LAJMI I FUNDIT:

A është Kosova çështje teknike?!

Defaktorizimi përmes nënshkrimit të protokolleve:

Më në fund, pas “qëndresës heroike” të Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe “përkrahjes” së madhe që i dhanë qytetarët protestës së organizuar nga Lëvizja “VTËVENDOSJE !” së bashku me 20 OJQ kosovare, misioni për “monitorim, këshillim dhe përkrahje” EULEX, duke i injoruar të gjithë e nënshkroi një Protokoll për bashkëpunim policor me Serbinë! U bë shumë zhurmë dhe doli për asgjë! Për çështje thjesht teknike sipas EULEX-it dhe disa institucionalistëve kosovarë! Çështje teknike për një popull i cili llogaritet të jetë gjithashtu teknik e jo politik. Po mos të ishte e përditshmja “Koha Ditore” për nënshkrimin e këtij Protokolli do të dinim aq sa për synetinë e Draganit, stërnipit të Moamer Gadafit!

Ky protokoll u nënshkrua siç do të nënshkruhen edhe shumë të tjerë, qoftë protokolle apo çdo gjë që iu serviren pushtetarëve. Ky automatizëm i nënshkrimit të çdo gjëje dhe pranimit të çdo gjëje nuk është simbol identifikimi i kësaj qeverie por ka qenë dhe do të mbetet rutinë edhe për qeveritë e mëparshme dhe atyre pas kësaj! Nënshkrimi i këtij protokolli i vë në pah dy çështje me rëndësi:

1. Mospërfillja dhe nënçmimi i skajshëm i autoriteteve vendore nga ndërkombëtarët që në Republikën e Kosovës po e zbatojnë një sistem tipik kolonialist ku qartë dihet kush jep urdhëra dhe kush duhet t’i zbatojë ato! Këtu janë dy personazhe; nënshkruesi dhe i nënshtruari! Të tjerë nuk ka!

2. Mungesë kronike e aktivizimit qytetar si reagim ndaj proceseve krejtësisht negative për Kosovën. Kjo u vërejt më së miri në protestën e fundit të Lëvizjes “VETËVENDOSJE!” dhe 20 OJQ-ve tjera ku numri i protestuesve ishte tejet simbolik.

3.
Jam i bindur se kjo protestë ka qenë e panevojshme sepse në fakt kjo u bë pasi u “fal Bajrami” ose përkthyer më shqip, pasi u nënshkrua Protokoli! Në këtë protestë ka pasur slogane jashtëzakonisht domethënëse por edhe ato që e tejkalojnë kufirin andaj edhe nuk mund të jenë mobilizuese për protestat eventuale në të ardhmen.
Aq më parë kur dihet fuqia reale e “bartësve të pushtetit” apo Institucioneve të Kosovës. Ata kanë pushtet mbi ne por jo në proceset vendimmarrëse për Kosovën.

Aspak nuk e kundërshtoj kërkesën që Fejti dhe Kermabo të ikin nga Kosova! Po pse të ikin Fatmiri (Sejdiu), Hashimi (Thaçi), dhe Kupi (Jakup Krasniqi)?! Dhe ku të shkojnë ata.? Pastaj, kërkesa që këta të ikin së bashku, me Fejtin është thjesht qesharake, groteske! Atë çast kur Fejti dhe fejtët e tjerë nuk do të ketë nevojë për ta, lëre më që nuk do t’i marri me vete por as nuk do t’u thonë as good morning! Unë, për veten time nuk do të heq dorë nga ta edhe nëse plandosen në fund të pusit. Fatmirin e kam timin (vendas), Hashimin e kam pasë njëfarë jarani ndërkaq Kupin (sipas protestuesve) e respektoj ngase e ka vlerësuar realisht situatën. Pasi ka qenë i vetëdijshëm se ndikimi i tij në pengimin e nënshkrimit të Protokollit ka qenë i barasvlershëm me ndikimin tim se kush do të jetë pasardhës i Hugo Çavezit, u dorëzua, si burrat! Kësaj i thonë: “shtrije këmbët sa e ke të gjatë jorganin”. Ndryshe, ose të mërdhijnë këmbët ose të rrahin gishtërinjve!

Po pse po sillet bashkësia ndërkombëtare në këtë mënyrë me liderët e zgjedhur nga vota e më pak se 40% të qytetarëve të Kosovës? A po mundohet t’i forcojë ata? Mendoj se jo, në asnjë mënyrë! Madje, ata janë duke ua përgatitur një rreng, përmes turpërimit, nënçmimit duan t’i zhveshin nga ndjenja e të qenit liderë, duan t’i bëjnë të vegjël para popullit, duan që të krijojnë një situatë që kur nesër apo një ditë tjetër t’i eliminojnë nga skena politike dhe jo vetëm politike, t’u mos dhimbsen askujt, madje as mulla Sherifit që njihet si humanist i madh! Po të donin t’i ruanin liderët tanë ndërkombëtarët, do të ishin më të mëshirshëm me ta!
Edhe njëherë përsëris botërisht: nuk do të heq dorë nga ta edhe nëse Fejti apo pasardhësit e tij i qesin “në hije”. Do të sillem në mënyrë shumë më të njerëzishme me ta, madje edhe do t’i vizitoj nëse do ta kem mandatin që e kam sot! Çdokush që i ka dy kokrra mend e ka të qartë se President, Kryeministër, Kryeparlamentar dhe Kushtetutë, në Kosovë është Piter Fejt! Andaj, pse t’i shaj apo hidhërohem me Fatmirin, Hashimin dhe Kupin. Nuk e bëj dot sepse këta i kam diçka, Piter Fejtin asgjë! Kam hulumtuar trungun gjenealogjik të familjes Shala dhe kam konstatuar se as me fibra optikë nuk jam i lidhur me Fejtin e lere më të kem ndonjë lidhje më të afërt!

Piter Fejt i ka mbështetur krerët institucionalë (përjashtuar Kupin, më heret e sqarova pse?) për muri duke ua lënë dy mundësi: Take it or leave it, që përkthyer në shqip nënkupton: merre këtë ose lëre këtë! Ose, a e doni karrotën ose shkopin? Ose edhe në shqip: a doni të jetoni në Prishtinë apo në Dubravë? Përparësia e të jetuarit në Dubravë krahasuar me Prishtinën është se ajri është më i pastërt. Mirëpo edhe kjo përparësi eliminohet me ndihmën e shumë kondicionerëve. Të tillë ka shumë në Prishtinë! Më shumë se që është e nevojshme!

Piter Fejt edhe ata që vijnë pas tij ende nuk e kanë kuptuar se në Kosovë më shumë përdoren fjalitë e thjeshta se ato të përbëra sepse më lehtë kuptohen! Disi u përngjajnë urdhërave! Andaj, nëse e respekton vendin e punës duhet edhe ai t’i përshtatet mjedisit; duhet të përdorë fjali të thjeshta pra, mjafton të thotë: TAKE IT!

Në fund të fundit ndërkombëtarët në Kosovë kanë spekuluar me dy oferta, dy mundësi mirëpo gjithmonë e kanë ofruar vetëm një: kërcënimin, shantazhin dhe diktatin! Mundësia e dytë ka qenë për përdorim të brendshëm. Do të isha mosmirënjohës nëse nuk e çmoj “ndihmën” e Fejtit dhe miqve tjerë ndërkombëtarë, së pari na detyrojnë ta gëlltisim një autobot me ndyrësira për të na qerasur në fund me një lugë mjaltë! Paramendojeni, një lugë mjaltë kundër një autobote me ndyrësira, çfarë pabarazie! Nuk po luhet aspak fer! Na imponojnë Rambujenë, Marrëveshjen e Kumanovës, Korniza Kushtetuese, decentralizimin sipas parimit etnik, himnin për shurdhmemec, flamurin e Tinës Marigonë, Kushtetutën Paketë, Protokolle etj.etj dhe si desert (bensidinë) “Rrefyesin evropian”. Çdo lëvrues i internetit këtë “rrëfyes evropian” mund ta printojë kur të dojë.

Lenini, Stalini dhe Kermabo:

Dy të parët nuk janë më gjallë, Kermabo duket se është mirë me shëndet! Për një pensionist nuk duhet të jetë fort keq! Kermabo është shef i Misionit për Sundim të Ligjit i quajtur EULEX! Mandati i këtij misioni është këshillëdhënës dhe përkrahje për drejtësinë në Kosovë! Në fakt, për vete e kanë rezervuar një kompetencë të vogël ekzekutive, krejt të vogël: TË BËJNË Ç’TË DUAN!

Kermabo i pati shpallur luftë të gjithë kriminelëve, atyre të luftës, kriminelëve paqësorë, krimit etnik, krimit politik, krimit të organizuar, krimit spontan, korrupcionit, larjes së parave të pista, por të ëmbla, prostitucionit, trafikimit me qenie njerëzore etj. Të njëjtat premtime i pati dhënë edhe Guarda di Finanza për t’u shndërruar në frekuentues të zakonshëm të kafiterive të Prishtinës dhe gjahtarë të femrave dhe meshkujve, varësisht prej përcaktimit! Dhe bukur fort e patën luftuar krimin! Nuk arritën ta çrrënjosin tërësisht ama prej 100% e zbritën në 99.99%!

Kermabo seriozisht i ka përvil mëngët: i ka arrestuar të gjithë kriminelët multietnik të luftës, i ka mbushur burgjet me kriminelë në Mitrovicën e Veriut, ka arrestuar të gjithë kriminelët etnik (shqiptarë) të të gjitha profileve. E ka çrrënjosë korrupsionin, krimin e organizuar, krimin etnik, politik etj! E ka sterilizuar Kosovën nga çdo lloj krimi! Kemi ardhur në situatë që na ka marr malli ta takojmë një hajn, një kriminel të luftës apo të paqes, një qenie të trafikuar etj. Eu, Kermabo po ç’na more në qafë! Kriminelët janë bërë si mikrobet: janë gjithkund rreth nesh por nuk duken ndërkaq që Kermabo e ka harruar mikroskopin andaj nuk po i sheh! Nuk e di çfarë zhanri letrar pëlqen Kermabo por më duket se është i pasionuar pas Dante Aligerit!

Ju, lexues të nderuar do të pyetni me të drejtë se unë po spekuloj, me afinitetet prej lexuesi të Kermabosë! Po pse e them këtë”? Kermabo, prokuroritë e Kosovës i ka shndërruar në shoqatat të autistëve (nuk dëgjojnë fare, të shurdhër) ose daltonista (në vend të ngjyrave nuk e dallojnë krimin)! Gjithashtu, gjykatat i ka shndërruar në Purgatorium: kriminelët e të gjitha llojeve aty spastrohen dhe shndërrohen në humanistë! Kjo është arsyeja pse mendoj se Kermabo e don fort Aligerin! Për dallim prej tij, unë e pëlqej Françesko Petrarkën.

Ajnshtajni dhe opozita kosovare:

Se Albert Ajnshtajni ka qenë gjeni në shkencë nuk diskutohet fare! Gjithashtu, se kemi një opozitë gjeniale në Kosovë, e kam fjalën për politikë mund të kontestohet edhe më pak! Janë disa margaritarë që i ka shkrepur opozita javën e kaluar: disa kërkuan që autostrada Merdare-Vërmicë ta merr kahjen Vërmicë-Preshevë e që në fakt është folklor politik aq më parë që nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët e Luginës së Preshevës! Disa kërkojnë që të ndërtojnë hekurudhën nëntokësore Prishtinë-Alaskë!

Presidenti i një partie opozitare i cili, sipas mendimit tim mund të bëhet çdo gjë por vetëm politikan jo, i Pranoj 6 pikat e Ban Ki Munit dhe Protokollin që u nënshkrua dhe ato që do të nënshkruhen në të ardhmen. Më herët më kujtohet fort mirë reagimi i këtij subjektit politik për 6 pikëshin dhe Protokollet. Këtë e përdornin për ta diskredituar pozitën në kohën kur vet ky subjekt politik i pranonte çdo gjë që servirej-imponohej nga ndërkombëtarët. Pra, aspak nuk do të befasohem nëse ky president, nesër mund të dali dhe të pranojë Naçertanijen e Garashaninit dhe Kushtetutën e Vidovdanit! Kushtetutën e Ahtisarit e ka pranuar me të parën, pa asnjë kundërshtim!

Megjithatë, margaritari kryesor i kësaj jave ishte kërkesa e opozitës drejtuar pozitës që kjo të kërkoi nga EULEX që ky mision, para Institucioneve të Kosovës ta bëjë të qartë mandatin e tij!!! Në vendet normale kur dihen rrethanat dhe gjendja reale pas kësaj pyetjeje, së paku do të angazhohej ndonjë mjek i profilit përkatës, në Kosovë kjo llogaritet si pyetje dhe zë vend të theksuar në të gjitha mediat!

Kosova definitivisht është vend i paradokseve. Për relaksim, një lider i një partize opozitare ka deklaruar se kandidatët për kryetar komune të kësaj partize as nuk janë blerë as nuk shiten! Për të parën nuk jam shumë i sigurtë, për të dytën nuk kam asnjë dyshim! Askush nuk është i interesuar t’i blejë pavarësisht çmimit!

Bill Kllintoni dhe Adem Jashari:

Më në fund u hoqën dilemat, shtatorja e ish presidentit të SHBA-ve, Bill Kllinton do të vendoset në një kënd të Bulevardit me të njëjtin emër. Në Prishtinë shtatore të Adem Jasharit nuk mund ta gjesh askund! Përveçse në zyrat e politikanëve apo gjatë ndonjë akademie përkujtimore! Të dy ishin president, Klintoni i SHBA-ve, Adem Jashari president i Pavarësisë së Kosovës! Klintoni është i gjallë por i vdekshëm. Adem Jashari nuk është më i gjallë por është i pavdekshëm!

Bill Kllintoni mund ta ketë vendin në Prishtinë por Adem Jashari jo! Për të Prishtina është vend i ndaluar. Nuk ka shtatore, nuk ka rrugë, nuk ka shesh me emër të tij e lere më bulevard me emër të tij! Adem Jashari e ka vendin aty ku është liria, pavarësia, shqiptaria, prandaj është përjashtuar nga Prishtina.

(Autori i këtij shkrimi është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së, pikëpamjet janë krejt personale)