LAJMI I FUNDIT:

A duhet Gjykata Speciale të merret edhe me kriminalitetin ekonomik?

A duhet Gjykata Speciale të merret edhe me kriminalitetin ekonomik?

Parlamenti i Kosovës me shumicë votash, në prill të vitit të kaluar ratifikoi marrëveshjen Kosovë-BE, e cila i hapi rrugë themelimit të gjykatës speciale.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje ishte bazuar në shkëmbimin e letrave ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifte Jahjaga dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.


Në aspektin juridik, ky shkëmbim i letrave apo korrespodencë nuk ishte marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë e cenon Kushtetutën tonë.

Drafti i Ligjit për Gjykatën Speciale, i cili u prezantua para disa ditësh, parasheh Dhoma të specializuara dhe Prokurori të specializuar, që do të jenë në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës ama do të jenë të pavarura nga çdo nivel i sistemit të gjykatave në Kosovë, që do të thotë se do të kenë përparësi ndaj çdo gjykatë të vendit tonë.

Si rezultat i kësaj, në Kosovë po krijohet një shkallë e re e sistemit gjyqësor dhe kësisoj krijimi i kësaj gjykate është rrënim total i sistemit të drejtësisë, përkatësisht drejtësisë vendore, të UNMIK-ut dhe asaj të EULEX-it, ndërsa në anën tjetër është biznes ekonomik dhe politik.

Meqenëse kjo shkallë e re e gjyqësore po na imponohet dhe bashkësia ndërkombëtare po na kërcënon, me mundësinë e krijimit të kësaj gjykate nga Këshilli i Sigurimit në rast se nuk e bëjmë ne, atëherë përfaqësuesit tanë do të duhej të paktën të shfrytëzonin që në kompetencë të kësaj gjykate të jetë edhe kriminaliteti ekonomik.

Qe nga paslufta u bënë 15 vite dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se kriminaliteti ekonomik ka bërë kërdinë me të gjithë ato veprime dhe sjellje të kundërligjshme të personave fizikë dhe juridik, me të gjithë ato veprime që pengojnë afarizmin ekonomik, ndërsa pjesëmarrësve në ketë afarizëm u shkaktojnë dëme të mëdha materiale dhe financiare.

Veprimi i kryerjes së kriminalitetit ekonomik zgjat shumë dhe sa më i gjatë të jetë, aq më i vështirë është zbulimi i kryerësve, ndërsa dëmet materiale të këtyre krimeve rriten çdo herë e më shumë.
Ketë e dëshmojnë rastet e skandaleve dhe aferave të ndryshme në vendin tonë.

Kemi rastet e keqpërdorimeve nga zyrtarët vendorë e ndërkombëtarë të miliona eurove në KEK, në PTK, në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, në ndërtimin e rrugëve, në doganë, si dhe në shumë kompani të tjera publike.

Duke pasur parasysh që kriminaliteti ekonomik është shumë i ndërlidhur me ekonominë, biznesin, jetën politike dhe është vështirë të zbulohet dhe evidentohet, realisht në vendin tonë është shumë i përhapur, atëherë pashmangshëm Gjykata Speciale do të duhej të merret edhe me ketë kancer të shoqërisë sonë.