LAJMI I FUNDIT:

Alarmi i Fondit Monetar Ndërkombëtar

Alarmi i Fondit Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar druan nga përsëritja e situatës së vitit 2010, kur institucionet e Kosovës, për shkak të premtimeve zgjedhore, e futën vendin në telashe financiare. Ky institucion kërkon nga Qeveria t’i menaxhojë me kujdes projektet për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup dhe privatizimin e PTK-së. Krejt kjo pasi në raportin e FMN-së fundi i vitit 2013 dhe fillimi i vitit 2014 konsiderohen si periudhë zgjedhore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar po u frikohet zgjedhjeve në Kosovë. Kurdo që ato të mbahen, ky institucion thotë se ka një përvojë të hidhur me politikën kosovare. Jo se ka lidhje direkte me të, por herën e fundit për shkak të saj u desh t’i prishë punët me Kosovën.

Fondi vlerëson se e njëjta situatë mund të përsëritet prapë në vitin 2013 ose në fillim të vitit 2014, kur parashihet të mbahen zgjedhjet parlamentare në vend.

“Përvoja e pafavorshme me SBA (programin e parë Stand By) e Kosovës në korrik të vitit 2010 sugjeron, megjithatë, se trazirat politike mund t’i vënë këto arritje në rrezik, veçanërisht në kontekstin e fushatave elektorale”, thuhet në vlerësimin e FMN-së, shkruan Express.

Dy vite më parë, Qeveria e Kosovës përkundër marrëveshjes dhe kushteve të përcaktuara nga Fondi, vendosi t’i rrisë pagat e mësimdhënësve në prag të zgjedhjeve. Kjo asokohe bëri që Kosova të dalë nga programi si shkelëse e marrëveshjes për t’u kthyer prapë në një program monitorues të stafit.

Ky institucion kërkon nga Qeveria e vendit dhe kryesisht partitë politike të ruajnë të arriturat e deritashme gjatë dy viteve të fundit dhe stabilitetin makroekonomik në kuadër të marrëveshjes me Fondin.

“Rreziku kryesor në këtë program janë pengesat potenciale politike”, thuhet në këtë vlerësim.

Parashikime të tilla patën ardhur nga zyrtarë të këtij institucioni edhe një vit më parë, por tani ato janë futur edhe në raport të veçantë për Kosovën. /Telegrafi/