Me datën 21 dhe 22 prill 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Ambasadori i SHBA-së në NATO, Mathew Whitaker.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook.


Sipas njoftimi thuhet se me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/