Please enter at least 3 characters.

Bullgaria shkruan historinë duke fituar për herë të parë Eurovisionin: Gjithçka që ndodhi në natën finale të edicionit të 70-të të festivalit evropian

Bullgaria në 'Eurovision 2026'
(Foto: Eurovision.tv)

(E plotësuar): Të shtunën e 16 majit u mbajt finalja e Eurovision 2026, një prej ngjarjeve më të mëdha evropiane të industrisë së muzikës.

Spektakli u zhvillua drejtpërdrejt nga “Wiener Stadthalle” në Vjenë të Austrisë, vendi që e mirëpriti edicionin e këtij viti pasi kishte fituar vitin e kaluar.

Në këtë mbrëmje të madhe u ngjitën në skenë plot 26 shtete, të cilat garuan për të fituar trofeun e këtij viti, ndërsa Shqipëria u prezantua nga Alis me këngën “Nan”, i cili e renditi Shqipërinë në vendin e 13-të në këtë finale.

Telegrafi ju mbajti të informuar në kohë reale për zhvillimet e fundit, hap pas hapi, gjatë kësaj finaleje të madhe.

Ndërkohë, fituese e këtij edicioni u shpall Bullgaria, e përfaqësuar nga artistja DARA me këngën “Bangaranga”.

Eurovision Song Contest 2026 - Grand Final - Live from Vienna | Vote at esc.vote 🗳️www.youtube.com

17/05/2026 01:10-Rezultatet finale të 'Eurovision 2026'

Këto janë rezultatet finale të 26 shteteve që ishin pjesëmarrëse në finalen e 'Eurovision 2026'.

Në vendin e parë u rendit Bullgaria, duke shkruar histori me fitoren e parë në këtë kompeticion, pasuar nga Izraeli në vend të dytë dhe Rumania në vend të tretë.

Shqipëria e përfaqësuar nga Alis me këngën "Nan", përfundoi në vendin e 13-të me gjithsej 145 pikë.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

17/05/2026 01:00-Bullgaria fiton 'Eurovision 2026'

Shteti i Bullgarisë ka fituar për herë të parë në historinë e tij festivalin më të madh evropian të muzikë, Eurovision.

Me gjithsej 516 pikë, Bullgaria u rendit në vendin e parë, pasuar nga Izraeli në vendin e dytë me 343 pikë dhe Rumania në vendin e tretë me 296.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

17/05/2026 00:51-Shqipëria merr rezultatin final: 85 pikë nga publiku

Shqipëria e përfaqësuar nga Alis ka marr 85 pikë nga publiku, të cilat bashkëngjitur me ato të jurisë të cilat ishin 60 pikë, në total Shqipëria e përfundon këtë garë me 145 pikë.

Këto pikë i sigurojnë shtetit shqiptar një renditje dinjitoze, por larg mundësisë për të fituar apo për t'u renditur në Top 5.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

17/05/2026 00:45-Fillon zyrtarisht prezantimi i rezultateve nga votimi i publikut

Është momenti që tani më të bëhen të ditura rezultatet e votave të publikut.

Këto pikë do t'i bashkangjiten pikëve të jurisë në proporcion 50:50, ku edhe do të arrihen rezultatet finale.

17/05/2026 00:43-Përfundon votimi i jurisë: Bullgaria në vend të parë deri më tani

Ka përfunduar zyrtarisht votimi i jurive profesionale nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të 'Eurovision 2026'.

Nga rezultatet e deritanishme kryeson Bullgaria në vend të parë, pasuar nga Australia në vend të dytë dhe Danimarka në vend të tretë.

17/05/2026 00:22-Voton Shqipëria: 12 pikë për Italinë

Juria profesionale shqiptare ka prezantuar votat e tyre përmes korrospodentit të Radio Televizionti Shqiptar, Andri Xhahu.

Pikët maksimale (12), Shqipëria ia dha Italisë, 10 Norvegjisë dhe tetë Izraelit.

Me shtatë pikë juria shqiptare ka votuar Çekinë, me gjashtë Maltën, me pesë Danimarkën, katër Francën, me tre pikë Bullgarinë, dy Greqinë dhe me vetëm një pikë Australinë

17/05/2026 00:08-Fillon votimi i jurive profesionale nga secili shtet

Të gjitha shtetet me lidhje direkte nga televizioni i tyre publik kanë nisur me prezantimin e pikëve të dhëna nga juritë e tyre profesionale.

Këtyre pikëve në fund iu bashkangjiten votat e publikut, për të marrë në fund rezultatin final.

17/05/2026 00:00-Mbyllet zyrtarisht televotimi!

Evropë, ndaloni së votuari tani!

Ka përfunduar zyrtarisht tashmë koha e përcaktuar në dispozicion për publikun që përmes votave, të vendosnin se kush ishte fituesi.

Të gjithë përfaqësuesit e shteteve mbeten në ankth deri sa të zbulohet rezultati përfundimtar i kalkulimit të votava 50:50 nga juria dhe publiku.

16/05/2026 23:46-Performanca speciale në natën finale

E gjersa publiku janë duke votuar dhe juritë profesionale nga secili shtet po vendosin pikët e tyre, audienca është argëtuar me disa pika speciale nga të ftuar specialë.

Ndër ta edhe këngëtarët fitues të Eurovisionit si: Aleksandar Ribak, "Lordi", Ruslana, Verka Serdjočka..., të cilët kanë interpretuar disa nga këngët që shënojnë historinë e 70-vjetorit të këtij festivali.

16/05/2026 23:23-Si votohet në finalen e 'Eurovision 2026'

Fituesi i finales zgjidhet me kombinimin e votës së publikut dhe pikëve të jurive profesioniste në raport 50:50. Publiku mund të votojë përmes aplikacionit zyrtar të Eurovision Song Contest, me SMS ose me telefonatë në numrat që shfaqen në ekran gjatë transmetimit.

Sipas rregullave, nuk lejohet votimi për përfaqësuesin e vendit ku ndodheni, ndërsa diaspora shqiptare jashtë vendit mund të votojë për Shqipërinë duke përzgjedhur kodin 05 për Alis dhe këngën “Nan”. Po ashtu, edhe shikuesit nga shtete që nuk marrin pjesë në garë mund të votojnë online përmes esc.vote, dhe votat e tyre llogariten si “Rest of the World”.

16/05/2026 23:23-Gara përfundoi, tani vendos publiku

Ka përfunduar pjesa garuese e finales së 'Eurovision 2026', pasi në skenë u prezantuan të gjitha shtetet finaliste. Tashmë vëmendja është te votimi, i cili ka nisur më herët gjatë mbrëmjes dhe ende vazhdon.

Shqipëria u prezantua nga Alis me këngën “Nan”, me kodin 05. Telegrafi vijon t’ju sjellë përditësime LIVE për çdo zhvillim deri në shpalljen e fituesit.

16/05/2026 23:17-Austria e mbylli finalen e madhe të 'Eurovision 2026'!

Si nikoqire e edicionit jubilar, të 70-tit, Austria u ngjit e fundit në skenë (e 25-ta me radhë) me COSMÓ dhe këngën “Tanzschein” (“Shkëlqimi i vallëzimit”), duke vendosur vulën në mbrëmjen finale.

COSMÓ solli një elektro-pop me identitet të fortë vizual, ku performanca u dominua nga efektet e dritave dhe lazerët, duke krijuar një atmosferë spektakolare në 'Wiener Stadhalle' të Vjenës.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 23:15-Rumania u prezantua e parafundit në finale

Rumania u rikthye në skenën e 'Eurovision 2026' pas dy vitesh pauze, duke u ngjitur në skenë si përfaqësuesja e parafundit e mbrëmjes së madhe.

Vendi u përfaqësua nga këngëtarja 22-vjeçare Aleksandra Kapitanesku me këngën “Choke Me” (“Më mbyt”). Kënga trajton një marrëdhënie toksike, presionin emocional dhe ndjesinë e humbjes së vetes brenda dashurisë.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 23:13-Norvegjia u prezantua e 23-ta me “YA YA YA”

Norvegjia u ngjit në skenën e 'Eurovision 2026' si e 23-ta me radhë, e përfaqësuar nga JONAS LOVV me këngën “YA YA YA”.

Bëhet fjalë për një këngë moderne dance-pop, me refren të fortë dhe atmosferë tipike festivali, që synon të ngrejë publikun në këmbë. Performanca u karakterizua nga ritmi i shpejtë dhe energjia e lartë në skenë.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 23:05-Italia “çmend” sallën në Vjenë me "Per sempre sì"

Italia u ngjit në skenën e 'Eurovision 2026' me Da Vinçin, i cili u prit me reagim të fortë nga publiku në 'Wiener Stadhalle'. Ai interpretoi këngën “Per sempre sì” (“Përgjithmonë po”), duke sjellë një atmosferë të ngrohtë e emocionale.

Kënga është thellësisht e rrënjosur në traditën e kanconës napolitane, të njohur për temat romantike dhe melankolike. Megjithatë, Da Vinçi – artist 57-vjeçar i rritur në Napoli – i ka shtuar edhe elemente moderne, duke e bërë interpretimin të tingëllojë klasik, por njëkohësisht aktual.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 23:01-Qipro përfaqësohet nga Antigoni me një performancë energjike

Qipro u prezantua nga Antigoni, e cila u shfaq me një kostum sfidues dhe një performancë shumë energjike në skenën e 'Eurovision 2026'. Ajo u dallua që në daljen e parë, duke sjellë ritëm dhe karizëm në interpretim.

Antigoni ka nisur herët karrierën, pasi që në moshë të re ka nënshkruar kontratë me një shtëpi të madhe produksioni. E lindur në Londër, ajo përfaqëson Qipron me këngën “Yalla”, një këngë me vibe të fortë ritmik dhe atmosferë feste.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:56-Suedia u prezantua e 20-ta me “My System” nga Felisija

Suedia u prezantua nga Felisija me këngën “My System”, e përshkruar si një numër modern elektro-pop me nuanca techno, i menduar për të dominuar pistat e vallëzimit.

Kënga është krijuar gjatë një kampi ndërkombëtar muzikor në Islandë, ndërsa pas saj qëndron një ekip autorësh nga Suedia, Danimarka dhe Norvegjia. Performanca ruajti stilin nordik, me ritëm të fortë dhe produksion të pastër elektronik.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:56-Lituania vjen me “skulpturën e gjallë” në skenë

Lituania u prezantua nga Lajon Ceka, i cili në Vjenë solli një nga performancat më të kërkuara teknikisht në historinë e garës. Elementi kryesor ishte një “skulpturë e gjallë”, që shpërbëhej gradualisht në skenë gjatë interpretimit të këngës “Sólo Quiero Más”.

Vetë artisti, emri i vërtetë i të cilit është Tomas Alenčikas, ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një skenografi të zakonshme. Performanca u ndërtua si një koncept i plotë vizual, duke e kthyer numrin e tij në një nga më të komentuarit e mbrëmjes.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:47-Polonia prezantohet me "lutje" në finalen e 'Eurovision 2026'

Pas sigurimit të vendit në finalen e 'Eurovision 2026' në Vjenë, përfaqësuesja e Polonisë Alisija Šemplinjska u ngjit në skenë me këngën “Pray” (“Lutje”).

Ndërsa bastoret i japin shanse minimale për fitore, disa analistë besojnë se ajo mund të jetë një nga surprizat e mbrëmjes, falë interpretimit dhe potencialit për të marrë mbështetje nga publiku.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:42-Finlanda - ndër favoritët e këtij edicioni, përfundojnë mes duartrokitjesh performancën e tyre në finale

Finlanda u prezantua e 17-ta me radhë në finalen e 'Eurovision 2026' dhe konsiderohet si favoriti kryesor i këtij edicioni. Në skenë u shfaq një dyshe e pazakontë: violinistja e njohur botërisht Linda Lampenius (56) dhe ylli i pop-it Pete Parkonen (36).

Kënga e tyre “Liekinheitin” u soll si një baladë e fuqishme që ndërthur elemente të rock-ut, muzikës klasike dhe dance, duke krijuar një kombinim që po përshkruhet si unik në historinë e fundit të Eurovisionit. Pas kësaj këngë fshihet edhe një rrëfim më i errët, që i jep performancës një ngarkesë emocionale edhe më të madhe.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:38-Moldavia prezantohet me "Viva Moldova" në finale të ESC 2026

E 16-ta me radhë në skenën e 'Eurovision 2026' ishte Moldavia, e cila u prezantua me këngën “Viva Moldova”.

Reperi Satoshi solli një performancë të shpejtë dhe shumë energjike, ndërsa teksti i këngës është i fokusuar te identiteti kombëtar dhe ndjenja e bashkimit.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:32-Franca prezantohet suksesshëm nga Monroe

Franca u prezantua në skenën e 'Eurovision 2026' nga Monroe me këngën “Regarde !” (“Shiko!”). Ajo u shfaq si një nga përfaqësueset më të reja në moshë këtë vit, duke tërhequr vëmendje që në paraqitjen e parë.

Franca prej vitesh sjell shpesh këngë me atmosferë të fortë artistike dhe me frymën e shansonit francez, por të paketuar në një formë më moderne. Monroe e vazhdoi këtë traditë edhe sonte, me një interpretim që ruan identitetin francez, por me tingull bashkëkohor.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:30-Mbretëria e Bashkuar me një paraqitje interesante këtë vit

Në skenën e 'Eurovision 2026' u prezantua edhe Mbretëria e Bashkuar me projektin e pazakontë LOOK MUM NO COMPUTER dhe këngën “Eins, Zwei, Drei” (“Një, dy, tre”).

Britania bën pjesë në “Big Five”, ndaj është kualifikuar direkt në finale, ndërsa në historinë 70-vjeçare të Eurovisionit ka fituar pesë herë. LOOK MUM NO COMPUTER njihet për muzikë elektronike eksperimentale dhe instrumente të pazakonshme që i ndërton vetë, çka e bëri performancën të dukej me qëllim kaotike, e çuditshme dhe ndryshe.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:29-Kroacia prezantohet nga grupi "Lelek" të 13-tët me radhë në finale

Kroacia u prezantua në skenën e 'Eurovision 2026' me grupin “Lelek”, një formacion prej pesë vajzash, të cilat interpretuan këngën “Andromeda”.

Sipas raportimeve, kënga është shkruar nga këngëtarja serbe Zorja Pajić, e cila megjithatë nuk ka qenë pjesë e delegacionit në Vjenë, për shkak të rregullave dhe numrit të kufizuar të akreditimeve.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:28-Bullgaria përfundon me sukses prezantimin

Në skenën e 'Eurovision 2026' u ngjit edhe Dara nga Bullgaria, e cila së fundmi është ngjitur në vendin e tretë në bastore dhe konsiderohet si një nga favoritët kryesorë të këtij edicioni.

Ajo interpretoi këngën e shpejtë “Bangaranga” me një performancë shumë energjike, të cilën publiku në sallë e priti me reagime të forta. Paraqitja e saj skenike po vlerësohet si një nga më ambiciozet vizualisht, ndërsa kënga mbështetet në një tingull elektro-pop të fuqishëm me atmosferë klubesh.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:13-Çekia, e njëmbëdhjeta!

Çekia u prezantua nga Danijel Zizka me këngën “Crossroads”, një baladë moderne që flet për vendime të mëdha jetësore dhe momentet kur njeriu duhet të zgjedhë rrugën që do të ndjekë.

Në vitet e fundit, Çekia është shndërruar në një shtet që shpesh sjell këngë bashkëkohore, me tingull “radio-friendly”, duke synuar të jetë lehtë e dëgjueshme dhe e pranueshme për publikun e gjerë.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:11-Ishulli i Maltës prezantohet me suksesi nga AIDAN në finale

Malta u prezantua nga AIDAN, një nga artistët e rinj më të njohur në vend, i cili u ngjit në skenën e 'Eurovision 2026' me shumë energji.

Ai interpretoi këngën “Bella” (“E bukura”), duke sjellë një tingull pop të lehtë, të gëzueshëm dhe “radio-friendly”, që u përcoll mirë edhe në sallë.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 22:11-Grupi serb prezantojnë shtetin e tyre, të nëntën me radhë

E nënta me radhë në skenën e 'Eurovision 2026' ishte Serbia, e përfaqësuar nga grupi Lavina.

Ata interpretuan këngën “Kraj tebe”, me një paraqitje skenike të zakonshme dhe kostume të rënda, ndërsa u cilësua si një performancë e thjeshtë dhe pa ndonjë gjë të veçantë

16/05/2026 22:09-E teta me radhë, Australia

Australia e përfaqësuar nga Delta Goodrem, një nga emrat më të mëdhenj të këtij edicioni të 'Eurovision 2026'. Ajo është kantautore e njohur me karrierë ndërkombëtare, por edhe aktore.

Delta interpretoi këngën “Eclipse”, e cila flet për një dashuri që mund të “errësojë” plotësisht arsyen. Kënga vjen si një baladë pop me zhvillim dramatik dhe momente të fuqishme vokale.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:52-Ukraina prezantohet e shtata nga LELÉKA me “Ridnym”

Ukraina u prezantua nga këngëtarja LELÉKA, e cila solli performancën me të cilën synon fitoren në 'Eurovision 2026'. Ajo interpretoi këngën “Ridnym”.

Ukraina konsiderohet një nga shtetet më të suksesshme në Eurovision dhe pothuajse gjithmonë sjell këngë e performanca që ndërthurin tingullin modern me elemente të identitetit kombëtar.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:47-Akilas prezanton Greqinë, i gjashti me radhë në finale

I gjashti me radhë u ngjit në skenë Greqia, e përfaqësuar nga Akilas, një nga favoritët kryesorë të 'Eurovision 2026'. Ai u prit me një britmë të jashtëzakonshme nga publiku sapo u shfaq në skenë.

Akilas solli një performancë shumë energjike me këngën “Ferto”, duke “ndezur” sallën me veshjen e tij me motive tigri dhe çizmet e pazakonta “me qime”, që u bënë menjëherë në sy.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:40-Shqipëria shkëlqen edhe në finale - performancë drithëruese nga Alis

youtu.be

- YouTube

Pas një paraqitje të suksesshme në gjysmëfinalen e dytë, Shqipëria është prezantuar denjësisht edhe në mbrëmjen finale.

Këngëtari shkodran Alis, performoi "Nan" për publikun evropian, duke drithëruar shikuesit me performancën e tij dhe fuqinë vokale.

Shqipëria mban kodin 05, për të gjithë ata që duan ta votojnë sonte.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:34-Belgjika performon e katërta në finalen e ESC 2026

youtu.be

- YouTube

E katërta me radhë në skenën e 'Eurovision 2026' është Belgjika, e përfaqësuar nga e reja dhe e talentuara Esila.

Ajo u shfaq me një mini fustan të verdhë me lidhëse dhe solli shumë energji në performancën e këngës “Dancing on the Ice”, duke elektrizuar sallën me paraqitjen e saj.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:32-Përfaqësuesi i Izraelit ngjitet në skenë i treti me këngën “Mišel”

youtu.be

- YouTube

I treti në rend ka qenë Izraeli, i përfaqësuar këtë vit nga Betan. Ai interpretoi këngën “Mišel”, e cila flet për çlirimin nga një lidhje e pashëndetshme, ndërsa teksti ndërthuret në tri gjuhë dhe është shkruar nga Nadav Aharoni, Slil Klifi dhe Juval Rafael.

Muzika është kompozuar nga Aharoni dhe Klifi, duke sjellë një baladë të fuqishme që, sipas disa kritikëve, ndërthur frymën e muzikës franceze të viteve ’70 me një produksion modern. Reagimet e kritikëve dhe fansave kanë qenë të ndara, por shumë e kanë vlerësuar si “emocionale dhe të fuqishme”, duke veçuar interpretimin karizmatik dhe vokalin e Betanit.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:28-Gjermania prezantohet e dyta

youtu.be

- YouTube

Gjermaninë e prezantoi Sara, e cila u shfaq si një “frymë e re” në skenën e 'Eurovision 2026'. Ajo interpretoi këngën “Fire”, e shoqëruar me një koreografi energjike dhe elemente “të zjarrta” në skenë.

Sara është një artiste me përvojë, e cila u bë e njohur në vitin 2011 si nënkampione e “Deutschland sucht den Superstar”. Ajo ka publikuar gjashtë albume studio dhe ka fituar edhe në formate televizive si “Dancing with the Stars” dhe “Your Face Sounds Familiar”, ndërsa “Fire” kombinon pop modern me një produksion shpërthyes dance.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:25-Filloi! Danimarka hap e para finalen e 'Eurovision 2026'

youtu.be

- YouTube

Përfaqësuesi i Danimarkës, Seren Torpegard Lund, u prezantua në skenën e 'Eurovision 2026' me këngën “Før Vi Går Hjem” (“Para se të shkojmë në shtëpi”).

Ai konsiderohet pjesë e gjeneratës së re të kantautorëve danezë, i njohur për tekstet introspektive dhe produksionin e qetë skandinav, duke krijuar edhe sonte një atmosferë intime në një skenë të madhe.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:23-Alis me një mesazh special për shqiptarët e Kosovës para performancës në finale

Pak para nisjes së finales së 'Eurovision 2026', ku Shqipëria përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, artisti ka falënderuar shqiptarët e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka bërë thirrje për votim.

“Faleminderit të gjithë shqiptarëve të Kosovës për mbështetjen. Ju ftoj të votoni sonte për numrin 05”, u shpreh ai, duke shtuar se është optimist për paraqitjen në natën finale.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:21-Hapje spektakolare

Edicioni i 70-të i Eurovisionit është hapur me një ceremoni spektakolare, ku u interpretua kënga fituese e vitit të kaluar "Wante Love" nga JJ.

Me një koreografi dhe ndriçim skenik, festivali evropian pati një hapje tejet madhështore.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 21:11-Shqipëria performon e pesta sonte në finalen e madhe

Shqipëria e përfaqësuar nga artisti Alis, do të prezantohet e pesta me radhë në mesin e 26 shteteve finaliste.

Kënga "Nan" pritet të impresionojë publikun, ashtu siç ndodhi edhe në natën e dytë gjysmëfinale.

Si rrjedhojë, shqiptarët anë e mbanë botës që duan të votojnë për Shqipërinë sonte, duhet ta bëjnë duke dërguar kodin 05 në numrat përkatës të secilit shtet.

16/05/2026 21:07-Prezantohen shtetet, Alis me flamurin shqiptar në skenën evropiane

Ka filluar me një ceremoni spektakolare hapja e festivalit të madh evropian të këngës, 'Eurovision Song Contest 2026'.

Siç e do tradita, në fillim të mbrëmjes u prezantuan të gjitha shtetet nga këngëtarët që i përfaqësojnë vendet e tyre në këtë garë.

Këngëtari shkodran Alis i cili prezanton Shqipërinë me këngën "Nan", valviti flamurin kombëtar duke parakaluar në prezantimin e artistëve.

16/05/2026 21:00-Nis zyrtarisht finalja e 'Eurovision 2026'

Ka nisur zyrtarisht mbrëmja finale e edicionit jubilar, të 70-tit, të 'Eurovision 2026'. Në një hapje spektakolare në 'Wiener Stadhalle' të Vjenës në Austri, prezantuesit Victoria Swarovski dhe Michael Ostrowski i dhanë start spektaklit drejtpërdrejt.

Atmosfera në sallë është elektrizuese, ndërsa 26 shtete pritet të ngjiten në skenë për të garuar për trofeun e këtij viti. Telegrafi ju sjell përditësimet LIVE, hap pas hapi, gjatë gjithë natës.

16/05/2026 20:21-Grupi që përfaqëson Kroacinë merr dhuratë një "hajmali" nga Luka Modric

Pak para nisjes së finales së 'Eurovision 2026', në dhomën e konferencës u vu re një detaj interesant te delegacioni i Kroacisë. Në tavolinën e tyre ishte shpalosur një dhuratë e veçantë: fanella e Luka Modrić, e dërguar si “hajmali” për fat.

Kroacia përfaqësohet nga grupi i vajzave “Lelek” me këngën “Andromeda”, ndërsa sipas basteve renditet në vendin e 15-të.

16/05/2026 19:57-Rusia mund të rikthehet në Eurovision?

Martin Green, drejtues ekzekutiv i Eurovisionit, ka deklaruar se Rusia mund të rikthehet “teorikisht” në garë, nëse transmetuesi shtetëror rus VGTRK do të dëshmonte pavarësi nga Kremlini dhe do të përmbushte rregullat e EBU-së. Ai shtoi se pezullimi i Rusisë nuk ishte vendim i lidhur drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë, por me statusin e transmetuesit.

Deklarata ka nxitur reagime të ashpra në Britani, ku deputetë si Tom Gordon e quajtën “frikacakëri morale”, duke thënë se Rusia mund të kthehet edhe teksa lufta vazhdon. Ndërkohë, artikulli thekson se edicioni i sivjetmë në Vjenë po shoqërohet edhe me polemika për pjesëmarrjen e Izraelit, me bojkot nga disa transmetues dhe fishkëllima gjatë performancës, ndërsa Green tha se rasti i Izraelit është i ndryshëm për shkak të mungesës së “konsensusit global”.

16/05/2026 19:07-Votimi ende i hapur për shtetet jo pjesëmarrëse

Shtetet që nuk janë pjesëmarrëse në finale, që në Eurovision identifikohen si pjesa tjetër e botës mund të votojnë online përmes faqes esc.vote.

Edhe Kosova është në listën e shteteve jo pjesëmarrëse, me çka shqiptarët e Kosovës kanë mundësi të votojnë vetëm në këtë mënyrë.

Kjo mënyrë e votimit është e hapur vetëm sonte deri në orën 21:00, pra para fillimit të spektaklit.

16/05/2026 18:37-Gjithçka që duhet të dini për finalen e 'Eurovision 2026'

Ngjarja e Eurovisionit përcjellet me një mal zhvillimesh dhe ngjarjesh përgjatë një spektakli tre orësh.

Telegrafi ka publikuar një artikull përmbledhës, për t'ju informuar më në detaje të asaj se çfarë duhet të dini për festivalin më të madh të muzikës.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 18:18-Telegrafi voton ekskluzivisht për Çmimin e Medias

Sonte, në kuadër të finales së 'Eurovision 2026', do të ndahen tri çmime speciale të njohura si Çmimet Marcel Bezençon. Njëra nga kategoritë kryesore është “The Media Award” (Çmimi i Medias), që i ndahet këngës më të mirë sipas votimit të mediave të akredituara nga mbarë bota.

Këtë vit, Telegrafi.com është akredituar zyrtarisht nga Eurovisioni dhe ka marrë pjesë në procesin e votimit për këtë çmim prestigjioz. Përveç “The Media Award”, ndahen edhe “The Artistic Award” (votuar nga komentatorët për performancën më të mirë artistike) dhe “The Composer Award” (zgjedhur nga kompozitorët finalistë), ndërsa ceremonia e çmimeve zhvillohet para nisjes së spektaklit final.

Lexo lajmin e plotë duke klikuar këtu.

16/05/2026 18:11-Lista e plotë e shteteve finaliste

Kjo është renditje zyrtare e performancave të shteteve që garojnë sonte në finalen e 'Eurovision 2026'.

Shqipëria është e pesta në garë, me çka për t'u votuar do të duhet që shqiptarët nga shtetet e tjera të dërgojnë kodin 05 në numrat përkatës.

16/05/2026 18:09-"Të bashkuar nga muzika" për jubileun e 70-të të Eurovisionit

Sivjet, 'Eurovision 2026' në Vjenë vjen me sloganin “United by Music - in the Heart of Europe (Bashkuar nga muzika - në zemër të Evropës)”, një moto që e thekson edhe më shumë frymën bashkuese të festivalit në jubileun e 70-të të organizimit.

Ky mesazh ndërtohet mbi sloganin e përhershëm “United by Music” të vendosur nga EBU (Unioni i Transmetuesve Evropianë), ndërsa i shton një “prekje” lokale Austrisë, duke e vendosur garën në zemër të Evropës.