LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori që përfaqëson Evropën, por nuk sillet në asnjë çast si evropian

Ambasadori që përfaqëson Evropën, por nuk sillet në asnjë çast si evropian

Teksa u përballa me foton tuaj në rrjet z. Soreka (Luigi Soreca), ndërmend më erdhi veç një pyetje: Çfarë mund t’i kenë bërë shqiptarët ambasadorit të Delegacionit Evropian për t’i poshtëruar kaq keq (shih foton në fund të shkrimit)?!

Në të vërtetë, çfarë ju kanë bërë shqiptarët zotëri?!


Asgjë nuk ju kanë bërë, përveçse kanë gëlltitur sistematikisht qëndrimet tuaja lehtësisht të ngatërrueshme me qëndrimet e një ministri të kabinetit qeveritar rilindës.

Shqiptarët shohin hallet e tyre zotëri.

Jam krejt e bindur se në këtë vend nuk jeni ndierë kurrë i kërcënuar dhe i parespektuar, sikundër jam e bindur se edhe po të ecni krejt i vetëm në rrugë do të ishit krejt i qetë, pasi ndonëse nuk silleni si evropian i mirëfilltë, Evropa për shqiptarët është dhe mbetet një strehë e mirëfilltë shpirtërore. Duam letërsinë, muzikën, pikturën dhe jetën evropiane.

Ç’kuptim ka kjo foto z. Soreka?!

Ç’mesazh doni të përcillni dhe mbi të gjitha kujt doni t’ia përcillni?!

Shqiptarët nuk meritojnë të trajtohen si dordolecë fotografish zotëri dhe jo vetëm shqiptarët, por asnjeri nuk e meriton këtë.

Çdo qenie njerëzore ka dinjitet dhe sipas vlerave evropiane të cilat ju i përfaqësoni keq, dinjiteti njeriut është i paprekshëm.

Z. Soreca gabimi juaj themelor në qasjen dhe sjelljen tuaj ‘”diplomatike” është se ju harroni faktin se jeni i krahasueshëm.

Çfarë do të thotë të jesh i “krahasueshëm”?!

Vite më parë kam shoqëruar një grup të huajsh. Vinin nga vende të ndryshme evropiane. Mes tyre ishte edhe një ish ambasador. Donte të vizitonte një stacion treni dhe këmbëngulte shumë për këtë të fundit. Nuk arrija ta kuptoja këmbënguljen e tij të përveçme, megjithatë shkuam atje bashkë me grupin. Në çastin që u gjetëm tek stacioni i trenit, takuam ata pak njerëz që punonin atje. Ish ambasadori kishte me vete aparatin fotografik. Pasi bëri disa foto rreth e rrotull më kërkoi t’i përktheja personelit rrëfimin e mëposhtëm:

– Babai im ka qenë faturino në tren. Në çdo qytet që shkoj vizitoj stacionin e trenit. Bëj një foto me njerëzit që punojnë atje. E stampoj në studion time modeste që kam në shtëpinë time dhe pastaj me postë i nis fotot bashkë me një dhuratë modeste. Është një formë takimi me tim atë. A mund të bëni një foto me mua?!

Dhe, ashtu ndodhi z. Soreka. Ish ambasadori bëri një foto që nuk u shfaq askund, veçse udhëtoi një ditë vjeshte nga një vend evropian për tek një stacion treni në Shqipëri me dhuratat përkatëse për stafin.

Me këtë rrëfim doja t’ju thoja z. Soreka se shqiptarët e bëjnë mirë dallimin mes individit që i përfaqëson siç duhet vlerat evropiane dhe mes atij që abuzon keq me këto vlera, ose më saktë që i sajon këto vlera posaçërisht për shqiptarët.

Në ç’vend të Evropës do ta bënit këtë sjellje z. Soreka?! Në asnjë vend.

Pse e bëni në Shqipëri, atëherë?!

Post Scriptum: Shqiptarët nuk janë dordolecët tuaj, z. Soreka.