LAJMI I FUNDIT:

Aksident mes tri veturave dhe kamionit në Slivovë, gjashtë persona dërgohen në QKUK

Aksident mes tri veturave dhe kamionit në Slivovë, gjashtë persona dërgohen në QKUK

Gjashtë persona janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, saktësisht në fshatin Slivovë.

Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).


Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë tri vetura dhe një kamion.

“Rreth orës 08:00, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, respektivisht në fshatin Slivovë Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë tri vetura dhe një kamion”.

“Për pasojë gjashtë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, përderisa janë shkaktuar dhe dëme materiale”, ka thënë Borovci.

Ai tutje ka njoftuar se njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti. /Telegrafi/