LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku: Veseli me personelin e tij po shpenzojnë shumë në udhëtime zyrtare

Abdixhiku: Veseli me personelin e tij po shpenzojnë shumë në udhëtime zyrtare

Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk e ka votuar raportin e Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2019, me arsyetimin se nuk i ka ofruar të gjitha të dhënat e nevojshme për arsyet e shpenzimeve.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, gjatë raportimit tha se për paga dhe shpenzime Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar 1 milion e 567 mijë euro.

“Tek pagat dhe shpenzime kemi 1 milionë e 567 mijë euro ose shprehur në përqindje është 100 për qind, mallra shërbime është në përqindje 37 përqind për këtë periudhë, tek shpenzimet komunale kemi 85.74 për qind, subvencione dhe transfere është 95 për qind, ndërsa shpenzimet kapitale në këtë periudhë raportuese nuk kemi pasur shpenzime sepse është faza e inicimit të kësaj procedura”, tha Krasniqi.

Lidhur me këto të dhëna të raportit të shpenzimeve të Kuvendit për tre mujorin e parë të këtij viti kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku e ka akuzuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli se po bën shpenzime të mëdha nëpër udhëtime zyrtare, ku po shoqërohet me një numër të madh këshilltarësh.

Duke iu referuar raportit, Abdixhiku tha se udhëtimi një javor i kryeparlamentarit Veseli i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 21 mijë euro, ku vetëm një dhomë gjumi është paguar 600 dollarë.

“Edhe këtë tre mujor stafi politik që janë këshilltar kryesisht të kryetarit të Kuvendit ka shpenzuar në udhëtime jashtë vendit me akomodime dhe shpenzime tjera proporcionalisht gati sa 40 për qind të deputetëve të Kuvendit. Dhe unë nuk e kuptoj pse duhet kryetari i Kuvendit të udhëtojë kaq shumë me kaq zyrtarë dhe kaq shumë këshilltarë jashtë. Në udhëtimin e dhjetorit në udhëtimin 1 javor në SHBA, Kuvendit të Kosovës, zotëri Veselit me tre këshilltarë i ka kushtuar 21 mijë euro,kjo është në bazë të raportit në fjalë dhe unë konsideroj se është një shumë e madhe… Nuk është as pozitë as ekzekutive as presidenciale as ministër i Punëve të Jashtme, por edhe nëse duhet të udhëtojë pse duhet të shkojë me kaq shumë këshilltarë jashtë… Jam tmerruar kur kam parë dhomë hoteli 600 dollarë është shumë e lartë për standardin e Kosovës”, tha Abdixhiku.

E mendimit të njëjtë kishte edhe anëtarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila tha se buxheti i Kosovës po shpenzohet për lukse të qeveritarëve.

Sipas saj kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli krahas udhëtimeve zyrtare shuma të mëdha po shpenzon edhe për dreka zyrtare.

“Përveç shpenzimeve jashtë vendit mbetet shumë të larta edhe shpenzimet për drekat zyrtare domethënë janë rreth 30 mijë euro për dreka zyrtare dhe nëse i shohim këto dreka zyrtare prej renditjes mbi 30 të dhëna për dreka zyrtare me çmime nga më të ndryshme pa arsyetim se për çfarë janë përdorur. Mbi 20 raste të drekave zyrtare deri tash të shtruara janë nga kryetari i Kuvendit me shifra kryesisht të mëdha për shembull; drekë zyrtare 349 euro; drekë zyrtare kryetari i Kuvendit 411 euro, drekë zyrtare kryetari i Kuvendit 507 euro duke vazhduar vetëm me të dhëna të shënuara si një drekë pa u ditur saktë cila është arsyeja e asaj dreke” tha Nagavci.

Deputeti Ali Lajçi po ashtu nga Vetëvendosje ka pasur një pyetje për përzgjedhjen e stafit politik nëpër udhëtimet zyrtare, por sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi tha se si administratë nuk kanë mandat të vendosin për numrin e anëtarëve që do të udhëtojnë.

“Sa i përket përbërjes së delegacioneve është vendimmarrje gjithmonë politike të cilën ne si administratë e zbatojmë vendimin që është marr nga organi kompetentë në këtë rast siç është kryesia, ndërsa nuk është në mandatin tonë të vlerësojmë përbërjen dhe numrin e anëtarëve të komisionit të cilët udhëtojnë“, u shpreh Krasniqi.

Shpenzimet e Kuvendit të Kosovës i ka arsyetuar deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, e cila tha se udhëtimet zyrtare nga ana e Kuvendit të Kosovës janë të rëndësishme për ta promovuar punën e vendit.

Ajo i ka hedhur poshtë shifrat e udhëtimit zyrtar të Veselit në SHBA duke thënë se ajo shifër nuk përkon me raportin.

E në reagimin e tij deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se në shifrën 21 mijë euro duhet të përfshihen edhe shpenzimet e Veselit si deputet.

Por Hadërgjonaj duke iu kundërpërgjigjur deputetit nga LDK-ja tha se deputetët e opozitës asnjë udhëtim zyrtar nuk e refuzojnë me qëllim të kursimit të buxhetit, përkundrazi ajo tha se janë shumë insistues për të udhëtuar.

“Nuk është një shifër prej 21 mijë eurosh siç u raportua këtu prandaj ne kur t’i lexojmë shifrat duhet t’i lexojmë realisht dhe ashtu siç paraqiten dhe jo t’i lexojmë ashtu siç kemi dëshirë për t’i paraqitur…Jam për t’i kufizuar shpenzimet sidomos të udhëtimeve jashtë vendit, jam që për çdo udhëtim të cilin e kërkojnë sidomos deputetët për të udhëtuar jashtë vendit të cilët janë një kategori e deputetëve të caktuar të cilët mezi presin me iu ardhur një ftesë në faqen e tij dhe me bë kërkesë për udhëtime zyrtare”, u shpreh Hadërgjonaj.

Në këtë mbledhje të komisionit për Buxhet dhe Financa është votuar raporti vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018, ku me këtë rast ka raportuar edhe kryeshefi i Zyrës Kombëtare të Auditorit, Besnik Osmani i cili tha se shpenzimet më të mëdha bëhen për pagesën e qeras, ndërrimi i objektit ka bërë të ketë tejkalime të shpenzimeve.

Ai tha se ndikim në buxhetin tyre ka edhe puna në terren. Osmani tha se është shtuar edhe numri i auditiveve për shkak të kërkesave që i kanë marr nga Kuvendi i Kosovës. /KP/Telegrafi/