Netanyahu lavdëron ushtrinë për sulmet në Liban


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka mbështetur sulmet e fundit ajrore të Izraelit në Liban, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra viktima, ndërsa nuk ka bërë asnjë koment për marrëveshjen e armëpushimit me grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Netanyahu tha se sulmet u kryen “sipas udhëzimeve të mia”, duke vlerësuar veprimet e ushtrisë izraelite.
Sulmet izraelite në Liban kanë lënë të paktën 47 persona të vrarë, sipas raportimeve, duke rritur shqetësimet se përplasjet e reja mund të rrezikojnë përpjekjet për një marrëveshje më të gjerë paqeje në rajon.
Ndërkohë, lideri izraelit nuk përmendi armëpushimin me Hezbollahun, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të ruajtur qetësinë në kufirin Izrael–Liban.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi më herët se trupat e Izraelit të vendosura në territorin e Libanit kanë “liri veprimi” për të reaguar ndaj çdo kërcënimi.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka bërë të ditur se 47 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në territorin libanez. Sipas njoftimit, sulmet janë kryer nga mesnata deri pasditen e sotme dhe kanë plagosur gjithashtu 97 persona në zonat e jugut të Libanit dhe në rajonin e Baalbekut.
Ministria deklaroi se që nga përshkallëzimi i luftës në muajin mars, numri i të vrarëve në Liban ka arritur në 3 mijë e 980 persona. /Telegrafi/




































