LAJMI I FUNDIT:

Alarm i paparalajmëruar në Prishtinë, ishte vetëm test

Alarm i paparalajmëruar në Prishtinë, ishte vetëm test

Në qytetin e Prishtinës është dëgjuar alarmi që njofton qytetarët për ndonjë fatkeqësi, dhe i cili paraprakisht nuk është lajmëruar nga Komuna e Prishtinës përmes ndonjë njoftimi për media.

Megjithatë, i kontaktuar nga Koha.net, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi, ka konfirmuar se alarmi ka qenë vetëm test.


“Alarmi që është dëgjuar para pak çastesh ka qenë vetëm test. Këtë do ta bëjmë çdo muaj, me siguri të shtunën e parë të muajit”, ka thënë Vraniqi për Koha.net.

Ai ka thënë se njoftimin për këtë testim e kanë publikuar në web-faqen e komunës, ku theksohet se ky testim do të bëhet të shtunën e parë të çdo muaji vijues.

“Komuna e Prishtinës njofton qytetarët dhe institucionet vendore se me shtatë (7) maj 2016 në ora 12:00 do të bëjë testimin e sistemit të Alarmimit Publik i cili sistem do të jetë aktivitet i rregullt i Komunës në çdo të shtunë të parë të muajit vijues. Shenja e sistemit të sirenave do të jetë tingull i njëtrajtshëm sirene, në kohëzgjatje prej 30 sekondave”, thuhet në njoftimin e publikuar në web-faqen e Komunës së Prishtinës.

Pikat funksionale të sistemit të Alarmimit Publik

Gjithsej janë 14 pika funksionale të shpërndarë në territorin e Komunës së Prishtinës, të cilat pika janë të vendosura te:

1. Radio Prishtina (mbi ndërtesë).
2. Objekti Komuna e vjetër (mbi ndërtesë).
3. Kodra e Trimave st.Policor (mbi ndërtesë).
4. Dardani BL-XI (mbi objekt).
5. Arbëri Shtyllë 8-10m lartësia.
6. Objekti i Prokurorisë (st.policor 092) mbi ndërtesë.
7. Taslixhe shtyllë 8-10m.
8. Ulpianë (Dardani B/1/3 H-4) mbi ndërtesë.
9. Sh.F. Naim Frashëri (mbi shkollë).
10. Sh.F. Ismail Qemali (mbi shkollë).
11. Sh.F. Asim Vokshi (mbi shkollë).
12. Sh.F. e Gjelbër (mbi shkollë).
13. Sh.F. Hasan Prishtina (mbi shkollë).
14. Konviktet e studentëve (mbi ndërtesë).