LAJMI I FUNDIT:

Analistët parashikojnë rezultatin e zgjedhjeve të së dielës

Analistët parashikojnë rezultatin e zgjedhjeve të së dielës

Analistët dhe disa nga përfaqësuesit e mediave kanë diskutuar në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini për rezultatin e zgjedhjeve, disa orë para heshtjes zgjedhore.përdorimin e rrjeteve sociale në fushatën zgjedhore të këtij viti.

Vehbi Kajtazi nga Insajderi ka thënë se sipas tij fituese do të jetë LDK.


“Bazuar në fushatën, në mitingjet e partive politike, në frymën që është krijuar, tashmë veç po dihet se fituese do të jetë LDK-ja. LDK do të jetë e para besoj, pa parashikuar rezultatin sa do të jetë fitorja”, ka thënë ai.

Analistja Luljeta Aliu, ka thënë se LDK dhe VV janë shumë afër ndërsa sipas saj PDK duhet të pushojë.

“Në fillim LDK ka pasur një hapje shumë më të mirë, ka investuar më shumë, diçka që më herët iu ka munguar, 700 mijë euro kanë shpenzuar në fushatë. Pastaj PDK 440 mijë, VV 300 mijë. Pra ka qenë luftë e ashpër s ai përket fushatave. Është bërë një kampanjë shumë më shumë se herëve tjera. Vitin 2017 PDK ka qenë më e fortë. Edhe pse PDK i ka katër kompani të huaja që punojnë në fushatën e saj, edhe partitë tjera janë forcuar. LDK ka dalë shumë mirë, ndërsa te VV mungon ajo pjesa që kaluan në PSD, prapë nuk është keq. Me sloganet “Erdhi Dita’ për këtë, apo për atë, prapë nuk është keq, por tubimet e zbehta më janë dukur. Tani krejt varet në tubimin përmbyllësh, sepse shumë njerëz nga diaspora janë aktivizuar, dhe po e shohin mundësinë që kjo parti të fitoj. LDK dhe VV janë shumë afër, PDK ka nevojë të pushojë pak. Edhe AAK-ja ka qenë mirë në përgjithësi, por në krahasim me luftën e këtyre trijave është nën hije”, ka thënë ajo.

Bekim Kabashi nga Reporteri ka thënë se në këto zgjedhje në opozitë e sheh PDK-në dhe VV-në.

“Me më shumë gjasa në Qeveri e shoh LDK dhe AAK, ndërsa në opozitë i shoh PDK dhe VV si front opozitar. Pra i shoh në qeveri LDK dhe AAK shkaku i formulave të koalicioneve zgjedhore. Ndërsa në bazë të sondazheve më me shumë gjasë pritet që LDK të dal e para. Pra qeverisja e ardhshme do të jetë LDK-AAK-PSD ka mundësi edhe Nisma, ndërsa opozita e ardhshme PDK-VV”, ka theksuar ai.

Ndërsa Astrit Gashi nga gazeta Blic ka thënë se LDK është favorite për t’i fituar zgjedhjet me 26 për qind.

“Mendoj që favorit për t’i fituar zgjedhjet është LDK, por me çfarë rezultati nuk e di por mendoj 25 deri 26 për qind. Diferenca mes partive tjera mendoj që ka me qenë 4 deri në 5 për qind. Nëse hyjmë tek analizat e partive politike përveç LDK-së që ka arritur ta rris standardin që e ka pasur nuk ka mundur të dal përtej këtij. VV në anën tjetër është ndëshkuar pak nga kandidatura e LDK-së, posaçërisht Vjosa Osmani, nuk besoj që VV ka gjasa ta marr vendin e parë. PDK e ka marrë hovin, është ristrukturuar në teren mjaftueshëm, por nuk mendoj që ky riorganizim do ta qes në vendin e parë. Do ta sjell PDK-në në një përqindje të votave të dinjitetshme, potencialisht e dyta ku mendoj që garon me VV-në. AAL-PSD mendoj që do ta kenë rritjen më të madhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014. Qajo rritje do të shkojë deri tek 18 apo 20 për qind”, është shprehur ai.

Kurse analisti Armend Muja ka folur për komunat të cilat mund t’i fitojnë partitë.

“PDK i ka të sigurta Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderaj, Gllogoc, Shtime, Kaçanik. Dragash. LDK i ka të sigurta Podujevën, Fushë Kosovën, Istogun, Vitin. LVV e fiton Gjilanin. Nisma e fiton Malishevën. AAK-PSD, e ka Deçanin, Junikun, Gjakovën, Obiliqin. Komunitetet e fitojnë Zubin Potokun, Zveçanin, Parteshin, Ranillugun,Novobërdën, Graçanicën. Do të thotë fiton LDK me 26 për qind, pastaj vV me 24 për qind dhe PDK me 24 për qind”, ka thënë ai.

Ndërsa Arton Demhasaj nga ‘Çohu’, ka thënë se LDK është e para.

“LDK ka qenë e mirë në tubime, PDK,në teren, VV në rrjete sociale dhe në teren, AAK-PSD në teren dhe në debate televizive dhe Nisma është një parti që do ta kaloj pragun. E shoh që LDK është e para por diferenca mes të parës dhe të katërtës nuk besoj që shkon më shumë se deri në 4 për qind”, ka thënë ai.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se afër fitores janë LDK dhe VV.

“Duke u bazuar në tubimet nëpër Kosovë po demantohen. Shembull ditën e parë të hapjes së zgjedhjeve e kemi parë një tubim të madh të LDK-së ndërsa sot e përmbysi VV-ja. Aty ku po synojnë partitë të ruajnë votën, dhe po frikësohen që mund ta humbasin votën është Gjilani. Po ashtu janë fokusuar edhe në Prizren sidomos PDK dhe VV. Më së afërmi fitores është LDK dhe LVV dhe nuk mendoj që dallimi me tyre mund të jetë i madh”, ka thënë ai.

Ilir Mirena, ka thënë se për shkak të ngushtësisë së sondazheve dhe mënyrës se si është bërë fushata, të gjitha partitë kanë pasur mobilizim të jashtëzakonshëm.

“Mendoj që kur ka filluar fushata ka filluar sikurse gara në atletikë në 100 metra. Janë duke shkuar si paralelisht deri sot. Ka shumë faktor këtu, si diaspora, pastaj tek sondazhet më bënë përshtypje mostra dhe respodentët, ku nuk arrihet të preket një pjesë e madhe e popullsisë që është më e margjinalizuara. Pastaj të papërcaktuarit si kjo pjesa e nënpunësve qoftë në gjykata  që nuk deklarohen për kë do të votojnë. Pra fushata e ka bërë garën shumë të afërt”, ka thënë ai.

Mirëpo sipas analistëve këto sondazhe prapë ndryshojnë, duke u bazuar edhe në sondazhet e publikuara nga organizata të ndryshme./Telegrafi/