eksperti-banner

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mund të ndërmarrë veprime që do të rrezikonin marrëveshjen e re të paqes mes SHBA-së dhe Iranit.

Sipas Washington Post, Netanyahu po përballet me presion të madh politik brenda Izraelit për të vazhduar operacionet ushtarake në Liban kundër Hezbollahut, pavarësisht marrëveshjes që kërkon ndërprerjen e armiqësive.


Raportet e inteligjencës amerikane vlerësojnë se mbijetesa politike e Netanyahut në zgjedhjet e ardhshme lidhet me premtimin se nuk do të tërheqë trupat izraelite nga Libani. Sipas sondazheve, rreth 70 për qind e izraelitëve mbështesin vazhdimin e luftës kundër Hezbollahut.

Tensionet u rritën të premten pasi Izraeli kreu sulme ajrore në jug të Libanit si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me dron të Hezbollahut, ku u vranë katër ushtarë izraelitë.

Për shkak të situatës, raundi i ri i negociatave SHBA-Iran në Zvicër u shty, ndërsa zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance anuloi udhëtimin e planifikuar.

JD Vance kritikoi indirekt qeverinë izraelite, duke deklaruar se Trump është aleati më i fuqishëm i Izraelit dhe se nuk do të ishte e mençur të sfidohej mbështetja e tij.

Edhe Trump ka pranuar se ka mosmarrëveshje me Netanyahun për operacionet në Liban, duke e paralajmëruar kundër reagimeve të tepruara ushtarake.

Aktualisht, ushtria izraelite kontrollon më shumë se 300 kilometra katrorë territor në Liban, ndërsa sipas autoriteteve libaneze mbi 3000 persona janë vrarë që nga mesi i marsit.

Analistët paralajmërojnë se vazhdimi i konfliktit mund të shkaktojë përplasje serioze mes Uashingtonit dhe Tel Avivit. Sipas tyre, SHBA-ja ka mjete të forta presioni ndaj Izraelit, përfshirë kufizimin e ndihmës ushtarake dhe të bashkëpunimit në fushën e inteligjencës.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse administrata Trump do të përdorë këto instrumente në rast se Izraeli vazhdon operacionet që mund të rrezikojnë marrëveshjen historike me Iranin. /Telegrafi/