LAJMI I FUNDIT:

Alarm…! Flini shqiptarë, flini!

Alarm…! Flini shqiptarë, flini!

Aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë si dhe përpjekjet ruse për rritjen e influencës në nivel global, kanë shqetësuar tej mase pjesën e botës perëndimore. Ky shqetësim ka arsyen e vet, ngase përpjekjet ruse për shtimin e influencës në nivel global nuk i përkasin një rrjedhe normale të zhvillimit mbi bazë të një konkurrence të lirë në nivel global, por të një hegjemonie.

Shqetësimi është bërë alarmues edhe për faktin se Rusia aktualisht është fuqia e dytë bërthamore në botë. Kur kësaj i shtohen sjelljet aventuresk të lidershipit shtetëror rus me tendencë të prirjes së tyre diktatoriale ekstreme, si dhe të vendosmërisë së tyre që mos të zgjedhin mjete për arritjen e këtij qëllimi, shqetësimi perëndimor ka bazë. Fakti i implikimit rus në Ukrainë, duke e shtyrë në konflikt popullatën lokale ruse të Ukrainës dhe duke u implikuar ushtarakisht kohë pas kohe, flet për përvijim të ri gjeopolitik të Rusisë në sferat e piketuara me interes për të, si dhe për një vendosmëri për t’i realizuar qëllimet.


Realisht, kjo lëvizje ruse ka bërë që vendet perëndimore të ndezin alarmin dhe të ngritin shkallën e gatishmërisë së veprimit. Se deri në çfarë niveli kanë shkuar ngjarjet më së miri, e dëshmon prononcimi i kancelares gjermane Angela Merkel, e cila duke aluduar për këto zhvillime dhe veprimet direkte ruse në Ukrainë, tha se “askush nuk e kishte menduar që 25 vjet pas rënies së murit të Berlinit, mund të asistonte në një konflikt të tillë”.

Pretendimet e këtij ekspansioni kanë filluar të vërehen edhe përtej asaj që është zonë e afërt e interesit rus në Azi. Manovrat ushtarake ruse-serbe dhe baza ushtarake ruse në afërsi të Nishit definitivisht i ka hequr vellon pretendimeve ruse në këtë pjesë të Ballkanit. Krahasimi i vazhdueshëm i Krimesë dhe Kosovës nga ana e Vladimir Putinit, flet për përvijime të reja ruse në gjeopolitikën e Ballkanit ku futja në lojë e faktorit serb nuk do të jetë diçka e re.

Ajo që duhet të jetë më së shumti e shqetësuar qe çfarë po ndodhë rreth saj duhet të ishte klasa politike e Kosovës e cila është shndërruar në klikë politike. Kjo kategori primitive e zhytur në korrupsion dhe në delingjillak, në emër të patriotizmit është duke krijuar premisa për rikthimin serb në Kosovë.

Kjo kategori primitive e hutuar pas korrupsionit dhe amoralitetit, çdo ditë e më tepër është duke irrituar bashkësinë ndërkombëtare pa të cilën Kosova e pa varur nuk ka jetë. Kjo kategori primitive duke mos ditur rëndësinë që kanë institucionet shtetërore, ka bërë që në vazhdimësi ato të dobësohen. Institucionet e Kosovës dhe partitë politike të cilat i krijojnë ato, të mbushura me militantë partiakë, me dashnore dhe të dashur, me kushëri, me halla e teze… kanë degraduar skajshëm sa që nuk mund të flitet për funksionalitet të tyre në kohë paqe e lere më në atë të luftës eventuale.

Se cila është forca dhe mobiliteti i këtyre institucioneve e tregon më së miri fakti i intervenimit të Policisë së Kosovës 25 korrik 2011, ku struktura e saj e armatosur me rreth 8000 persona, e stërvitur dhe e paguar nuk ishte në gjendje të fus nënë kontroll një pikë doganore të mbrojtur nga shoqata e gjuetarëve e pjesës veriore të Mitrovicës.

Kjo amulli e shkaktuar nga klika primitive e Kosovës është duke i konvenuar Serbisë dhe ajo me një këmbë është duke pritur që këtu të krijohen situata që në rast të “lojës së madhe të ruletit rus” të krijojë favore për rikthim në Kosovë. Në këtë vazhdë nuk është i rastësishëm deklarimi i para disa ditësh i kancelares gjermane e cila thotë se “nuk do të ishte habi nëse Serbia do të ishte vendi i radhës që do të niste një konflikt”. Dhe, s’ka dyshim se vendi më i përshtatshëm për tu nisur ky konflikt është Kosova.

Për këtë qëllim shteti serb ka marr një varg masash. E para: për të legalizuar intervenimin eventual në rast të krijimit nga Rusia të një katrahurën e madhe, Serbia nuk e heq nga Kushtetuta Kosovën si pjesë të saj. Ky legalizim do të fitohet kur turma shqiptarësh të revoltuar nga klika primitive kosovare do të drejtohen për të sulmuar institucionet ndërkombëtare të “korruptuara” në Kosovë, pastaj grupe ekstreme fetare do të marrin iniciativën për të hequr “qafirat” nga Kosova dhe në fund do të drejtohen për të djegur kishat dhe manastiret serbe. Për këtë gjendje Serbia mban në gatishmëri Ushtrinë e saj e cila për ata që marrin vesh nga punët ushtarake kjo shihet qartë.

Po të shikohet bazimi aktual i Ushtrisë së Serbisë, si për ka thellësia ashtu edhe për nga gjerësia, shihet qartë se ai është i organizuar sipas organikës së gjendjes së gatishmërisë luftarake. Prej gjashtë brigadave të këmbësorisë sa ka tani aktive Ushtria serbe, vetëm njëra është e vendosur në pjesën veriore të Serbisë (brigada e parë selia e komandës në Novi Sad), kurse pesë të tjerat e rrethojnë Kosovën dhe janë të dislokuara si më poshtë:

– Brigade Speciale, komanda në Panqevë, njësitë në Panqevë dhe Nishë (3 batalione dhe një çetë)

– Brigada e II-të, brigadë e përzier e këmbësorisë, njësive të blinduara, artilerisë klasike dhe raketore, dhe njësive të mbrojtjes kundër ajrore. Komanda e brigadës në Kralevë, njësitë e shpërndara (batalionet) Novi Pazar, Valevë, Rashkë. Në përbërje të brigadës pesë batalione dhe dy regjimente;

– Brigada e III-të, brigadë e përziere e këmbësorisë, njësive të blinduara, artilerisë klasike dhe raketore, dhe njësive të mbrojtjes kundër ajrore. Komanda e stacionuar në Nish, njësitë në Prokuple, Zajeçar, Kurshumli. Në përbërje të brigadës 11 batalione;

– Brigada e IV-të, brigadë e përziere e këmbësorisë, njësive të blinduara, artilerisë klasike dhe raketore, dhe njësive të mbrojtjes kundër ajrore. Komanda e brigadës është e stacionuar në Vrajë, njësitë në Vrajë, Leskovc dhe Bujanoc. Në përbërje të brigadës ka 11 batalione.

Përpos kësaj, po të shikohen edhe armatimi me të cilin janë të pajisura këto brigada, shihet se ai është ofensiv dhe ku përfshihen batalionet tankiste të pajisura me tankun M-84, regjimente me artileri klasike të pajisura me obus 122 mm. me larghedhje 17 km., obuz 150 mm. me larghedhje 28 km, artileri raketore 128 mm. me larghedhje 20 km, artileri raketore 262 mm. me larghedhje 50 km. E gjithë kjo, po të kombinohet me drejtimet komunikuese me Kosovën, nuk do kurrfarë komenti se në rast të prishjes të konstelacionit të tanishëm gjeopolitik në botë, Ushtria serbe është në pritje të një urdhri që në formën e një “bkc krg-ut” të sulet drejt Kosovës duke e zënë në befasi klikën politike primitive kosovare – një pjesë duke u marrë me numërimin e parave të fituara nga korrupsioni dhe krimi, kurse një pjesë duke bërë qejfe me dashuriçkat e veta në vendet ekzotike të Azisë .

(Autori është analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë)