LAJMI I FUNDIT:

Alarm për bomba në disa shkolla në rajonin e Gjilanit

Alarm për bomba në disa shkolla në rajonin e Gjilanit
Foto: Arkiv

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, disa shkolla në rajonin e Gjilanit kanë pranuar alarm për bomba.

Ky alarm është dërguar në adresë të shkollave në Novobërdë, Kamenicë e Ranillug, përmes emailit.


Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka thënë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.

“Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka pranu informata nga përgjegjësit e disa shkollave të komunës së Novobërdës, Kamenicës dhe Ranillugut , se përmes Email adresave zyrtare të këtyre shkollave kanë pranuar informatë se ka të vendosura bomba ( mjet shpërthyes). Për momentin nuk ka vend për panik. Policia e Kosovës dhe njësitet e IEDD kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe janë duke i hetuar rastet veç e veç”, ka thënë Hashani.

Alarm për bomba ka pasur edhe në shkollat në veri të vendit. Siç raporton Kosovapress, mësimi në ato shkolla është ndërprerë.

Kërcënime me bomba ka pasur së fundmi edhe në Prishtinë, saktësisht në shkollën “Xhevdet Doda” si dhe dy herë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Në të gjitha rastet kërcënimet kanë qenë përmes emailit. /Telegrafi/