LAJMI I FUNDIT:

Alergji tek dentisti – ç’duhet të bëjmë dhe si ta evitojmë

Alergji tek dentisti – ç’duhet të bëjmë dhe si ta evitojmë

Gjatë kontaktit me gojën, disa substanca dhe objekte mund të shkaktojnë shqetësime “të veçanta”. Ja çfarë të bëni dhe si t’i evitoni

Mund t’ju ndodhë, edhe pse shumë rrallë, që kur shkoni tek dentisti, në gojë t’ju shfaqen bulëza, të fryra dhe kruajtje. Bëhet fjalë për një reaksion të shkaktuar nga objektet dhe substancat e përdoruara nga dentisti.


Tek disa njerëz, që janë shumë të ndjeshëm, ndodh që kur këto elemente bien në kontakt të drejtpërdrejtë me mukozën e gojës apo edhe kur futen brenda në lëkurë me shiringë, si për shembull në rastin e anestezisë, mund të shkaktojnë fenomene të padëshirueshme.

Le të shohim se përse bëhet fjalë dhe ç’duhet të bëjmë kur na shfaqen të tilla probleme, transmeton Telegrafi.

Alergji të vonuara

Më e zakonshmja prej tyre është “stomatiti alergjik”, simptomat e së cilës janë djegie, çrregullime të shijes, rrallë herë edhe kruajtje.

● Pjesa e prekur nga alergjia skuqet dhe fryhet, mund të shfaqen edhe qeska të vogla në gjuhë, që prishen lehtë duke lënë shenja të vogla të kuqe …

● Substancat e përdorura nga dentisti, që mund të shkaktojnë të tilla reaksione, janë të shumta dhe kanë në përbërjen e tyre metale, përbërje nga pastat e dhëmbëve etj .

Alergji të menjëhershme

Ky tip alergjie, që fatmirësisht është shumë i rrallë, shkaktohet nga mekanizma shumë të ndryshëm dhe pasojat mund të jenë më serioze, pasi në këtë rast veprojnë disa antikorpe specifike (imunoglobina e tipit E) që lëshojnë në organizëm sasi të mëdha histamine dhe molekula të tjera të ngjashme.

● Kjo alergji mund të shkaktojë ortikale, fryrje të fytyrës, të mukozës së gojës, të fytit, astmë dhe shok anafilaktik, që shkakton ulje të tensionit të gjakut dhe dëmton organet jetësore, mund të shkaktojë edhe vdekjen e të sëmurit.

● Disa prej substancave që shkaktojnë reaksione të tilla janë disa anestezikë lokalë, disa antibiotikë dhe disa përbërës së dorashkave të mjekut.

Alergji që verifikohet gjatë herës së dytë të përdorimit të një substance

Në përgjithësi reaksionet alergjike nuk ndodhin pothuajse asnjëherë gjatë kontaktit të parë, pasi organizmi nuk i njeh substancat e përdorura dhe ka nevojë për pak kohë për t’u
organizuar. Kështu që vetëm gjatë një kontakti të dytë me të njëjtin element, ndodh reaksioni.

● Për të evituar shfaqjen e një reaksioni alergjik, madje edhe më të thjeshtin, është shumë e rëndësishme të izoloni substancën që shkakton këtë alergji dhe mos ta përdorni më. Kështu që dentisti duhet të ketë informacion të detajuar për jetën e të sëmurit dhe të familjarëve të tij.

● Për të zbuluar ndonjë predispozitë të mundshme ndaj alergjive, ai duhet të shohë nëse individi bën pjesë në ndonjë kategori me rrezik, që mund të ketë alergji nga ndonjë substancë e mundshme.

● Ndonjëherë, kur specialisti e shikon të arsyeshme, pacienti duhet t’ i nënshtrohet ndonjë testi të specializuar apo “patch testit”, që ndihmon në kërkimin e disa substancave që mund të shkaktojnë alergji të menjëhershme.

● Duhet të kemi parasysh se alergjitë janë të shumëllojshme dhe shumë komplekse, për këtë arsye duhen ndjekur nga ndonjë specialist i kësaj fushe.

Çfarë e shkakton alergjinë?

Substancat që shkaktojnë më shumë alergji tek pacientët, zakonisht janë ato që gjenden tek mjetet apo tek ilaçet e përdorura nga dentisti. Por cilat janë ato më të rëndësishmet?

Amalgama

Te disa njerëz, amalgama, një përbërje prej merkuri që shërben për mbushjen e dhëmbëve, mund të shkaktojë alergji të tipit likenoid, një sëmundje e karakterizuar nga disa shenja të vogla të bardha, të forta në prekje, që zakonisht zhvillohen në afërsi të mbushjes.

Çfarë të bëni? Tek këta njerëz duhen evituar mbushjet e dhëmbëve me amalgamë, duhen përdorur mbushje të tjera, si për shembull kompozita.

Urat metalike

Urat e dhëmbëve dhe metali i përdorur për aparatet metalike, që shërbejnë për të drejtuar dhëmbët, mund të kenë përbërje paladiumi, nikeli, kobalti dhe kromi, metale që ndonjëherë të shkaktojnë alergji.

● Elementi më problematik është nikeli, që ndonjëherë gjendet edhe tek bizhuteritë. Për shembull, nëse një grua është alergjike ndaj disa varëseve apo vathëve, me siguri ajo do të ketë alergji edhe ndaj substancave të përdorura në protezat e dhëmbëve.

● Ju duhet ta paralajmëroni dentistin, i cili do t’ju bëjë analizën e alergjisë, apo “patch testin” e të gjitha metaleve që do të përdoren në protezë, për të zbuluar se cili element ju bën alergji. Tek njerëzit që kanë shumë alergji nga metalet, dentisti duhet të përdorë ura të tjera apo elementë të tjerë për përgatitjen e protezave.

Çfarë të bëni? Disa elementë që shërbejnë për përgatitjen e protezave, si dhe përbërësit që marrin masat e protezës, mund të shkaktojnë alergji tek disa pacientë. Dentisti duhet të eliminojë të gjithë këto përbërës.

Substanca të tjera alergjike

Substanca përbërëse e dorashkave të dentistit, që gjendet edhe tek disa prej mjete të përdorura nga ai, si p.sh. llastiqet, shiringat apo edhe ndonjë element tjetër, mund të shkaktojnë alergji.

● Kjo alergji është një problem shumë serioz, që mund të jetë ose shumë e shpejtë ose e vonuar dhe mund të shkaktojë astmë, madje edhe shok anafilatik.

● Prandaj duhen zbuluar pacientët që mund të kenë të tilla probleme, për shembull personeli sanitar, fëmijë me deformime të organeve gjenitale, të cilët u nënshtrohen ndërhyrjeve të ndryshme mjekësore, sidomos futjen e kateterave.

Çfarë të bëni? Ndonjëherë, këta pacientë kanë alergji edhe nga frutat tropikale. Për këtë arsye, nëse shfaqen të tilla probleme, dentisti duhet të ndërrojë dorashkat, ndërsa në rastet më të rënda mjekimi i dhëmbëve duhet të bëhet në mjedise më të përshtatshme, si për shembull në spital.

Anestetikët lokalë

● Shpesh, kur shkojmë tek dentisti, ai duhet të na bëjë një anestezi për të na rregulluar dhëmbët, kjo gjilpërë mund të na shkaktojë alergji.

● Ky problem pothuajse nuk haset më në ditët e sotme, pasi përdoren anestezikë me substanca të ndryshme nga ato të përdorura më parë, të cilët kishin disa konservues shumë të dëmshëm. Anestezikët lokalë të ditëve të sotme përbëhen nga disa elementë shumë të sigurt që pothuajse nuk kanë dhënë asnjë rast alergjik.

● Megjithatë ekziston një problem shumë i rëndësishëm, që lidhet pikërisht me një prej konservantëve të adrenalinës, përbërës i disa anestezikëve, që mund të shkaktojë probleme serioze tek një grup i caktuar njerëzish, për shembull ata që vuajnë nga astma, nga probleme me hundë, tek njerëzit që nuk e durojnë acidin acetilsalicilik (aspirina) apo disa elementë të tjerë kundër dhembjeve.

● Megjithatë, reaksionet e padëshirueshme, që shkaktohen nga përdorimi i anestezikëve lokalë, gati asnjëherë nuk janë reaksione alergjike.

Disa zgjidhje

Edhe pse ju nuk keni ndonjë alergji nga ndonjë substancë, ajo mund të ndodhë. Për shembull, alergjia stomatite në këto raste shkaktohet nga metalet e protezave.

Dentisti duhet ta heqë protezën apo aparatin dentar dhe ta lërë pacientin pa të për disa ditë, deri sa mukoza e gojës të shërohet. Ai duhet t’u japë edhe shpëlarës të ndryshëm në mënyrë që dhimbja të pakësohet.

Kur goja të jetë shëruar plotësisht, atëherë dentisti mund t’ju vendosë përsëri protezën apo aparatin, që tashmë përbëhet nga metale apo elementë të tjerë. Ndonjëherë ju mund të përdorni edhe disa ilaçe me përbërje kortizoni, varet nga intensiteti i reaksionit.

Megjithatë, këto ilaçe duhet të jepen me shumë kujdes, pasi mund të fshehin ndonjë sëmundje që nuk e kanë origjinën nga reaksione apo alergji të ndryshme. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori