LAJMI I FUNDIT:

Analistët komentojnë kritikat e presidentit Thaçi ndaj shteteve të QUINT-it

Analistët komentojnë kritikat e presidentit Thaçi ndaj shteteve të QUINT-it

Dy ditë pas Samitit të Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, në përpjekje për t’u dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perëndimor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka kursyer kritikat e tij ndaj shteteve të QUINT-it.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e dytë për media pas kthimit nga Berlini, kritikoi shtetet e QUINT-it se nuk kanë treguar unitet sa i përket arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Ramush Tahiri për Telegrafin tha se presidenti Thaçi ka plotësisht të drejtë me kritikat e tij ndaj Evropës.

“Bashkimi Evropian nuk i ka kryer obligimet e veta ndaj Kosovës sepse edhe BE edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas luftës i kanë pasur misionet me të fuqishme në Evropë dhe Kosova ka mbetur jashtë liberalizimit të vizave, në kohën kur e ka Gjeorgjia dhe Ukraina që nuk e kontrollojnë vetë territorin e vet, dhe ku me pasaportat që i japin ata mundet gjithë Rusia të hyjë”.

Thaçi kritikon vendet e Quintit për mosunitet rreth marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi
Lexo po ashtu Thaçi kritikon vendet e Quintit për mosunitet rreth marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi

“Vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë qëndrim unik ndaj Kosovës. Më shumë se 10 vjet jemi shtet, dhe ende pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe ende i japin shpresë Serbisë që statusi mund të ri-negociohet dhe i japin shprese presidentit Vuçiq që të kërkojë ndryshim të kufijve, ose marrjen e një pjese të Kosovës si kompensim për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri

Tahiri deklaroi së kosovarët kanë qenë viktima në luftën me Serbinë, dhe nuk po gëzojnë asnjë të drejtë tash.

“Çdokush që e kritikon Evropën ka të drejtë, sepse procesin për Kosovën nuk po e çojnë deri në fund, dhe është një proces që po na detyrojnë të bisedojmë me Serbinë për çështje të tjera dhe jo vetëm për njohje”.

“Është një proces që Kosova ka mbetur pa liberalizim të vizave, ndërsa Serbia e cila e ka bërë luftën dhe ka kryer gjenocid. e ka liberalizimin, kurse kosovarët që kanë qenë viktima, nuk kanë të drejtë as per shkollim as për arsimim jashtë vendit. Nuk ka faj Kosova, por ka faj Evropa, e cila nuk po i thotë Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës në kufijtë që janë dhe jo t’ju thotë që ata do pajtohen me marrëveshjen që do të arrijnë palët. Serbia po vë kushte duke i përdorur serbët lokalë, për ta prishur sistemin e Kosovës”, është shprehur Tahiri për Telegrafin.

Kurse, Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK e vlerësoi mbajtjen e Samitit të Berlinit.

Ai tha për Telegrafin se në Samit u rikonfirmua qëndrimi gjerman për çështjen e kufijve të Kosovës.

“Është më rëndësi që në Samitin e Berlinit u rikonfirmua qëndrimin gjerman se çështja e Kosovës e Serbisë duhet të zgjidhet në kufijtë ekzistues, një herë e mirë të vdes ideja e prekjes së kufijve dhe shkëmbimit të territoreve”.

“Prandaj mendoj se kur kemi të njëjtën anë të medaljes se Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë duhet të presim një marrëveshje pozitive për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, tha ai.

Taulant Kryeziu, instituti EPIK

Tahiri tha  se zgjidhja e raporteve me Serbinë duhet të bëhet me një marrëveshje e cila i përfundon këto raporte me serbët, dhe të mos i mbetet barrë gjeneratave tjera.

“Unë e shoh moment pozitiv mbajtjen e këtij Samiti, dhe gjithmonë duke respektuar frymën, të cilën e ka përshkruar Gjermania si përkrahëse e perspektives evropiane të Kosovës dhe Ballkanit, që e ardhmja e këtyre vendeve ne BE duhet të jetë kur Serbia ta njohë Kosovën. Dhe kushti që i ka bërë Gjermania Serbisë që pa e njohur Kosovën nuk mund të behët anëtare e BE-së, është e rregulluar edhe në kuadër të kapitujve negociues”, deklaroi ai.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para mediave tha se ai do të vazhdojë t’i bëjë thirrje shteteve të QUINT-it që të tregojnë unitet sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Dhe ky dialog të përfundojë me marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Përpjekjet tona të përbashkëta për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse janë injoruar. Faktori ndërkombëtarë në mënyrë specifike, vendet e QUINT-it nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje unike në përpjekjet tona për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundonte me njohje reciproke. Ky mosunitet ka pasur reflektime negative në sferën lokale por edhe atë ndërkombëtare. Unë vazhdoj të jem ai që bënë thirrje që ky unitet mes shteteve të Quintit të ndërtohet, sepse ai unitet i tyre do të mund të sjelltë një fuqizim dhe angazhim edhe në Kosovë por edhe në Serbi në mënyrë që të jetë një marrëveshje e pranueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese e që do të përfundonte me njohje reciproke”, ka deklaruar Thaçi.

Theksojmë se  Kosova  në Samitin e Berlinit është përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Kalo në kategori