Nga: Spartak Topollaj

Sa herë vjen Tetori i Nobelit, bota, për një çast, mban frymën. Dhe, ka të drejtë, se jepen Çmimet Nobel, më prestigjiozet dhe autoritaret që njihen prej 120 vitesh e gjer më sot. Këtë privilegj të madh, tashmë dihet, e ka Akademia Mbretërore e Suedisë, e cila meriton të quhet prej vitit 1901 edhe si Akademia e Nobelit, kohë kur edhe filloi të vihej në jetë testamenti i gjeniut të shkencës së kimisë, Alfred Nobel.

Akademia Mbretërore Suedeze njeh dy data të themelimit të saj.

Së pari, vitin 1739, kur Mbreti Federiko I dhe Kryeshambellani i Oborrit Mbretëror, njëkohësisht shkencëtar i shquar kimist, Karl Wilhelm Cederhielm, u bënë bashkëthemelues të saj dhe së dyti, më 1786, kur Mbreti Gustavi III, sipas modelit të Akademisë Frënge, e zgjeroi spektrin e saj edhe në fusha të tjera, duke kryer me sukses punën e mundimshme të hartimit dhe publikimit të dy fjalorëve të jashtëzakonshëm.

Reklama
Reklama

Akademia Mbretërore, siç ndodh rëndom me institucione të tilla konservatore, kishte rregulla strikte dhe të pandryshueshme për mbi 250 vite. Vetëm më 2 maj 2018, Mbreti aktual, Karl Gustav, i ndryshoi ato, duke u njohur të drejtën e dorëheqjes anëtarëve të Akademisë, katër prej të cilëve, Ekman, Östergren, Stridsberg dhe Lottas, e bënë menjëherë.

Akademia normalisht funksionon me 18 anëtarë, por aktualisht dy vende i ka bosh.

Komiteti i Nobelit, prej qysh kur filloi dhënia e çmimeve më 1901, ka pasur 21 Sekretarë të Përgjithshëm, ndërsa aktuali është Mats Malm. Çmimi jepet në ndërtesën e Bursës së Vlerave, pronë e Akademisë. Akademia jep çmimet në 6 fusha: Paqe, Letërsi, Mjekësi, Fizikë, Kimi, Ekonomi. Ndryshe nga pesë çmimet e para, të nisura më 1901, i gjashti, ai i Ekonomisë, filloi të akordohej vetëm më 1969, me nismën e Bankës së Suedisë (Sverige Riksbanks), në 300-vjetorin e krijimit të saj, edhe pse pati mjaft kundërshti, nisur nga vetë stërnipi i Nobelit, avokati i njohur, Peter Nobel.

Reklama
Reklama

Çmimi Nobel i Paqes është i vetmi, ceremonia e të cilit bëhet në Oslo dhe jo në Stokholm, pasi më 1901 Suedia dhe Norvegjia ishin bashkë. Çmimi i Paqes në 120 vite ka qenë tejet i diskutueshëm, madje në 19 raste nuk i është dhënë askujt. Polemika ka pasur edhe për shumë nga personalitetet që e kanë marrë atë, siç është rasti i Aung San Suu Kyi, lidere e njohur birmaneze, që luftoi dhe u burgos gjatë me dekada nga gjeneralët puçistë, por krejt papritur, kur u bë udhëheqësja de facto e shtetit birman, lejoi persekutimin, diskriminimin dhe deportimin e dhunshëm drejt Bangladeshit të rreth 1 milion njerëzve nga popullsia musulmane Rahingya. Çmimin për Paqe e refuzoi Le Dyk T’hó i PK të Viet-Namit. Siç dihet, fituese e këtij çmimi të madh është edhe Shenjtorja shqiptare, e jashtëzakonshmja e sakrificës sublime, Nënë Tereza, që na nderon dhe krenon si Komb Shqiptar.

Reklama
Reklama

Po ashtu, shkencëtari me origjinë shqiptare, Ferid Murat, fitoi Çmimin Nobel në Mjekësi për studimet dhe punimet që çuan në zbulimin e VIAGRA-s. Po kush ishte Alfred Bernhard Immanuel Nobél? I lindur në Stokholm, më 21 tetor 1833, në një familje industrialistësh, që rridhte nga shkrimtari dhe shkencëtari i njohur suedez Olof (Olaus) Rudbeck -i vjetri, profesor i Mjekësisë, rektor i Upsala-s, ai punoi dhe studioi me sukses në Suedi, Rusi, Francë, Amerikë, Gjermani dhe Itali. Shpikës i jashtëzakonshëm, sidomos në lëndët plasëse, ku dallonte dinamiti, i cili u përdor jo për faj të tij gjatë luftërave, në të cilat vriteshin mijëra e mijëra njerëz. Kjo çoi në urrejtje absurde ndaj tij, madje kur pas një shpërthimi aksidental humbi jetën vëllai i vogël i shkencëtarit, shtypi i kohës gabimisht shkroi: “Ka vdekur tregtari i vdekjes?!”.

Reklama
Reklama

Pa asnjë mëdyshje, kjo humbje e madhe shërbeu si shtysë që Nobel pasurinë e madhe të tij, mbi 1 miliard $ të kohës, ta linte me testament (27 nëntor 1895) që të përdorej si shpërblim, në formën një çmimi fitues për njerëz të shquar, në pesë fushat e përmendura në krye të këtij shkrimi, çmim i cili ishte rreth 1 milion $ për çdo fitues. Qysh prej asokohe, gjatë 120 viteve që ai jepet, ky çmim është dhënë rreth 900 herë (në të gjashtë fushat). Por këtu, nuk mund të mos përmendim se gati 20 për qind të këtyre 900 çmimeve i kanë marrë hebrenjtë, ose personalitete me origjinë hebreje të fushave të ndryshme, ndërkohë që ata përbëjnë vetëm 2 të mijtat e popullsisë gati 7 miliardëshe të botës?!!!

Reklama
Reklama

A ka diçka të diskutueshme në këtë mes?!!! Pasionantët e teorive konspirative do të pëlqenin ta quanin Akademinë Mbretërore dhe Komitetin e Nobelit një Sinagogë (tempull hebre), që në fakt si fjalë nuk rrjedh nga hebraishtja, por nga gjuha e helenëve të lashtë. Kombi hebre, që u dëbua nga trojet e veta 2000 vite më parë dhe u degdis nëpër botë, por që u mbijetoi stuhirave dhe uraganeve të kohës, përfshi dhe cunamin hitlerian, Holokaust, ose Shoah, patjetër ia mbërriti kësaj, falë njerëzve dhe personaliteteve të mëdha, që nxori nga gjiri i tij, si askush nga popujt e tjerë të botës, sado të mëdhenj të ishin dhe u rikthye në trojet e veta autoktone, ku më 1948 shpalli shtetin e pavarur të Izraelit. Alfred Nobel nuk u martua kurrë, paçka se edhe ai e pati një grua të jetës. Ajo ishte austriakja Sofie Hess, 25 vite më e re se ai.

Reklama
Reklama

Lidhja e gjatë dhe letrat e shkëmbyera mes tyre, të mbajtura sekret për më shumë se një shekull, janë tejet interesante: Nobél, që vuri 94 për qind të pasurisë së tij në testament për pesë çmimet e përvitshme, një milion dollarë secili, refuzoi dhënien e Çmimit për Matematikën, ngaqë një prej të dashurve të saj ishte matematikani suedez Gössta Mittag-Leffler. I dashuri i fundit i Sofie Hess ishte një ushtarak hungarez, me të cilin thuhet se ajo mbeti shtatzënë dhe kjo bëri që pas 18 vite lidhjeje, më 1891, Nobeli dhe ajo u ndanë. Alfred Nobel ndërroi jetë në vilën e njohur me emrin e tij, në San Remo – Itali, pas një hemorragjie cerebrale më 10 dhjetor 1896, kur ishte vetëm 63 vjeç. Në nder të tij, instituti i famshëm në të gjithë botën i kompanisë gjigante suedezo-britanike të çeliqeve speciale, armëve dhe eksplozivëve “Bofors”, mban emrin Alfred Nobel. Enigmë mbetet edhe sot se si kjo kompani gjigante ndërtoi në Mjekës, periferi e Elbasanit, uzinën më të madhe dhe më moderne ushtarake në Ballkan në gjysmën e parë të viteve ‘80, porositur nga diktatori ynë paranojak dhe delirant i madhështisë dhe protagonizmit, e cila, Shqipërisë së mbetur pa miliardat e Kinës, duhet t’i ketë kushtuar qindra milionë $ të kohës dhe për më tepër aty sundonte një regjim karikaturë stalinist?! Le të vijmë tani te Çmimi Nobel për Letërsinë. Ai, pa dyshim, u përket miliarda lexuesve të rruzullit, ndaj për të dhe fituesin pritja është jashtëzakonisht me interes.

Reklama
Reklama

Në 120 vite, ky çmim u është dhënë 114 autorëve, nga i pari francezi Sully Prudhom më 1901, deri te më i fundit, tanzaniani Abdulrazak Grunah, më 2021. Vetëm 7 herë, gjatë dy Luftërave Botërore, për arsye të kuptueshme, nuk ka pasur fitues të këtij çmimi, si dhe më 1935. I vetmi rast kur ky çmim u është dhënë dy autorëve njëherësh, është ai i vitit 1917, kur atë e fituan danezët Gjellerup dhe Pontoppidan?!!! Vështirë të gjenden lexues sot të kuptojnë se si ky çmim nuk u është akorduar ndër vite në të gjallë të tyre kolosëve të letrave botërore, si: Xhois, Wulf, Tolstoi, Roth, Nabokov, Shasha, Borges, Kafka, De Bovuar, Ungaretti, Draizer, Remark, Jursenar, Eko, Cvajg, Prust, Ficxherald, Orwell etj., etj.

Reklama
Reklama

Këtë çmim të madh e ka refuzuar së pari Boris Pasternaku, më 1958, nën trysninë e regjimit komunist sovjetik dhe së dyti, më 1964, edhe Zhan Pol Sharl Aimar Sartr, babai i ekzistencializmit, nën pretekstin se ky çmim duhej dhënë vetëm pasi të analizohej dhe të vlerësohej jeta dhe vepra e autorëve që do të shpalleshin fitues, kur të kishin ndërruar jetë. Po ashtu, hezitoi që ta marrë këtë çmim për disa javë, më 2016, edhe kantautori i njohur amerikan, Bob Dylan, (Robert Allen Zimmerman – në hebraisht, Zushe Ben Avraham), njeriu me 11 pseudonime, që befasoi botën mbarë, teksa e shpallën paradoksalisht fitues të më të madhit çmim letrar, kur ai ka bërë vetëm tekste këngësh?! Le të vijmë tani te gjeniu ynë i letrave, shkrimtari i jashtëzakonshëm i klasit më të lartë europian e botëror, i përkthyer në gati 50 gjuhë të botës, tirazhi i madh i librave të të cilit, botuar në të gjitha kontinentet, mund të llogaritet vetëm me ndihmën e kalkulatorëve elektronikë.

Serialkandidat potencial prej dekadash për ta fituar këtë çmim të madh letrar, pasi i ka marrë plot meritë të gjitha çmimet e tjera të famshme, në Britani, Spanjë, ShBA, Francë, Itali, Gjermani e deri në Kore të Jugut. Ai nuk është autor i një apo dy veprave letrare, apo romaneve monumentale, por të paktën me mbi 10 prej tyre do të duhej të shpallej para shumë të tjerëve, deri dhe mediokërve të mërzitshëm si p.sh. Dario Fó (Dario Luigi Angelo Fó), fitues i Nobelit. Nisur me “Përbindëshi”, “Kronikë në Gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Daullet e shiut” – (Kështjella ), “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit”, “Eskili, ky humbës i madh”, “Pasardhësi”, “Mëngjeset në Kafé Rostand”, “Dante i pashmangshëm”, “ Ra ky mort dhe u pamë”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Darka e gabuar” etj., etj., këta libra janë mahnitës dhe të paarritshëm nga askush.

Shkrimtarë, gazetarë, akademikë, kritikë, studiues, botues dhe qëmtues të mëdhenj e të vëmendshëm të librave, në të gjithë botën, veprën e Kadaresë e supervlerësojnë së pari për rezonancën universale që transmetojnë, së dyti për stilin unikal të të shkruarit, së treti për alegorinë e sofistikuar fine, së katërti për neologjizmat që krijon e sjell dhe në fund për tërheqjen e kënaqësinë e veçantë me idetë e tij ndaj lexuesve të panumërt në Shqipërinë e regjimit karikaturë të diktatorit stalinist Enver Hoxha, që si një koincidencë e paradokseve të kësaj jete, ishte nga i njëjti qytet, e gurta Gjirokastër, madje i lindur 28 vite para Kadaresë, vetëm disa dhjetëra metra larg shtëpisë së tij, në të famshmin “Sokaku i të Marrëve”, emrin e të cilit ende askush nuk ka mundur ta shpjegojë në mënyrë shteruese.

Etja dhe uria me të cilën priteshin dhe përpiheshin librat e tij kudo nga lexuesit shqiptarë, vërtetojnë atë që vetë Kadare me modesti e mohon: Disidencën! Po kaq i pëlqyer dhe i kërkuar ai ka qenë dhe është në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, në kohën e Tito-Rankoviçit, apo Milosheviçit dhe aktualisht, ku për librat e tij edhe janë burgosur të rinj dhe studentë të shumtë shqiptarë. Vetë Kadare, natyrshëm dhe plot sinqeritet, i mbetet përjetësisht mirënjohës për suksesin e madh ndërkombëtar të veprës së tij, përkthyesit të jashtëzakonshëm Jusuf Vrioni, këtij aristokrati luksoz të shqipes dhe frëngjishtes, ashtu siç u mbetet mirënjohës botuesve të shumtë të tij kudo në botë, veçanërisht Klod Dyran-it të “Fayard” dhe Bujar Hudhrit të “Onufrit”.

I rrethuar shpesh nga kritikë mediokër zhdanovianë të lidhjes, nga sekretarë e instruktorë partie injorantë, deri dhe nga shumica e anëtarëve sklerotikë e me demencë senile të Politbyrosë, së KQ të PPSh-së, të cilët i bashkonte urrejtja patologjike për suksesin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kadaresë, të cilët gati kalonin në orgazëm teksa bënin pyetjen “asgjësuese”: “Përse pëlqehet kaq shumë Ismail Kadare në Perëndimin kapitalist”; Kadaré mbijetoi madhërishëm, ndërsa ata janë dënuar në përjetësi me harrim?!

Minosi i “Ferrit shqiptar”, Diktatori i kuq, Enver Hoxha, dhe Ledi Makbeth e shqiptarëve, mjeshtër makbethianë të krimit, në gati 50 vite sundim gjakatar, nuk guxuan ta burgosnin atë, së pari se reagimi ndërkombëtar do të ishte i papërballueshëm për regjimin totalitar e tërësisht të izoluar, së dyti, gjenia e një mendjeje si ajo e Kadaresë, diti të ecë mbi tehun e mprehtë të thikës, edhe pse mbi kokë i rrinte ngaherë shpata e Damokleut dhe se ekuilibrin mbi këtë teh të mprehtë Ai e dinte mirë, se ia mbante dashuria dhe simpatia e madhe e miliona admiruesve dhe lexuesve në vend e në botë.

Në suksesin dhe famën e madhe, Kadare u mbështet te gruaja e jetës së tij, e mençura, dinjitozja, e talentuara dhe e bukura Helena, kjo zonjë e madhe, mikpritëse e rrallë e bujare e miqve të panumërt dhe e admiruesve të shumtë, që në 60 vite të jetës së tyre bashkëshortore ia kanë mësyrë portës së hapur e të madhe të shtëpisë së Kadareve. Shkrimtarja më e madhe shqiptare femër, ajo diti me mjaft mençuri dhe elegancë të mos i bëjë kurrë hije Lisit Madhështor, madje, edhe në kryeveprën e saj voluminoze me kujtime, me titullin më se domethënës “Kohë e pamjaftueshme”, raporti Ismail – Helena dhe prindër e bijat, Gresa dhe Besiana, qëndron në përmasat perfekte të ndjenjave dhe dashurisë njerëzore.

Po pse Kadaresë ende nuk po i jepet ky çmim i madh super i merituar prej tij kur pothuaj atij i janë akorduar të gjitha çmimet kryesore letrare të botës?! Natyrisht, askush nuk pretendon që anëtarët e Jurisë së Komitetit të Nobelit për Letërsinë të mësojnë shqip që të mundin ta shijojnë madhështinë e shqipes dhe të veprës së jashtëzakonshme dhe supervoluminoze të Kadaresë, por si anglofonë tashmë të vërtetuar që janë, nuk mund dhe nuk duhet të jenë ksenofobë, çka kuptohet lehtësisht, kur konstaton se p.sh. në ShBA vetëm tre për qind e botimeve janë nga gjuhët e huaja.

Një përcaktim tejet të gjetur bën këto ditë në të madhen dhe autoritaren amerikane, “The Wall Street Journal”, shkrimtari, gazetari dhe profesori i njohur britaniko-indian, Tunku Varadarajan, teksa shkruan se Juria e Nobelit sikur ndien kënaqësi në përzgjedhjen e kandidatëve të panjohur, siç qe së fundmi fituesi i 2021, zanzibarasi Abdulrazak Gurnah, para të cilit fare mirë mund të ishte Ngugi-Wa Thiongó, keniani i famshëm 83-vjeçar.

Lista e mediokërve, të panjohurve apo edhe të diskutueshmëve politikisht, si Handke, që foli dhe qau mbi varrin e kryekriminelit e kryekasapit të Ballkanit, Milosheviç, është e gjatë. Nga 21 autorët fitues të këtij çmimi të madh në shekullin XXI, ky personalitet i shkolluar mirë dhe shkëlqyeshëm, tejet i kënduar e kritik i njohur, kishte lexuar vetëm 8 prej tyre?!!! Plot sarkazëm, duke bërë një lojë fjalësh në gjermanisht, emrin e fitueses së Nobelit për vitin 2020, Louise Elisabeth Glück, e transformon në Gluckshmerz – trishtim-indinjatë për suksesin e (padëshiruar) të dikujt tjetër.

Ky shkrim i mrekullueshëm i Varadarajan duket sikur është shkruar edhe për gjeniun tonë Kadare, i cili jo thjesht se ka “konflikt interesi”, si serialkandidat potencial prej dekadash për këtë çmim me heshtjen dinjitoze të tij, vetëm se ka vërtetuar madhështinë e thjeshtësisë, madje, si rregull, në orën që shpallet fituesi i çmimit, ai shtrihet e pushon. (Tani, ai nuk do t’i ndajë më vitet përgjysmë: Paris – Tiranë + Qerret, por do të qëndrojë vetëm në Atdhe).

Dielli letrar i Kadaresë do të ndriçojë, shkëlqejë dhe shkrijë akujt mbi Alpet dhe Fjordet Skandinave, deri dhe në Selinë e Jurisë së Nobelit, ku prej dekadash vendosin disa “statuja” prej dylli, si ato të Muzeut të Madam Tussaud, të cilët janë ende në kohë të vënë në vend drejtësinë e Zotit.