Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia që nga 30 marsi po i mban të bllokuar në kufi kamionët nga Kosova.

Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Përderisa Republika e Kosovës e ka larguar tarifën 100 % në raport me Serbinë, kjo e fundit që nga 30 marsi po i mban të bllokuar në kufi kamionët tregtar nga Republika e Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë “.

Ahmeti shtoi se Kosova nuk po vendos barriera në raport me Serbinë, por përkundrazi e ka larguar taksën.

Postimi i plotë i Ahmetit:

“Përderisa Republika e Kosovës e ka larguar tarifën 100% në raport me Serbinë, kjo e fundit që nga 30 marsi po i mbanë të bllokuar në kufi kamionët tregtar nga Republika e Kosovës, të cilët nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë.

Republika e Kosovës nuk po vendosë barriera. Përkundrazi, ajo e ka larguar tarifën 100%. Për më tepër, Republika e Kosovës nuk e ka zbatuar menjeherë reciprocitetin e plotë, si shenjë e vullnetit të mirë në raport me Serbinë dhe për t’i mundësuar kohë asaj për t’i larguar barrierat tregtare që i ka vënë kundër Republikës sonë.

Masat tregtare të Republikës së Kosovës tash janë të varura nga masat e Serbisë. Hapi i duhur drejt raporteve të mira mes dy vendeve, do të ishte largimi sa më i shpejtë i barrierave që Serbia ia ka vënë Republikës së Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të shfuqizojë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës. /Telegrafi/