LAJMI I FUNDIT:

Ajër, natyrë dhe bukuri mes Tetovës dhe Prizrenit

Ajër, natyrë dhe bukuri mes Tetovës dhe Prizrenit

Telegrafi Maqedoni ju prezanton me bukuritë e Malit Sharr. Stanet e Shipkovicës, Lëndina e ambasadorëve dhe gjithë Mali Sharr janë tre destinacione të bukura për të kaluar një fundjavë të bukur me pak harxhime por me shumë përfitime shëndetësore nga ajri i pastër, natyra e gjelbërt, dielli dhe relievi fantastik.

Mali Sharr është një bukuri madhështore që është krijuar të mahnit dhe në të njëjtën kohë të tërheq me madhështinë e masës së tij dhe pasurinë e mahnitshme të detajeve të tij.


Rrugëtimin që e shihni tani turistët e Malit Sharr do ta kursenin nëse do të ishte funksional teleferiku i ndërtuar në vitet e 60-ta dhe i shkatërruar gjatë luftës së vitit 2011. I njejti është premtuar nga pushteti se do të ndërtohet, por ndërtimi i vetëm që është realizuar deri tani, është rruga prej 20 kilometra prej daljes së Tetovës deri në hyrje të qendrës turistike “Kodra e Diellit”. 

Rruga Tetovë-Kodra e Diellit. Foto: Telegrafi Maqedoni

Masivi i Sharrit shtrihet përafërsisht në mbi 1600 km katror, mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ky mal është njëri nga më të lartit në Ballkan me 15 maja. Ai arrin pikën më të lartë tek “Maja e Titos”, 2747 m dhe shtrihet në 80 km gjatësi për një gjerësi e cila ndryshon nga 10 deri 30 km.

Rajoni është i nënshtruar në një influence të dyfishtë : klima mesdhetare në veri dhe kontinentale në jug. Temperaturat mund të arrijnë afër 40 gradë gjatë verës dhe të bien deri në -30 C në male gjatë dimrit. 

Prej dhjetorit deri në shkurt mjegulla të dendura pushtojnë fushat kurse pjesa më e lartë e masivit mbetet shpesh e pambuluar. Pyjet, janë kryesisht të përbëra nga ahu dhe pak e shumë me pisha dhe lisa, që mbulojnë një pjesë të gjerë të masivit në mes 600 dhe 1600 m.

Fillimet e zhvillimit të alpinizmit dhe turizmit alpin në Malin e Sharrit.

Formimi i shoqatës së alpinistëve “Luboten” në vitin 1925 shënon dhe fillimin e një rruge të gjatë dhe të pafund të alpinizmit dhe turizmit alpin në Malin e Sharrit. Me formimin e kësaj shoqate, filluan dhe lëvizjet e para të organizuara në Malin e Sharrit. Në fillim ato ishin në vendet më të afërta pranë qytetit. Vizitat e organizuara morën hov në mes të viteve ’30. 

Sot Mali Sharr është park kombëtar i mbrojtur nga institucionet shtetërore nga dëmtimet eventuale, prerja e drunjëve dhe ndërtimet pa leje. 

Funksioni parësor i parkut është ruajtja e vlerave natyrore tashmë të krijuara dhe ka për detyrë të përmirësojë mirëqenien e banorëvë që jetojnë në park, si dhe të sigurojë përfitime ekonomike në shumë sektorë.

Lëndina e ambasadorëve është një vend i cili shfrytëzohet për pushim dhe rekreacion gjatë fundjavave nga qytetarët të cilët këtu gjejnë freskinë dhe qetësinë. Institucionet lokale nuk kujdesen për këtë vend aq sa duhet, dhe shpeshherë qytetarët e kryejnë vetë rolin e qytetarëve të ndërgjegjshëm për natyrën. 

Lëndina e Ambasadorëve. Foto: Telegrafi Maqedoni
Lëndina e Ambasadorëve. Foto: Telegrafi Maqedoni

Stanet e Shipkovicës janë një bukuri e fshehur në Malin sharr. Rruga deri tek ky vend është deri në 25 minuta në këmbë por gjatë rrugës mund të shijoni freskinë, qetësinë dhe hijen e drunjëve gjigant rreth rrugës. Zhvillimi i turizmit malor dhe agroturizmit në këtë vend tashmë ka nisur dhe në vitet në vazhdim do të shihni edhe ju bukurinë që e pa ekipi jonë.

Stanet e Shipkovicës. Foto: Telegrafi Maqedoni
Stanet e Shipkovicës. Foto: Telegrafi Maqedoni

Për fund, ne shijuam bagërdarin dhe flijat me kos. /Telegrafi/