LAJMI I FUNDIT:

AAK kërkon rinumërim total të votave

AAK kërkon rinumërim total të votave

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ibrahim Selmanaj në mbledhjen e cila po mbahet në KQZ ka kërkuar rinumërim të plotë të votave.

Selmanaj tha se parregullsitë kanë filluar nga qendrat e vendvotimit.


“Qëndrimi i AAK-së, hetuesia duhet seriozisht të merret me këtë rast dhe me secilin komisioner, përgjegjës dhe në secilën kuti të votimit që janë bërë ndërhyrje. Kërkoj nga KQZ që të bëhet rinumërim i plotë, që të pastrohet ky proces dhe secili të përgjigjet për veprën që ka bërë”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se hetimet janë në proces e sipër dhe se nuk mund të flas më shumë për këtë gjë derisa të kryhet ky hetim.

“Hetimet janë në zhvillime e sipër. Kemi persona të ndaluar nga prokuroria dhe unë nuk dua të flas më shumë për këtë. Kemi rinumëruar të gjitha votat me kusht dhe me postë. Pasi të kryhen hetimet ne do ta kemi informatën e plotë se çka ka ndodh dhe kush është i involvuar”, tha ajo.

Daka po ashtu tha se objekti i hetimit nuk janë kutitë e tjera, por vetëm disa kuti që janë rinumëruar ditën e parë në Qendrën e Numërimit të Votave.

“134 kuti nuk janë objekt i hetimi”, u shpreh Daka.

Mirëpo sa i përket kërkesë së Selmanajt, Daka tha se nuk mund të jep ndonjë mendim.

“Sa i përket rinumërimit total të propozuar nga Ibrahimi nuk mund të jap ndonjë mendim, ato janë çështje e KQZ-së dhe nëse merr përkrahje te KQZ-ja atëherë do të ndodhë”, tha ndër të tjera ajo.

Ndërkaq, kundër kësaj kërkese të AAK-së është anëtari i KQZ nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi. /Telegrafi/