LAJMI I FUNDIT:

ADAMI

ADAMI

Poezi nga: Marin Sorescu
Përktheu: Aurel Plasari

Ndonëse ndodhej në Parajsë,
Adami çapitej i pikëlluar shtigjeve
pa e ditur ç’i mungonte.


Atëherë Zoti bëri Evën e gatshme
nga një brinjë e Adamit.

Aq shumë i pëlqeu kjo mrekulli njeriut të parë,
sa menjëherë
preku brinjën tjetër
dhe gishtërinjtë iu drodhën
nga dy gjinj të fortë dhe dy kofshë të ëmbla
si konture notash muzikore:
një Evë e re i qe shfaqur përpara.
Ajo sapo kish nxjerrë pasqyrëzën
dhe po lyente buzët.
“I ka jeta këto!” psherëtiu Adami
dhe krijoi edhe një tjetër.

Kështu, gjithësaherë Eva zyrtare
i kthente krahët
ose vente në treg për flori, smirnë a temjan,
Adami nxirrte në dritë një kadëne të re
nga haremi i brinjëve të veta.

Zoti e pikasi
këtë krijimtari të shthurur të Adamit,
e thirri në audiencë, e sikterisi siç sikteris veç ai,
dhe e dëboi nga Parajsa
për surrealizëm.