LAJMI I FUNDIT:

Aktivitete për fëmijë nga BONEVET në kushte shtëpiake

Aktivitete për fëmijë nga BONEVET në kushte shtëpiake

Prindërit kanë rolin primar dhe kyç në zhvillimin e fëmijëve, prandaj një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjë nje prind është t’i kushtojë vëmendjen dhe kohën e duhur fëmijës së tij. Loja është stimuluesi më i mire për forcimin e raportit prind-fëmijë dhe përmes saj krijohet një lidhje e fortë emocionale, duke i ndihmuar fëmijët të shprehin kreativitetin dhe të zhvillojnë imagjinatën e tyre.

Më poshtë janë të renditura gjashtë aktivitete interesante dhe edukative që mund ti realizoni në kushte shtëpiake dhe të argëtoheni me fëmiun tuaj:

1.0 Sfida e ekuilibrit

Kjo sfidë është tejet argëtuese, stimulon koordinimin, ekuilibrin dhe mund të praktikohet nga të gjitha moshat. Luga është e domosdoshme për realizimin e këtij aktiviteti, ndërsa topi mund të zëvendësohet me limon ose vezë. Gjatë praktikimit sigurohuni që të ketë muzikë në sfond në mënyrë që fëmijët të ndihen më të lumtur.

2.0 Sfida me figura gjeometrike

Me bashkimin e shpagetave dhe plastelinës në fillim mund të krijoni forma të rrafshta si trekëndësh dhe katror, duke vazhduar kështu me vizatimin e tyre në hapësirë deri në formimin e piramidës, kubit dhe trupave të tjerë gjeometrik. Ky aktivitet përpos që rritë përqendrimin dhe precizitetin gjithashtu zhvillon aftësitë konstruktive të fëmijëve.

3.0 Raketa me Tullumbace

Një tjetër aktivitet interesant për fëmijët është edhe Raketa me Tullumbace. Për të krijuar raketën tuaj në shtëpi nevojiten këto materiale: një pip i plastikës, ngjitës i thjeshtë, një tullumbace dhe një fije peri.
Fillimisht fryeni tullumbacën dhe lidheni skajin e tij me fije peri, ndërsa nga pipi preni një copëz të vogël të cilën duhet ngjitur në njerën anë të tullumbacës.
Pas këtij veprimi merrni një fije të gjatë peri të trash, lidheni në njerën anë nje karrige dhe në anën tjetër të perit vendoseni në pipin që keni ngjitur në tullumbace, e me pas lidheni atë për karrigen tjetër.
Pasi i keni kryer të gjitha këto veprime, tërhiqeni skajin e tullumbacës qe keni lidhur në karriges e parë, zgjidheni perin e lidhur dhe raketa juaj është gati për fluturim.

4.0 Sfida me spango

Sfida me spango është aktivitet i lehtë dhe i përshtatshëm për fëmijë në kushte shtëpiake, e tëra çfarë duhet të bëni është ti kaloni spangot pa i prekur ato deri në vijën e finishit. Kjo sfidë perpos argëtimit dhe energjisë pozitive rrit përqëndrimin, durimin dhe i bënë fëmijët më vigjilient.
Materialet e nevojshme jane spango dhe ngjitësi.

5.0 String Art

String Art është një formë e artit mjaft e rëndësishme që iu mundëson fëmijëve të zhvillojnë kreativitetin e tyre. Duke përdorur gozhda dhe fije të ndryshme ata nxjerrin në pah krijime dhe forma të mrekullueshme. Fillimisht ju duhet një dërrasë në të cilën ju vizatoni figurën tuaj të preferuar, mbi të vazhdoni duke i vendosur gozhdat në distancë me njëra-tjetrën rreth 1cm. Pasi të keni përfunduar procedurën e gozhdave, filloni mbështjelljën e tyre me çfarëdo lloji të perit që e keni në shtëpi.
Për të krijuar edhe ju një punim unik nga ky art ju nevojiten këto materiale: dërrasa, gozhda, çekani dhe fijet e perit.

6.0 Krijo ylberin në dhomën tënde

Aktiviteti i gjashtë me radhë i cili është i realizueshëm në kushte shtëpiake është krijimi i ylberit. Fillimisht ju duhet një CD mbi të cilën duhet lëshuar llampën e dorës të cilën e drejtoni në mur, materiali i ndriqueshëm i CD-së bënë thyerjen e dritës dhe reflekton në murin tuaj. Kështu fëmijët mësojnë për reflektimin e dritës dhe argëtohen në të njejtën kohë.

Për realizimin e këtij aktiviteti nevojiten një CD dhe një llampë e dorës.