Ahmeti: Në qoftë se MASHT nuk merr vendim për pezullim të mësimit, na detyrojnë të marrim vendim si Komunë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se në qoftë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nuk merr vendim për pezullim të mësimit, atëherë ai do të detyrohet që të marrin vendim si Komunë.
Ahmeti ka theksuar se një pjesë e madhe e fëmijëve nuk po vijnë në mësim sepse prindërit e pastaj edhe mësimdhënësit po e implementojnë vetë rekomandimet për parandalim të coronavirusit, transmeton Telegrafi.
Kryetari Ahmeti, sot gjatë ditës ka njoftuar se Komuna e Prishtinës po vazhdon me masat parandaluese specifike rreth virusit COVID19.
1. Gjatë vikendit do të dezinfektohen më detajisht hapësirat e ndërtesave të Komunës së Prishtinës ku ka sportele dhe shumë punë me palë. 2. Që nga nesër të gjithë punëtorët e sporteleve të Komunës së Prishtinës do të pajisen me maska, dorëza dhe dezinfektues.
Ahmeti ka deklaruar se Komuna vazhdon me ofrimin e të gjitha shërbimeve. /Telegrafi/




















































