LAJMI I FUNDIT:

Analistët kritikojnë ashpër deportimin e Boiken Abazit

Analistët kritikojnë ashpër deportimin e Boiken Abazit

Përballë deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, analistët Nexhmedin Spahiu, Astrit Gashi dhe Dardan Islami, duke komentuar deportimin e sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, kanë shprehur hapur mospajtimin e tyre me këtë vendim të organeve të rendit.

Spahiu ka thënë se deportimi i Abazit nuk tingëllon aspak mirë, marrë parasysh raportet që Kosova dhe Shqipëria kanë, njofton Klan Kosova.


“Në relacionet e Kosovës me Shqipërinë, kur një qytetar i ndonjërit shtet, në këtë rast i Shqipërisë, deportohet – sado që kjo mund të jetë kërkesë e Edi Ramës, nuk tingëllon mirë”, tha Spahiu.

Nga ana e tij, Gashi e ka cilësuar “banal” dhe “qesharak” largimin nga vendi të anëtarit të Vetëvendosjes.

“Nuk jam pajtuar shumicën e kohës me zotin Abazin, por arsyetimi për deportimin e Abazit sa është banal aq edhe qesharak. Vërehet se Kosova është më liberale për nga prania e shqiptarëve të Shqipërisë në Kosovë qoftë në politikë, qoftë në biznes”, tha Gashi.

Ndërsa Islami ka qenë edhe më i ashpër me këtë veprim, duke e quajtur “kidnapim” dhe veprim krejtësisht të papranueshëm e të panevojshëm.

“Nuk më habit një pushtet me këto veprime. Rasti i Boikenit është kidnapim, me shpall një person non-grata në ditë të sotit është diçka e rrezikshme, kjo bëhet kur ke lidhje me organizata terroriste, por të depërtohet për bindje politike dhe ideologjike është e papranueshme”, tha Islami.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Boiken Abazi u arrestua në mënyrë arbitrare dhe pa iu dhënë mundësia për t’u mbrojtur.

Kurti e ka vënë theksin tek arsyetimi i arrestimit të Abazit nga organet e rendit, pasi nuk ka ndonjë padi penale ndaj tij, njofton Klan Kosova.

“Është e keqe se si Boikeni ndalet nga persona civilë pa asnjë urdhërarrest, pa ia dhënë mundësinë ta thërras ambasadën e Shqipërisë, pa ia dhënë mundësinë për t’u mbrojtur”, tha Kurti.

“Ajo çka më ka bërë përshtypje te arsyetimi që nuk është i tillë thuhet se prania e Boiken Abazit përbën rrezik për Republikën e Kosovës. Prania është rezultat i të qenurit jo i të bërit. Nuk ekziston ndonjë padi penale ndaj tij”.

Deputeti Kurti ka thënë se shpejtësia me të cilën u ekzekutua vendimi për arrestim në Abazit ishte “shokuese”, ndërsa për bindjen e tij ka thënë se deportimi ishte me porosi politike.

“Shpejtësia për ta vënë në fuqi këtë vendim është shokuese për ne. Duket që është një deportim i porositur politikisht”, tha ai.