Nga: Blerim Shala (botuar për herë të parë në revistën kulturore “Sheshi” më 1997)

Nëse qëndron një ditë në një vend të huaj, mund të shkruash libër për atë vend. Nëse qëndrimi yt në atë vend përthekon një muaj, atëherë rrëfimi për këtë vend do të zërë hapësirën e një kaptine libri. Më në fund, po qe se të ndodhë që në këtë vend të huaj të kalosh një vit të tërë, për të mezi do të mund të lidhësh disa fjali në vetëm një faqe libri.

Këto këshilla nuk janë mësim amerikan. Në të vërtetë, kanë lidhje me amerikanët: një udhërrëfyes somalez, me këto fjali ua dëshironte mirëseardhjen oficerëve dhe diplomatëve amerikanë në misionin e tyre të “Mëkëmbjes së shpresës” (siç quhej operacioni ushtarak amerikan në Somali në vitin 1993). Siç dihet, pamjet në CNN të renxherëve të vrarë amerikanë, ndikuan që Shtëpia e Bardhë të marrë vendim që t’i kthejë në shtëpi ushtarët dhe diplomatët e vet, duke mos arritur nivelin e aftësisë së shkruarjes së një të vetmes faqe për një vend të huaj.

Reklama
Reklama

Klasika amerikane: Coca-Cola, Mcdonald’s, CNN…

mbase, kjo hyrje ka një defekt serioz: Amerika më nuk mund të jetë vend i huaj për askënd në botë. “Klasika amerikane” apo, thënë më mirë, “treshi i shenjtë amerikan”, i përbërë prej Coca-Cola-s, McDonalds-it dhe CNN-it, sot është i pranishëm në çdo shtet të botës. Këta përbëjnë atë minimumin e aftësisë komunikuese midis njerëzve, aq të afërt për të gjithë sa për të plotësuar tri kërkesat elementare njerëzore: ushqimin (McDonald’s-i), ujin (Coca-Cola), dhe informatën (CNN-i).

Megjithatë, në anën tjetër, edhe vetë amerikanët do të thonë se Amerika është vend i huaj për ta sepse, ashtu të tërën, askush nuk mund ta njohë dhe ta ecë. Përveç TV-së, do të shtonim. Në të vërtetë, për të marrë vesh se si jetohet në Amerikë, nuk ka nevojë fare të dilet në rrugë: mjaftojnë teledirigjuesi dhe ekrani TV.

Reklama
Reklama

Në fakt, nëse kihet në konsideratë varshmëria e një amerikani mesatar prej tij, TV është religjioni më masovik në Amerikë. Kulti i tij dominon mbi të gjithë të tjerët. Në këtë aspekt, pra, edhe nga Prishtina, me një antenë satelitore maje çatisë apo skaj ballkonit, njeriu mund të inkuadrohet në jetën amerikane.

Në këtë inkuadrim e sipër, gjë e parë që njeriut i bie në sy, është besimi amerikan në vlerat iluministe evropiane të shekujve XVI-XVIII: besimi në fitoren e të mirës, të bukurës, të përparimit shkencor, besimi në aftësitë e pakufishme të mendjes njerëzore. Amerikanët do të thonë se Amerika u krijua si shtet prej një dyzine anglezësh të cilët, me atë preokupimin platonian, kërkuan jo utopinë e realizuar, por realizimin e utopisë … Kur erdhën në kontinentin e zbuluar aksidentalisht prej një detari italian (Kolombo) i cili ishte i punësuar prej mbretëreshës spanjolle, ata kishin para vetes një hapësirë krejtësisht të zbrazët, të papërdorur, dhe një bagazh idesh dhe synimesh të cilat ishin trashëgimi e qytetërimit dymijëvjeçar evropian. Nuk është gabim të thuhet se Amerika është realizim i ideve më sublime evropiane, ide në të cilat Evropa e sotme nuk beson më me atë vrullin dhe entuziazmin e Iluminizmit: Evropa, më në fund, i bëri shkrumb e hi (Aushvici) idealet e Iluminizmit. Evropa është tani kontinent cinizmi. E, cinizëm nuk mund të shohësh fare në Amerikë.

Reklama
Reklama

Meqë po merremi me raportet midis Amerikës dhe Evropës, thonë që, përveç tjerash, është një dallim thelbësor midis tyre: në Evropë, politikani vrapon pas akademikut apo shkencëtarit të njohur, ndërsa në Amerikë, ndodh e kundërta: akademiku apo shkencëtari vrapojnë pas politikanit. Apo, dallimi tjetër i rëndësishëm midis Amerikës dhe Evropës qëndron në një fakt, në pamje të parë, banal: në Amerikë, ndër sportet më të popullarizuara është basketbolli, ndërsa në Evropë – futbolli, i cili jo vetëm që nuk është fare i popullarizuar në Amerikë, por me emrin e tij nënkuptohet një sport tjetër (ragbi). Në basketboll, dhe në Amerikë, me rëndësi është të shënosh sa më shumë poena. Në futboll, dhe në Evropë, me rëndësi është ta mbrosh portën tënde.

Reklama
Reklama

Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit: Versioni barsoletë

Amerika është realizim i një barsolete interesante për Ajnshtajnin dhe Teorinë e relativitetit. Barsoleta, ecën lehtë nëpër historinë e qytetërimit, duke kërkuar kuptimin e jetës. Së pari, në këtë pyetje përgjigjet Solomoni, i cili thotë se Mendja është e aftë të zbulojë kuptimin e jetës. Pas tij, në skenë paraqitet Krishti, i cili këshillon që kuptimi i jetës të kërkohet në zemër, në dashuri. Pastaj, renditet vetë Karl Marksi, i cili në stomak të zbrazët a të plotë, vendos kuptimin e jetës. Më në fund, rrethi mbyllet me Frojdin, i cili rrugës tatëpjetë organeve të njeriut (mendja, zemra, stomaku), kuptimin jetësor e lidh me organet gjenitale dhe me problemet seksuale. Kur e njëjta pyetje i është bërë Ajnshtajnit, natyrisht duke rikujtuar paraardhësit e tij, ky – kështu së paku na mëson kjo barsoletë – kishte thënë: “A po e shihni se kuptimi i jetës është diç relative, sepse secili njeri atë e kërkon diku tjetër”.

Reklama
Reklama

Identiteti i Amerikës është një vetënjohje e përditshme, një ballafaqim i sinqertë me vetveten. Evropiani e identifikon Amerikën e sotme, pas rrënimit të Bashkimit Sovjetik, si Perandorinë e vetme në botë, Perandorinë e cila duhet ta sundojë botën. Amerika e sotme nuk dëshiron ta pranojë këtë rol: hulumtimet e opinionit tregojnë se vetëm 12 për qind të qytetarëve të Amerikës pajtohen me qëndrimin se vendi i tyre duhet të përzihet në çështjet jashtë Amerikës. Amerikanët nuk duan t’i përgjigjen ftesës së njohur të Borhesit, të formuluar në këtë mënyrë: “Amerika duhet t’i harrojë gjepurat për demokracinë dhe duhet të sundojë në botë …”.

Reklama

Në anën tjetër, është edhe një defekt i cili konteston bindjen se Amerika si Perandori duhet të dominojë në botë. Gjatë historisë, perandoritë janë munduar të implementojnë modelin e tyre politik, moral dhe ekonomik në të gjitha vendet ku kanë sunduar. Ta zëmë, rast i tillë është edhe Roma dhe Britania e Madhe. Në rastin e Romës, këtu mund të thuhet kalimthi, rrugët e Perandorisë, bënë të mundshme që krishterimi të bëhet aq i popullarizuar, të bëhet religjion universal (sepse Roma ishte univers i qytetërimit). Roma pra, thënë me gjuhën e sotme, ishte Internet për krishterimin. Nëse i kthehemi Amerikës, nuk është larg mendsh të thuhet se modeli amerikan i ekzistencës, modeli politik dhe ekonomik, mund të jetë plotësisht i suksesshëm vetëm në Amerikë. Shpejtësia e jetës amerikane dhe logjika e saj, në masë të madhe, janë të papranueshme për Evropën. Ta zëmë, askund në botë nuk mund të ndodh që një hajn ordiner t’i fitojë 500 mijë dollarë dëmshpërblim prej shtetit, sepse në dalje prej një banke në Beverly Hills (ku kishte vjedhur një shumë të konsiderueshme parash), kishte thyer këmbën në një gropë të çelur nga punëtorët komunalë: sipas rregullave, rreth gropës punëtorët është dashur të vendosin shiritin e verdhë me paralajmërimin e rrezikut për këmbësorë, e këtë ata nuk e kanë bërë, prandaj hajni ka fituar gjysmë milioni dollarë dëmshpërblim. Apo, rasti tjetër: një konsumues ka fituar qindra mijëra dollarë dëmshpërblim nga kompania e McDonald’s-it, sepse shitësja, në njërin prej lokaleve të shumta, nuk ia ka bërë me dije se kafeja është e nxehtë, prandaj ky konsumues i ka djegur buzët.

Reklama
Reklama

Bibla dhe Hegeli për 90 minuta

Shpejtësia e jetës bën që në Amerikë të editohen “variantet e shkurtuara” të veprave kapitale të trashëgimisë njerëzore, apo që këto vepra të editohen në trajtë të audio-kasetave 60-90 minutëshe. Kështu, ta zëmë, kemi “Biblën për 90 minuta”, “Hegelin për 60 minuta”, “Iliadën dhe Odiseun në dy kaseta”, etj.etj. Pas “Fast Food”, pason “Fast Food for Thought”. Thonë se këto kaseta janë sidomos të popullarizuara në Los Angelos. Shkaku: atje vozitësit mesatarisht i kalojnë nga dy orë nëpër rrugët e qytetit (për shkak të trafikut të dendur), prandaj kanë kohë që të mësojnë historinë e qytetërimit duke u vozitur nëpër L.A.

Reklama

Megjithatë, shpejtësia marramendëse lë edhe pasoja, sidomos në çastet kur ndodhesh jashtë garës së përditshme, kur je në “gjendje moslëvizjeje”. Mbase, secili amerikan ka psikiatrin privat, së bashku me një avokat privat: ky i dyti duhet të kujdeset për shëndetin financiar, ky i pari, për shëndetin mental.

Reklama

Në kërkim të një “strehimi nga shpejtësia”, në Amerikë janë tejet të popullarizuara sektet e ndryshme fetare brenda familjes së krishterimit. Njëra prej tyre, e quajtur “Promisekeepers”, udhëhiqet nga ish-trajneri i futbollit amerikan (ragbit, siç e quajmë në Evropë), Bill McCartney. McCartney arriti të tubojë në Washington, në fillim të tetorit të këtij viti, masën të cilës do t’ia kishte lakmi edhe vetë Paul McCartney i “The Beatles”. Afër 700 mijë veta u tubuan në qendër të Washingtonit, me porosinë shumë të qartë për Shtëpinë e Bardhë, e cila gjindet dyqind-treqind metra larg vendtakimit të “Promisekeepers”: “Ne nuk besojmë në vlerat shtetërore amerikane, Amerika duhet t’i kthehet Zotit, familjes, vlerave tradicionale patriarkale”. Në pyetjen e redaktorëve të CNN-it se a ka synime politike lëvizja e tij, McCartney përgënjeshtronte këtë qëndrim duke thënë që “ata vetëm dëshirojnë t’ia kthejnë moralin dhe Zotin Amerikës…”.

Reklama

Por, duket që idealet e “Promisekeepers” veç funksionojnë në Amerikë: Mbi 70 për qind të amerikanëve të thjeshtë vizitojnë kishat çdo të diele dhe fare nuk është zbehur besimi në vlerat tradicionale amerikane, të cilat u vendosën në themele të shtetit amerikan.

Natyrisht, aty tani është edhe aerobik-u, jogging-u dhe preokupimi me cilësinë e ushqimit (mesatarisht, çdo pesë orë botohet një libër me reçeta për përgatitjen e ushqimit), por askujt në Amerikë nuk i shkon ndërmend të shpallë “Vdekjen e Zotit”.

Amerika është, si thonë me të drejtë, vend i mundësive të pakufishme dhe shpresës së pafundme. /Telegrafi/