LAJMI I FUNDIT:

AAK e quan mashtrim ordiner vendimin e ZRRE-së, kërkon nga Qeveria ta shfuqizojë

AAK e quan mashtrim ordiner vendimin e ZRRE-së, kërkon nga Qeveria ta shfuqizojë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike që të tregohen transparent dhe të tregojnë çmimin real të shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Përmes një komunikate për media, AAK-ja ka thënë se kanë kaluar 48 orë prej kur ZRRE-ja e rriti në mënyrë drastike çmimin e energjisë elektrike dhe akoma nuk ka transparencë se si po përdoren paratë e taksave të qytetarëve për subvencionim.

“Kanë kaluar 48 orë prej kur ZRRE e rriti në mënyrë drastike çmimin e energjisë elektrike dhe akoma nuk ka transparencë se si po përdoren paratë e taksave të qytetarëve për subvencionim. Paratë tuaja, qytetarë të nderuar, Kurti po i përdor për të fshehur dështimin e tij dhe për të thënë se ‘rryma për 800 kilovatët e parë nuk shtrenjtohet’. Është e vërtetë që në faturë kjo pjesë nuk do figurojë, por shtrenjtimi do të ndodhë, veçse diferencën e paguan qeveria, po me paratë tuaja. Plus ky subvencionim do të hiqet fundvitin e ardhshëm dhe prapë barra do të jetë individuale e juaja”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

AAK më tej ka theksuar se prej dje shteti do të jetë më i varfër e me këtë edhe qytetarët do të jenë më të varfër.

“I bëjmë thirrje ZRRE-së dhe qeverisë që të tregojnë transparencë dhe menjëherë të tregojnë çmimin real dhe mënyrën e ndarjes së 100 milionë eurove të taksave tona. Si rrjedhojë e këtij mashtrimi ordiner i bëjmë thirrje qeverisë që ta shfuqizojë vendimin për shtrenjtimin e rrymës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/