LAJMI I FUNDIT:

Abdullahu nga KRU ‘Prishtina’: Aktualisht furnizimi me ujë të pijshëm është i qëndrueshëm, është në dorën e konsumatorit nëse do të kursehet

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm është i qëndrueshëm, por kërkon nga qytetarët që të kenë kujdes me përdorimin e këtij uji.

Abdullahu thotë se mungesa e reshjeve ka bërë që niveli i ujit në liqene të bie për disa metra.


“Gjendja aktuale me furnizim me ujë të pijshëm për regjionin e Prishtinës dhe komunat e tjera që i furnizojmë, mund të themi se është furnizim stabil. Po shpresojmë duke i menaxhuar në nivelet dhe konsumin ditor, ta kalojmë këtë periudhë, që është një periudhë që vitin e kaluar dhe tani kemi kaluar me një thatësirë me reshje nën mesatare. Kështu që rëniet e niveleve janë nën rreth 11 metra, por me reshjet e fundit kemi një prurje për 12 centimetra të liqenit të Batllavës. Po presim që të ketë reshje të tjera në pranverë që ta kalojmë këtë krizë”, thotë Abdullahu.

Ai kërkon nga konsumatorët që të kenë kujdes me përdorimin e ujit të pijshëm.

Ilir Abdullahu, kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”

“Tani për tani po dëshirojmë ta mbajmë një plan të reduktimeve. Çdo reduktim, do të rris pakënaqësitë te konsumatorët. Ne po shpresojmë që muajt e pranverës së hershme të kemi reshje, ku do të kemi edhe një përmirësim të nivelit të liqeneve dhe të ketë furnizim të pandërprerë. Apeli do të jetë që uji të kursehet apo të moskeqpërdorët. Është në dorën e konsumatorit nëse ne do ta kursejmë ujin e pijshëm”, kërkon ai.

Abdullahu duke folur për mungesën e ujit të pijshëm, thotë se njëri nga planet emergjente do të jetë sjellja e ujit nga liqeni i Ujmanit në atë të Badocit, sipas tij gjendja e tubacionit është e keqe, por që do të shikohet si mundësi.

“Planet emergjente, tani për tani, ndoshta do të jepen në muajt në vazhdim nëse nuk do të ketë reshje në periudhën e pranverës. Mund të jetë ai plani i dërgimit të ujit nga liqeni i Ujmanit në drejtim të Badocit. Edhe pse gjendja e tubacionit është shumë e keqe, por shpresoj që në të ardhmen do të planifikohet për ato mundësi. Unë besoj se do ta kalojmë këtë situatë dhe nuk do të kemi nevojë, por duhet të shikohet si mundësi. Ne duhet të vetëdijesohemi që ta ruajmë ujin e pijshëm”, shton Abdullahu. /Telegrafi/