LAJMI I FUNDIT:

AKP-së i kërkohet raport për dëmet e shkaktuara nga uzurpatorët e pronave

AKP-së i kërkohet raport për dëmet e shkaktuara nga uzurpatorët e pronave

Një varg vërejtjesh sa i përket Raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka shfaqur Komisioni parlamentar për buxhet dhe financa, të martën, gjatë diskutimit që anëtarët e saj bënë me drejtuesit e kësaj agjencie, shkruan sot Koha Ditore.

Ishte deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, që ka kërkuar më shumë sqarime nga kryetari i ri i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, dhe ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të AKP-së, Avni Jashari.
“Ka shumë vërejtje, por kam shpresë dhe besim në juve që e keni marrë detyrën e re që t’i hyni këtij mali me probleme dhe në raportin tjetër të na vini me një performancë krejt tjetër”, i ka thënë ajo Gashit, në mbledhjen e Komisionit, ku është diskutuar dhe miratuar raporti vjetor financiar i AKP-së.


Ajo ka kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e AKP-së sa u përket 270 aseteve të uzurpuara, prej të cilave ka thënë se 13 asete janë për raste sociale. Gaxherri ka kërkuar të dijë nëse AKP-ja i ka verifikuar nëse ata janë banues të cilët nuk kanë zgjedhje tjetër apo janë biznese të shënuara si raste sociale.

Ka kërkuar të dijë edhe nëse Agjencia ka bërë analiza se sa ka humbur buxheti i Kosovës për shkak të pronave që mbahen të uzurpuara që nga viti 2002, prej të cilave, sipas raportit, deri në mars të këtij vitit në uzurpim janë edhe 167 asete. Gaxherri ka kërkuar sqarime edhe sa u përket të hyrave të përgjithshme të AKP-së. /Telegrafi/