LAJMI I FUNDIT:

Ai, Ajo dhe hiçi: Dashuria në kohën e gënjeshtrës

Ai, Ajo dhe hiçi: Dashuria në kohën e gënjeshtrës

Numri 11 cilësohet si numër mëkati. Sepse rri mes 10-shit të Dhjetë Urdhrave e 12-shit të Dymbëdhjetë Apostujve. Te interpretimet biblike, 11-shi merr rëndësi veç në këtë aspekt: pas kryqëzimit të Jezusit, mbesin 11 apostuj – pa Judën, pa tradhtarin. Por, sipas numerologëve, 11-shi ndërlidh Tokën dhe Qiellin. E, në fakt, as në tokë e as në qiell janë Ai e Ajo, dy personazhet e veprës së Stefan Çapalikut.

“Një engjëll në katin e 11-të” është dramë me tri akte. I pari dhe i fundit janë të vendosur në një platformë të jashtme të stacionit të trenit, në pritje të transportit për Anitis dhe Lantium. Ai, Ajo dhe dy drejtime. Në dy drejtime të kundërta sot zhvillohet jeta e çiftit. 1-sh Ai, e 1-sh Ajo. Një pas një, e jo dy si gjysma që do të duhej të plotësojnë njëra-tjetrën për ta bërë njëshin e çiftit, atë të dashurisë.


Kështu, sipas statistikave, brenda vitit 2016 kanë ndodhur 16,051 kurorëzime dhe 1,110 shkurorëzime në Kosovë. Ndërkaq, në Shqipëri, në vitin 2016 çdo e treta martesë ka përfunduar në ndarje. Shkalla e shkurorëzimeve në Perëndim është edhe më e lartë. Në SHBA është 53 për qind; në Spanjë, Portugali, Luksemburg, Republikën Çeke dhe Hungari është mbi 60 për qind. Në Belgjikë madje kjo arrin në 70 për qind. Ky pra është raporti i dashurisë, kudo, nga Ai dhe Ajo, nga dy botë të ndryshme në epokën së ndërthurjes morbide të reales me virtualen.

Në shekullin XIX, Karl Marxi paralajmëroi se “rritja e prodhimeve dhe nevojave shndërrohet në nënshtrim të sajuar dhe të llogaritur për apetite jonjerëzore, të sofistikuara, të panatyrshme dhe të trilluara”. Kjo sot shihet te lakmia dhe mania për të poseduar gjëra triviale, përderisa nuk njihen e as nuk çmohen nevojat reale, as nga Ai (një yll i rokut e person i adhuruar) e as nga Ajo (një grua e martuar dhe e dëshiruar nga të tjerët) që janë në një lidhje pa lidhje. Të dy ata jetojnë në një botë muti, po këtë botë të ndytë çuditërisht e shohin veç në një televizor të ri – që do të ishte mirë të zëvendësohej me një model edhe më të ri!

Mes tyre, pas seksit të zjarrtë, në vitin e dytë të njohjes, në katin e 11-të futet një Dëshmitar i Jehovës, si një alter ego e të dy personazheve – të anës së mirë të tyre (engjëllore), të kërkimeve të tyre të dashurisë reale që me “konceptet moderne” po bëhet “monotone” e po vdes. Po vdesin pra dashuritë që zbërthen drama (çelësi i parë: dashuria mes miqve, dashuria ndaj pjesëtarëve të familjes, dashuria romantike për gjininë e kundërt dhe dashuria ndaj Zotit) dhe respekti (si çelësi i dytë) për një lidhje të suksesshme në çift, mes një burri e një gruaje.

Ajo është e martuar dhe kjo martesë është si atu që Ai të kuptojë se sa po sakrifikon Ajo për të. Ai këtë martesë e përdor po ashtu si atu që Ajo duhet të dijë se duhet të jetë i lirë nga obligimet. Në anën tjetër, Ai është alternativa e artë që ka Ajo.

Por, çfarë mund të ndodhë nëse Ajo shkurorëzohet dhe Ai martohet me të? Cila do të jetë alternativa tjetër që do të kërkojë Ajo? E diamantit? Ku përfundon nevoja për kënaqësi të momentit te kjo shoqëri e konsumit me apetite jonjerëzore?

Ai e Ajo, si shumica sot, luajnë, shtiren dhe gënjejnë. Gjithçka është iluzion. Sepse, në kërkim të kënaqësisë dhe lirisë së tepruar, vjen veç vetmia (Ajo mezi pret të rri e të flas me Dëshmitarin e Jehovës, që mërzit shumicën kur u troket në derë). Në kërkimin e tillë vjen edhe robëria (në lirinë e tij, Ai bëhet rob i burrit që ka Ajo). S’ka më as besim, as shpresë e as dashuri. Në ethet e arit e të diamantit, askush nuk po fiton! Pra, s’ka dashuri që kanë frymëzuar shkrimtarët e poetët, e edhe jetët e atyre që lexonin veprat e tyre! Sepse, tradhtia e dashuria janë barazuar e përzier keq.
Por, cila është e vërteta në këtë mes?

Ajo nuk ka burrë. E, Ai është një yll i shuar që s’e ka më asnjë mik. Ai kishte krijuar një fiksim ndaj bashkëshortit joreal të saj. Kishte trilluar një jetë me rreziqe dhe ky rrezik, me kërcënimet tokësore dhe hyjnore – shkelja e dy urdhrave biblik (“Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”; “Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd”) – e shtynte të shkonte më shumë tek Ajo.

Ky fiksion që ka Ai, bartet te Ajo. Por, burrin s’e njeh më askush! Sepse, askush s’e njeh më njëri tjetrin. Pra, e vërteta nuk ekziston!

Drama e Çapalikut, “Një engjëll në katin e 11-të”, është shkruar para 15 vitesh, por – në varësinë globale të njerëzimit ndaj rrjeteve sociale e ndaj komunikimeve virtuale – sot është më aktuale se kurrë. Sot edhe seksi bëhet në forma virtuale. Edhe gruaja e gomës porositet e edhe burri i plastikës! Biografitë janë virtuale e gënjeshtra është shndërruar në vlerë. Gjithçka është një iluzion. Por, në fakt, në këtë kaos askush nuk po fiton! Ajo mbeti pa asnjë alternativë. Ai mbeti me një traumë! Dëshmitari i Jehovës vdiq. Të gjithë po shkojnë në drejtimet të kundërta, në rrugën për askund. As në tokë e as në qiell!

P.S. Versioni i parë i kësaj vepre u vu në skenë në teatrin e Elbasanit, në tetor 2006 me regji të Milto Kutalit, me skenografi të Ilir Martinit dhe në interpretimin e Alfred Trebickës, Erjona Kakelit dhe Fatmir Sinos. Shfaqja me regji të Stefan Çapalikut pati premierë në Teatrin e Metropolit Tiranë, më 15 Shkurt 2018. Skenografia është punuar nga Sadik Spahia, koreografia nga Gjergj Prevazi, ndërsa luanin Ervin Bejleri, Ilirda Bejleri dhe Erion Hinaj. Asistentë të regjisë ishin Rogerta Nikolla dhe Divni Gushta. Versioni i Çapalikut u mirëprit nga njohësit e teatrit dhe publiku.