AIP u bën thirrje partive politike të respektojnë privatësinë e qytetarëve gjatë procesit zgjedhor

Pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i bën thirrje të gjitha partive dhe subjekteve politike që të respektojnë privatësinë dhe të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor që do të zhvillohet më 7 qershor.
Në një komunikatë për media, AIP thekson se respektimi i të dhënave personale është kyç për ruajtjen dhe promovimin e integritetit zgjedhor. Agjencia kërkon që partitë dhe subjektet politike të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave të kryhet mbi bazë ligjore, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik ose arsye të tjera të përcaktuara me ligj.
Mes kërkesave kryesore janë:
Mos përdorimi i të dhënave të kontaktit të qytetarëve të mbledhura gjatë funksioneve publike për marketing politik.
Mos-ekspozimi i të dhënave personale gjatë komunikimit përmes postës elektronike, SMS ose thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak.
Respektimi i të drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt, dhe ndërprerja e menjëhershme e komunikimit pas kundërshtimit.
Shmangia e profilizimit ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç kur ekziston bazë ligjore dhe janë ndërmarrë masat mbrojtëse përkatëse.
Transparencë e plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, përfshirë publikimin e politikave të qarta të privatësisë.
AIP thekson se partitë dhe subjektet politike janë të detyruara të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e privatësisë./Telergafi.










































