Aksident i rëndë pranë pikës kufitare në Morinë, 6 vetura përplasen mes tyre - disa të lënduar


Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur këtë të shtunë në kilometrat e fundit të autostradës “Ibrahim Rugova”, pranë pikës kufitare në Morinë.
Në aksident janë përfshirë gjashtë automjete, ndërsa si pasojë shtatë persona kanë mbetur të lënduar, raporton topchannel.
Sipas informacioneve të para nga vendi i ngjarjes, mes të lënduarve janë edhe një fëmijë dhe një grua shtatzënë në muajin e shtatë. Të gjithë të lënduarit janë transportuar me autoambulanca për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur gjendjen shëndetësore të të lënduarve.
Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë ndërhyrë për t'u ofruar ndihmë të lënduarve dhe për të normalizuar situatën.
Për shkak të aksidentit, njëra korsi e autostradës, në drejtimin Prizren–Morinë, është bllokuar, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh dhe vonesa në qarkullim.
Policia po e menaxhon trafikun dhe u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë mundësi, ta shmangin këtë segment rrugor ose të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Policia e Kosovës pritet të japë më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve. /Telegrafi/








































