Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe aktivistja Flutura Kusari të cilët kanë theksuar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar, ndërkaq, kanë kërkuar që emrat të mos dërgohen në Kuvend.

Në reagimin e tyre thuhet se procesi ka dështuar për disa arsye, ndërsa sipas tyre, përtej shkeljeve të evidentuara, procesi është zhvilluar në një klimë konfrontuese nga ana e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.


Lexoni të plotë postimin:

Ne, të poshtëshënuarit, pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar, i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mungesa e standardeve themelore të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale janë arsyet kryesore të kompromentimit të këtij procesi. Prandaj, rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare.

Ne vlerësojmë se procesi ka dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe transparente sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe shmangia nga standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Përtej shkeljeve të evidentuara, procesi është zhvilluar në një klimë konfrontuese nga ana e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në raport me disa monitorues, të shoqëruar edhe me postime publike të papërshtatshme dhe tallëse nga një deputete e shumicës në drejtim të monitoruesve të këtij procesi.

Komisioni Ad-Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Valmire Thaqi, Flokart Aliu, Fatos Mustafa, Arbrore Riza, Gëzim Brahaj, Xheraldina Cernobregu, Njomza Beqiri, Anita Toqi, Lulzim Beqiri, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj dhe Avni Zuka. Për pozitat nga komuniteti serb janë rekomanduar Vidosav Kostović, Ivana Milić ndërsa nga komunitetet tjera jo shumicë janë rekomanduar Anesa Ćolakovič dhe Aldin Šabani.

Disa nga shkeljet kryesore të evidentuara gjatë procesit të monitorimit, të cilat e kanë bërë këtë proces të kompromentuar, janë të evidentuara si në vijim.

Koha e shkurtër në dispozicion

Në proces kanë aplikuar gjithsej 75 individë për tetë pozita të lira në Bordin e RTK-së: gjashtë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është zhvilluar ndërmjet datave 9 dhe 16 prill 2026, që përfshinë gjithsej katër ditë pune, duke marrë parasysh fundjavën dhe Pashkët Ortodokse. Ditën e parë dhe të dytë janë mbajtur takimi konstituiv dhe takimi për shqyrtimin e dosjeve të aplikimeve, ndërsa vetëm dy ditë janë dedikuar për gjithsej 75 intervista. Procesi ka përfunduar në ora 1.30 të mëngjesit të datës 17 prill 2026 ndërsa intervista e fundit është zhvilluar pas orës 22.00.

Procesi është karakterizuar nga organizimi i çrregullt, i ndikuar nga insistimi nga partia në pushtet që ai të përfundohej brenda një kohe shumë të shkurtër. Fillimisht, të gjitha takimet kanë nisur me vonesë, për shkak se deputetët kishin angazhime të tjera në të njëjtën kohë brenda parlamentit.

Po ashtu, deputetët i kanë pranuar dosjet me vonesë dhe, nga momenti i pranimit të tyre deri në fillimin e intervistave, kanë pasur vetëm një ditë pune për shqyrtimin e 75 dosjeve, të cilat përmbajnë mijëra faqe. Në këto rrethana, nuk është realiste të pritet një shqyrtim i plotë dhe cilësor i këtij dokumentacioni brenda kësaj periudhe kohore.

Kandidatët janë njoftuar për intervistë vetëm një ditë më herët, disa prej tyre edhe në orët e vona të natës. Njësia mbështetëse e Komisionit u ka dërguar kandidatëve një email paraprak, përmes të cilit i ka njoftuar se intervistat mund të mbaheshin në javën në vijim, megjithatë ky njoftim nuk ka përbërë ftesë zyrtare. Kjo mënyrë organizimi ka cenuar mundësinë reale të disa kandidatëve për të marrë pjesë në proces. Disa prej tyre kanë kontaktuar përfaqësues të shoqërisë civile për të shprehur pamundësinë për të marrë pjesë, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, pasi ndodheshin në udhëtim.

Mungesa e metodologjisë

Një ndër shqetësimet kryesore në lidhje me këtë proces ka të bëjë me mungesën e një metodologjie të qartë, gjë që ka krijuar hapësirë që procesi të komprometohet që në fillim.

Metodologjia e pyetjeve është diskutuar dhe vendosur në ditën e parë të intervistave, vetëm pak minuta para ardhjes së kandidatëve. Pas një diskutimi të shkurtër, deputetët janë pajtuar për pesë pyetje të njëjta, të cilat do të parashtroheshin me rotacion. Në ditën e dytë të intervistave, kryetarja e Komisionit ka ngritur çështjen nëse pyetjet duhej të ndryshoheshin, por deputetët e tjerë nuk janë pajtuar me këtë.

Fillimisht, ishte vendosur që kandidatët të cilët nuk i kishin dorëzuar të gjitha dokumentet të eliminoheshin, pasi atyre u ishte dhënë edhe një mundësi e dytë për plotësimin e dokumentacionit. Megjithatë, gjatë shqyrtimit të kandidatëve të caktuar, është konstatuar se disa prej tyre nuk kishin dorëzuar as dokumente bazike, siç është CV-ja, pavarësisht kësaj mundësie të dytë. Në këto raste, Komisioni ka ndryshuar qasjen e vendosur më herët, pa dhënë arsyetim përkatës, duke u ofruar disa kandidatëve mundësi shtesë për plotësim të dokumentacionit. Kjo qasje për disa kandidatë paraqet trajtim favorizues, duke iu ofruar edhe një mundësi të tretë.

Për më tepër, një kandidate fillimisht është përjashtuar pa një bazë të qartë procedurale dhe ligjore. Komisioni, megjithatë, nuk kishte marrë vendim formal për përjashtimin e saj dhe më pas e njëjta është ftuar. Në një rast tjetër, kandidati është ftuar vetëm pak orë para intervistës, dhe vetëm pasi kishte bërë publik faktin se nuk ishte ftuar për shkak të ngatërrimit të numrit të telefonit.

Kështu, mungesa e metodologjisë nuk është një mungesë formale. Ajo ka krijuar pasoja praktike në menaxhimin e këtij procesi, duke cenuar të drejtat e disa kandidatëve dhe duke krijuar qasje favorizuese për disa kandidatë të tjerë. Për këtë arsye, pasojat e një qasje të pastrukturuar me një metodologji profesionale e kompromentuan në tërësi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Krahasimi me procesin e vitit 2021

Në vitin 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje sapo kishte marrë pushtetin, në procesin e rekrutimit ishte treguar respekt dukshëm më i madh për regullësinë e procesit, metodologjinë dhe të drejtën e organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve për të monitoruar procesin.

Për krahasim, komisioni i atëhershëm, i udhëhequr nga një deputet i opozitës, Armend Zemaj, ndonëse me shumicë nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte mbajtur katër takime para fillimit të procesit të intervistimit. Në ato takime ishte diskutuar në detaje lista e kandidatëve dhe ishin diskualifikuar paraprakisht ata që nuk mund të vazhdonin në proces. Për dallim nga ajo kohë, në procesin aktual ka ndodhur që çështja e diskualifikimit të kandidatëve të trajtohet edhe pas intervistimit, në mes të garës.

Në atë kohë, Komisioni Ad Hoc kishte vendosur që pyetjet të përpiloheshin në ditën e intervistës dhe jo paraprakisht. Në procesin aktual pyetjet janë përpiluar paraprakisht, duke rritur rrezikun për cenimin e konfidencialitetit të tyre.

Po ashtu, në vitin 2021, poentimi i kandidatëve ishte bërë në mënyrë transparente. Pas secilës intervistë, të gjithë anëtarët e komisionit i bënin publike pikët për secilin kandidat dhe jepnin sqarimet përkatëse për vlerësimin e tyre. Në procesin aktual, ndonëse është rekomanduar përdorimi i së njëjtës metodologji, kryetarja e Komisionit Ad Hoc, Arbërie Nagavci, nuk ka pranuar zbatimin e metodologjisë së vitit 2021. Kështu, vetëm pasi anëtarët e Komisionit intervistuan 75 kandidatë, ata bënë vlerësimin e tyre pa arsyetim adekuat dhe në mënyrë anonime, ashtu që të mos kuptohej se si ka votuar secili deputet.

Një element tjetër dallues në raport me vitin 2021 lidhet me atmosferën në të cilën është zhvilluar i tërë procesi. Në atë kohë, procesi dhe intervistat ishin zhvilluar në një qasje miqësore dhe më korrekte institucionale në raport me monitoruesit.

Përfundim

Ne konsiderojmë që shkeljet e lartëpërmendura ka qenë lehtë të evitueshme dhe janë bërë nga nxitimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të emëruar bordin e RTK-së duke sakrifikuar parimet e meritocracise dhe ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është një proces i kompromentuar, i cili komprometim konsiston si për nga mënyra e dizajnimit të tij, organizimit të tij, trajtimit të kandidatëve dhe vlerësimit përfundimtar të tyre. Për këto arsye, bordi jofunksional i RTK-së nuk duhet të plotësohet në këtë mënyrë me anëtarë të rinj sepse do të ketë pasoja afatgjate në pavarësinë dhe reputacionin e tij.

Një muaj më parë, Platforma e Këshillit të Europës për Siguri të Gazetarëve pas një misioni faktmbledhës gjeti se në Kosovë ka rënie të lirisë së medias dhe ndikimi politik në RTK-së ishte një ndër arsyet e këtij vlerësimi negativ. Pavarësia editoriale e RTK-së është kyçe për lirinë e medias në Kosovë dhe atë mund ta garantojë vetëm një bord i zgjedhur në një proces të rregullt.

Kompretimi i këtij procesi do të kontribuojë në përkeqësimin e mëtutjeshëm të lirisë së medias në vend.

Ne rekomandojmë që ky proces të kthehet në pikën zero, të dizajnohet në mënyrë adekuate duke respektuar të paktën standardet e zbatuara nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2021 në procesin e njëjtë. /Telegrafi/