LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Nuk jam për molotov, Vetëvendosje nuk djeg vetura

Ahmeti: Nuk jam për molotov, Vetëvendosje nuk djeg vetura

I pari i kryeqytetit ka thënë se është kundër hedhjes së koktejeve të molotovit dhe djegies së veturave.

“Nuk jam për hedhjen e mollotovit në ndërtesa të institucioneve e Policisë”, ka thënë Ahmeti në Rubikon të KTV-së, duke shtuar se edhe djegia e veturave nuk është gjë e mirë, transmeton Koha.net.


“Unë vetëm di të them që Vetëvendosja nuk e ka bërë këtë”, ka shtuar Ahmeti.

Për seancën e nesërme ai ka thënë se në reflektimin e Vetëvendosjes nuk ka ndryshuar situata, por për metoda ai ka thënë se nuk ka informacion.

Kryetari i Prishtinës ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe relacionet me atë, por nuk ka lënë pas as zgjedhjet, si opsion i opozitës.

“I larguar nga petku i Vetëvendosjes, po them se në këto kushte po të isha kryeministër do të jepja dorëheqje. Ç’tensionimi i situatës do të bëhej me zgjedhje”, ka thënë Ahmeti, duke thënë se zgjedhjet janë zgjidhje për ndarjen e madhe mes pozitës dhe opozitës.

Ai ka thënë se Serbia nuk e ka ndryshuar asnjë shkronjë të Kushtetutës së Serbisë në relacion me Kosovën dhe se nuk janë fqinj të mirë ngaqë e kanë bllokuar Kosovën.

“Nuk mund të sillem mirë unë, kur ata sillen kështu në këto kushte”, ka thënë Ahmeti, duke potencuar se edhe ai, por edhe Vetëvendosje dëshiron raporte të mira me Serbinë, si shtet fqinj. Nëse Serbia, sipas Ahmetit, nuk dëshiron t’a njeh Kosovën si shtet, atëherë nuk ka as lëvizje të lirë ekonomike.