LAJMI I FUNDIT:

Agjencia e Statistikave: Bie inflacioni gjatë muajit shtator

Agjencia e Statistikave: Bie inflacioni gjatë muajit shtator

Inflacioni mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin shtator ishte 0.1 për qind, deri sa ky indeks pësoi rënie në një mesatare prej 0.1 për qind krahasuar me muajin gusht 2020.

Kështu thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, shtator 2020”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përcjell Telegrafi.


Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit të pemëve me 9.3 për qind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal me 0.4 për qind si rezultat i rënies së çmimeve të naftës dhe benzinës, pushimet e organizuara me 2.3 për qind, shërbimet hoteliere me 0.6 për qind apo me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në IHÇK.

“Ngritje e çmimeve vërehet te perimet me 4.2 për qind, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera me 1.9 për qind, si rezultat i ngritjes së çmimit të drurit për ngrohje, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2020 me shtatorin e vitit të kaluar ishte minus 0.4 për qind.

Ky dallim është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te qumështi, djathi dhe vezët me 2.1 për qind, pemët me 3.5 për qind, veshjet me 1.3 për qind, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës me 5.5 për qind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal me 14.5 për qind si pasojë e rënies së çmimeve të naftës dhe benzinës, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.4 për qind në IHÇK.

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te buka dhe drithërat me 2.6 për qind, mishi me 1.5 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 3.1 për qind, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 2.9 për qind, duhani me 2.2 për qind, produktet mjekësore, aparaturat dhe pajisjet me 4.7 për qind, shërbimet ambulatore me 5.5 për qind, shërbimet hoteliere me 1.8 për qind, kujdesi personal me 2.1 për qind, sigurimet me 19.7 për qind si pasojë e ngritjes së çmimeve të sigurimeve të automjeteve, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1 për qind në IHÇK. /Telegrafi/