LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku paralajmëron uljen e pagave për menaxhmentin e Trustit

Abdixhiku paralajmëron uljen e pagave për menaxhmentin e Trustit

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është e trishtë që Kosova të paguajë paga marramendëse për menaxhmentin e Trustit Pensional.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ndalja e kësaj çmendurie është në dorën e tyre.


Postimi i plotë:

Tash,

Sa herë që flitet për Trustin Pensional të Kosovës, flitet – me plot të drejtë – edhe për pagat marramendëse për menaxhmentin e këtij institucioni; hiç më pak se 6 mijë euro në muaj.

6 mijë euro është paga më e lartë publike në vend. Është e padrejtë, e pakuptimtë, e në fund të ditës edhe e trishtë që një Kosovë e varfër të paguajë kaq shumë. Një shpërputhje me realitetin kosovar si kjo, s’do të duhej të kishte vend asnjëherë. Nuk ka arsyetim. Por është toleruar si e tillë tash e 12 vjet.

Nuk e kam kuptuar asnjëherë pse një tolerim i tillë ka ngjarë. Deri sa kam marrë nën udhëheqje Komisionin për Buxhet dhe Financa. Aty e kam kuptuar se ndalja e kësaj çmendie është në dorë tonën. Fare e lehtë.

Rrjedhimisht, bashkë me anëtarët e tjerë të Komisionit – unanimisht – kemi vendosur të rimodelojmë kompenzimin; duke sjellur kompenzimin e Trustit në nivel të Bankës Qendrore – e asnjë euro më shumë. Zvogëlimi i megapagave mund të mos prodhojë shumë kursime ne fotografinë makro, porse jep një model të përgjegjshëm të menaxhimit të parasë publike, për çka kemi nevojë shumë. /Telegrafi/