LAJMI I FUNDIT:

Ambasadorja Shala në OKB flet për të zhdukurit dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë    

Ambasadorja Shala në OKB flet për të zhdukurit dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë    

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala po merr pjesë në samitin më të madh global të filantropisë, paqes dhe të drejtave të njeriut  ”Nexus Global Summit të OKB-së”, i cili po zhvillon punimet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

Në sesionin kryesor plenar të këtij samiti, ambasadorja Shala, para rreth 900 pjesëmarrësve nga mbarë bota me kërkesë të organizatorëve, shpalosi krimet e kryera nga ana e Serbisë gjatë luftës në Kosovë, rolin e komunitetit ndërkombëtar në krijimin e paqes në vend, dhe progresin që ka shënuar Kosova në fusha të ndryshme 20 vite pas luftës.

Theks të veçantë në fjalimin e saj ishte edhe çështja e të zhdukurve dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.


Në fjalimin e saj ambasadorja Shala, rrëfeu rrugën e dhimbjes para 20 viteve, pikërisht në vitet 1998-99, atëherë kur të gjendur nën regjimin e ish-Jugosllavisë  për shumë vjet, të cenuar nga e drejta për jetë të lirë e të pavarur, të akuzuar e të burgosur padrejtësisht, të vrarë, e të dëbuar nga shtëpitë e tyre të mohuar nga e drejta e arsimimit dhe punës e mbi të gjitha, të lodhur duke mos pasur shtetin si shtet sovran, populli i Kosovës vendosi të ndryshoj këtë gjendje duke thirrur shpeshherë protesta paqësore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, të cilave  policia serbe i përgjigjej brutalisht.

“Duke dashur të ndryshojnë këtë gjendje, në vitin 1998,  shoqëritë shqiptare në mërgim u angazhuan për ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u kryesua nga komandanti Adem Jashari, dhe kishte për qëllim luftimin kundër forcave serbe dhe mbrojtjen e territorit dhe popullit të Kosovës. Lufta e përgjakshme dhe gjenocidi i ushtruar nga forcat serbe në popullin shqiptar nisi me vrasjen e kryekomandantit shqiptar të UÇK-së Adem Jashari, i cili u flijua bashkë me mbi 50 anëtarë të familjes, për të vazhduar me dëbimin e rreth 800 mijë shqiptarëve nga territoret e tyre,  rreth 15 mijë u vranë e u masakruan dhe 5 mijë të tjerë rezultuan të zhdukur. Por ushtria serbe nuk u mjaftua me kaq. Si armë të luftës përdori edhe dhunën seksuale, të cilën e ushtroi në rreth 20 mijë gra, burra dhe fëmijë duke i lënë me pasoja, gjatë tërë jetës së tyre”, tha ajo në fjalimin e saj para të pranishmëve në këtë samit, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, ajo shtoi se pas gjithë këtij gjenocidi, në shkurt 1999 në Rambuje të Francës, u organizuan bisedimet shqiptaro-serbe për t’i dhënë fund luftës, ku pala shqiptare nënshkroi marrëveshjen e propozuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar, kurse serbët refuzuan të nënshkruanin.

“Të përballur me dështimin e negociatave për paqe dhe bllokimin e veprimeve multilaterale përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara ndërmorën fushatën për bombardimin e Jugosllavisë në bashkëpunim me Aleancën Veri-Atlantike, NATO-n. Sulmet ajrore në Kosovë filluan me 24 mars 1999 dhe përfunduan me 12 qershor 1999, ditën kur për herë te parë hyjnë në Kosovë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, si mision i drejtuar nga NATO, duke shënuar kështu zyrtarisht përfundimin e luftës. Po në këtë kohë , u kalua në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Rezoluta 1244, që formalisht e mbajti Kosovën nën sovranitetin e Jugosllavisë, por nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara”, tha ajo mes tjerash.

Me vazhdim të fjalimit të saj, ajo tha se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) filloi punën për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për themelimin e institucioneve vetëqeverisëse, ku në vitin 2001, UNMIK-u, vendosi Kornizën Kushtetuese dhe organizoi zgjedhjet e para të lira në historinë e Kosovës.

“Më 2002, Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës, ndërsa Bajram Rexhepi kryeministër i parë i pasluftës. Kombet e Bashkuara, në ndërkohë, dërguan përfaqësues të tyre ish-kryetarin finlandez Martti Ahtisaari, i cili në vitin 2007 nxori Planin Gjithëpërfshirës, ku parashihej pavarësi e mbikëqyrur. Në bazë të këtij plani dhe duke u thirrur në Rezolutën 1244, Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008. Kushtetuta e Republikës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008, kur edhe u bë transferimi i plotë i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet vendore”, tha ajo mes tjerash në fjalimin e saj në OKB.

Në anën tjetër, ambasadorja Shala, shpalosi edhe dy histori të dhimbjes, përkundër dëshmive të shumta ndërkombëtare për 20 mijë viktimat e dhunës seksuale, ku as sot asnjë nga kriminelet serb nuk është i dënuar, edhe 20 vite pas luftës, ku më shumë se 15 mijë persona rezultojnë  të zhdukur dhe fati i tyre ende nuk dihet.

Duke lënë pas këtë histori të dhimbshme, por duke mos e harruar kurrë, ajo përmendi faktin se, sot Kosova gëzon dekadën e parë të Pavarësisë dhe sovranitetit, ku në këtë dekadë të parë kemi arritur të njihemi nga 116 shtete të ndryshme të botës, të anëtarësohemi në shumë organizata te rëndësishme ndërkombëtare,  e mbi të gjitha të arrijmë kulmin e sukseseve botërore në art kulturë dhe sport.

“E cilësuar si një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë, shumë të rinj të Kosovës edhe pse në kushte të vështira ekonomike e politike arritën të thyejnë kufijtë dhe ti sjellin Kosovës medaljen e parë olimpike nga një vajzë si Majlinda Kelmendi, çmime të rëndësishme kinematografike, nominime për OSCAR, çmimin për gra të guximshme në botë të ndarë nga Departamenti Amerikan i shtetit, alpinist që quan flamurin e Kosovës deri në Everest si Uta Ibrahimi, dhe kampion të disiplinave të ndryshme sportive. Madje u bëmë edhe shteti i parë ne Ballkan qe zgjodhi Presidenten e parë grua, Atifete Jahjaga, e cila gjatë mandatit të saj, në arenën ndërkombëtare u cilësua si lidere shembull duke i dhënë Kosovës imazhin më pozitiv të mundshëm. Së fundi kemi fenomenin Era Istrefi, këngëtaren  e cila pikërisht nga Prishtina arriti të thyejë çdo barrierë dhe të shndërrohet në një yll botëror”, tha ambasadorja Shala në fjalimin e saj.

Por, në fjalimin e saj ajo përmendi edhe përpjekjet tjera për shtet ndërtimin e Kosovës, të cilat nuk ndalen me kaq.

Ajo tha se si shtet i ri po bëjmë hapa të sigurt drejtë liberalizimit të vizave, po punohet seriozisht drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB, e mbi të gjitha drejtë njohjeve të reja që do t’i sjellin Kosovës perspektivë të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare.

“Tani si shtet i ri, jemi tejet të angazhuar në respektimin e të drejtave të njeriut, të garantuara me kushtetutë ku me këtë rast kemi edhe një avancim të respektimit te barazisë gjinore si në politikë ashtu edhe në sferat e tjera të jetës.  Jemi shembull i respektimit të kuotës prej 30% në Kuvendin e Kosovës, kemi pasur disa herë femra ministre ne dikastere te ndryshme dhe me e rëndësishmja, siç e theksova më lartë kemi pasur femrën e parë Presidente në Ballkan. Por jemi edhe më shumë te vendosur të kërkojmë drejtësi për të kaluarën, për krimet e kryera në Kosovë, për të pagjeturit, të masakruarit, e dhunimet”, tha ajo në fjalimin e saj, duke shtuar se të rinjtë e të moshuar, shoqëria civile, diplomat e politikan, nuk do të ndalemi deri në dënimin e të gjithë atyre që shkaktuan këtë histori të dhimbjes të një populli që kërkonte vetëm të drejtën e lirisë.

Në fund ajo para të pranishmëve, tha se bota ka përjetuar mjaft luftëra, lot e dhimbje, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gjenerata, prandaj sipas saj, “Le të jemi ne gjenerata e re, ata që botës do t’i sjellin paqe dashuri dhe humanitet, dhe ashtu siç thoshte e shenjta Nëna Tereza, ‘Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri ‘ ”.

Ndër të tjera, në margjina të këtij samiti, ambasadorja Shala, do të jetë pjesë edhe e sesionit të veçantë të organizuar nga OKB për të diskutuar mbi temën “Ngacmimi seksual dhe eliminimi i dhunës, dhe ngacmimit në vendin e punës”, bashkë me zyrtarët më të lartë të agjencive të ndryshme të OKB-së.

Pas përfundimit të punimeve të samitit, vizitën e saj në New York, ajo do ta vazhdojë me takime individuale me përfaqësuesen e posaçme për rini të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, dhe takime të tjera. /Telegrafi/ L.BEKAJ

Në trend Lajme

Më shumë
Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik

Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik

Kronika e Zezë
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar

Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar

Kronika e Zezë
Emisari amerikan Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën

Emisari amerikan Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën

Lajme
Aksident i rëndë në Veternik flasin nga Emergjenca e QKUK-së: Tetë persona janë duke u trajtuar

Aksident i rëndë në Veternik flasin nga Emergjenca e QKUK-së: Tetë persona janë duke u trajtuar

Lajme
Uka: Nëse vërtetohen përgjimet, i bie që është cenuar siguria kombëtare

Uka: Nëse vërtetohen përgjimet, i bie që është cenuar siguria kombëtare

Lajme
11 persona lëndohen në një aksident në Veternik, përfshihen 11 vetura dhe një kamion

11 persona lëndohen në një aksident në Veternik, përfshihen 11 vetura dhe një kamion

Kronika e Zezë
Kalo në kategori