tha ai në një fjalim para qytetarëve në Mitrovicë të Sremit.

Ai tha gjithashtu se ky vendim tregon se Perëndimi është i gatshëm të shkojë deri në fund për të gjithë ata që nuk kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, si dhe se ata që flirtojnë me Putinin do të kenë pasoja të rënda.

“Kur e them këtë, jam i vetëdijshëm për situatën me të cilën do të përballemi”, ka shtuar ai.

Duke folur për këtë, profesori në pension i Fakultetit Filozofik, Zharko Koraq, ka thënë për mediet serbe se kjo është për shkak se Vuçiq e sheh Putinin si një politikan të madh dhe të rëndësishëm.

“Ky qëndrim ndaj tij vazhdon që nga koha kur ai ishte në Partinë Radikale. Nacionalistët serbë historikisht u mbështetën në Rusi, megjithëse Serbia kishte edhe nacionalistë pro-perëndimorë. Vuçiq u trondit kur zbuloi me vonesë se Putini është thjesht një politikan, ylli i të cilit në skenën ndërkombëtare është zbehur përgjithmonë për shkak të luftës në Ukrainë. Romakët e lashtë do të thoshin: kështu kalon lavdia e botës”, shpjegon Koraq.

“Është një goditje e re ndaj politikës së Serbisë, e cila nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë”, përfundon ish-zëvendëskryeministri serb. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Evropa
Duke ecur në plazhin e Essexit, britanikja gjeti një dhëmb vigani 1.8 milion vjeç

Duke ecur në plazhin e Essexit, britanikja gjeti një dhëmb vigani 1.8 milion vjeç

Botë
Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Amerika
Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Kroacia
Kalo në kategori